Rreziku nga tërmetet/ Shqipëria e treta mbas Turqisë dhe Greqisë , ja qytete dhe banesat më të më të rrezikuara

0
161

3ea8f14ed6924806cb6126b0fe936516_XL-1900x700_c

 

Shqipëria është një territor aktiv, por ajo çfarë i vënë më shumë në rrezik banorët janë ndërtesat në të cilat jetojnë

 

Tërmeti i cili përfshiu fqinjit tonë më të afërt Italinë, la një dhimbje të madha pas dhe një frikë e panik për të gjitha shtete e tjera që kap rrezja e tij. Edhe vendi ynë konsiderohet një vend me aktivitet të lartë sizmik, çka do të thotë se është i rrezikuar nga tërmetet. Për hir të së vërtetës, tërmetet e fuqishme në Shqipëri janë të rralla, por kjo nuk do të thotë që shpesh ato nuk mund të vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Shqipëria është një territor aktiv, por ajo çfarë i vënë më shumë në rrezik banorët janë ndërtesat në të cilat jetojnë. Sipas sizmologut Rexhep Koçi: “Në Ballkan, është një nga vendet më sizmikë duke u llogaritur mbas Turqisë dhe Greqisë, pastaj vijmë ne si për numër ngjarjesh sizmike, por edhe si numër me magnitudë të lartë”. Por, sa të sigurta janë ndërtimet në Shqipëri? Ndërtuesit shpjegojnë se më të rrezikuara janë ndërtimet e para viteve ’90, të cilat nuk janë mirëmbajtur dhe ku janë bërë ndërhyrje pa projekt. Për ndërtimet e reja, ata shprehen se siguria është më e lartë, pasi në pjesën dërrmuese të tyre janë zbatuar standardet e ndërtimit, të njohura ndryshe si eurokodet. Arben Dervishi, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve shprehet se: “Edhe brenda këtyre ndërtimeve që janë bërë pas viteve ’90 ka ndërtues, të cilët i kanë bërë pa projekte. Ku është bërë pa projekt, natyrisht do të mund të ketë probleme. Nuk mund ta thotë asnjë njeri të sigurt se do të ketë problem një objekt. Një objekt i cili zbaton normat ose Eurokodet është imun karshi lëkundjeve sizmike. Kurse ndërtimet para ’90, sidomos ndërtimet me mur tulle, të cilat kanë pësuar ndërhyrje nga qytetarët për të hapur dyqane, janë të rrezikuara”. Por sa me përpikëri i zbatojnë firmat e ndërtimit projektet e miratuara, për të cilat kanë marrë edhe leje? Dervishit theksoi se : “Në përgjithësi, firmat sot nuk bëjmë shmangie nga projekti strukturor. Pra ka ikur ajo kohë kur heqin ndonjë shufër hekuri. Mbi të gjitha ata mbajnë përgjegjësi ligjore për ndërtimin që kanë bërë” Materialet e ndërtimit janë një tjetër element përcaktues për cilësinë e një ndërtimi. “Cilësia e materialeve të ndërtimit këtu tek ne ka ardhur duke u rritur. Kontrollet e njëpasnjëshme që bën shteti dhe privati, të cilat nuk lejojnë kompanitë. Dy janë materialet kryesore janë betoni dhe çeliku” shprehte më tej Dervishi. Sipas të dhënave të Institutit të statistikave, në Shqipëri numërohen sot mbi 1 milionë banesa, ku Tirana ka numrin më të madh të tyre.

 

Historia e tërmeteve në Shqipëri

 

Vendi ynë bën pjesë në zonën sizmogjene jonike-adriatike, ku përfshihen rajoni i Shkodrës, Shqipëria perëndimore, zona Korçë-Ohër-Peshkopi, me vija aktive në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe sidomos ajo Vlorë-Tepelenë-Ersekë. Kjo e fundit është aktivizuar së fundmi duke përfshirë vendin nga lëkundje të njëpasnjëshme, zanafilla e të cilës ka nisur në muajin maj 2006.  Nga data 6 gusht 2006 e deri me 9 gusht 2006 u regjistruan 161 ngjarje sizmike në këtë zonë. Në datën 7 gusht 2006 ka pasur 70 lëkundje, në datën 8 gusht2006, 76 dhe në datën 9 gusht 2006 regjistrohen 15 tërmete.  Vija Vlorë-Tepelenë-Ersekë, sipas specialistëve të Sizmikës, klasifikohet ndër zonat me periodicitetin më të lartë të lëkundjeve në histori. Duke iu referuar periodicitetit të lëkundjeve maksimale të regjistruara në këtë vijë problematike, sipas specialistëve, një herë në 30 vjet këtu regjistrohen tërmete deri në 9 ballë, ku i fundit u regjistrua në 1968 në fshatin Nivicë. Në Tepelenë, me 20 nëntor 1920, një tërmet me 8 ballë shkaktoi 36 viktima dhe 102 të plagosur, shkatërroi 2 500 shtëpi dhe la pa strehë 15 000 vetë.  Dhjetë vjet më pas, në Vlorë dhe Tepelenë regjistrohet një tjetër tërmet, që shkaktoi 30 të vdekur dhe 100 të plagosur. Sipas specialistëve, dhjetëra tërmetetë tjerë janë regjistruar gjatë këtyre viteve, por lëkundjet kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar viktima në njerëz si dhe dëme të mëdha materiale, me përjashtim të çarjes së mureve dhe suvave të shtëpive përgjatë kësaj zone. Në vitin 1851, nën efektin e të njëjtit fenomen që karakterizon vijën problematike të përcaktuar nga sizmologët, ka ndodhur edhe një tsunami i vogël ku vala e detit u ngrit deri në 5 metra duke shkaktuar edhe dëme materiale në zonën e bregdetit të Vlorës. Gjatë shekullit të shkuar, vendi ynë është përshkruar nga një valë tërmetesh, ku më i rëndi konsiderohet ai i vitit 1905. Bilanci ka qenë tejet tragjik. Plot 200 viktima si dhe 500 njerëz të plagosur, ndërkohë që janë regjistruar 1500 shtëpi të shkatërruara si dhe mijëra të tjerave iu shkaktuan çarje të rënda, duke nxjerrë në qiell të hapur mijëra familje.  Sipas sizmologëve, lëkundjet e tërmetit me 9 ballë të shkallës rihter të 1 qershorit 1905 kanë tronditur qytetin e Shkodrës dhe rrethinat si dhe një pjesë të konsiderueshme të veriut të vendit. Ndërkohë që gjatë shekullit të 20-të janë regjistruar gjithashtu të tjera tërmete, mes të tjerëve ai i 24 gushtit 1924, epiqendra e të cilit ishte qyteti i Peshkopisë, duke shkatërruar afro 80% të shtëpive, me 44 të vdekur dhe 119 të plagosur.  Në vitet e komunizmit, tërmeti i Dibër-Librazhd i 30 nëntorit 1967 shkatërroi 177 fshatra, si dhe gjetën vdekjen 12 vetë dhe u plagosën 174. Karakteristikë e këtij tërmeti ishte thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra si dhe zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here