Arrihet marrëveshja e BE-së me Greqinë/ Cipras: Më e mira që mund të shpresonim

0
117

CiprasGreqia dhe partnerët e saj evropianë arritën një marrëveshje të tretë shpëtimi, pas një seance maratonë të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Udhëheqësit e Eurozonës e detyruan Athinën t’i hapte rrugë mbikëqyrjes financiare nga jashtë në shkëmbim të bisedimeve për një paketë shpëtimi prej rreth 100 miliardë dollarësh, që do ta mbante vendin brenda monedhës së përbashkët.

Greqia ra dakord për një sërë reformash të vështira për të marrë kredinë e propozuar prej rreth 100 miliardë dollarësh, për të cilën ajo ka nevojë të domosdoshme.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha dje në Bruksel se marrëveshja ishte arritur njëzëri pas 17 orë bisedimesh.

“Marrëveshja përmban kushte të rrepta që duhet të plotësohen, tani nevojitet miratimi i disa parlamenteve, duke përfshirë atë grek, në mënyrë që të fillojnë zyrtarisht negociatat rreth një programi ndihme në suazën e Mekanizmit të Stabilitetit Evropian. Megjithatë, vendimi i jep Greqisë rastin të kthehet në rrugën e duhur me mbështetjen e partnerëve evropianë. Ajo shmang gjithashtu pasojat sociale, ekonomike dhe politike që do të kishin ardhur nga një rezultat negativ”.

Sipas agjencive të lajmeve, kompromisi ishte arritur mes Kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, Presidentit francez François Hollande dhe zotit Tusk.

Zoti Tsipras u tha gazetarëve se marrëveshja ishte më e mira që ata mund të shpresonin:

“Marrëveshja është e vështirë, por ne arritëm të ndalim transferimin e aseteve publike jashtë vendit. Ne arritëm të pengojmë planin e asfiksimit financiar dhe shembjen e sistemit financiar të vendit, një plan që ishte projektuar kohët e fundit deri në hollësitë më të vogla dhe në mënyrë të përkryer dhe kishte filluar të vihej në zbatim. Së fundi, ne arritëm me këtë luftë të vështirë ristrukturimin e borxhit dhe sigurimin e financimit për një periudhë afatmesme”.

Kryeministrit Tsipras tani do t’i duhet të bindë Parlamentin grek të miratojë marrëveshjen deri të mërkurën, duke përfshirë reformat e tatimit dhe planet e pensioneve, të cilat do të kenë ndikim të thellë në shoqërinë greke.

Pasi Parlamenti të ketë dhënë miratimin, zotit Tsipras do t’i duhet të bindë të 18 partnerët e tij evropianë për të lejuar dhënien e fondeve kalimtare, që do të shmangnin falimentimin e institucioneve shtetërore.

Në komentet e tij, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u tregua i përmbajtur, duke thënë se mbeten ende hapa të vështirë për t’u bërë përpara se të vuloset një marrëveshje përfundimtare me Athinën.

“Ka ende hapa të vështirë për të kapërcyer në ditët e ardhshme dhe tani i takon qeverisë dhe parlamentit grek të rindërtojë besimin, që është i nevojshëm për të marrë vendimet e ardhshme”, – u tha zoti Steinmeier gazetarëve në Vjenë.

Zoti Steinmeier shtoi se Evropa tregoi se ajo është në gjendje të veprojë e bashkuar dhe në mënyrë racionale, me solidaritet.

Homologu i tij francez, Laurent Fabius vlerësoi bashkëpunimin mes Francës dhe Gjermanisë, por u shpreh se përpara mbetet një rrugë e gjatë për të bërë.

“Tani mbetet një seri e tërë vendimesh për t’u marrë në mënyrë që marrëveshja të zbatohet, por do të doja të përfitoja nga rasti për të theksuar nocionin e miqësisë franko-gjermane, të aleancës, solidaritetit dhe përgjegjshmërisë mes dy vendeve”, – tha zoti Fabius.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here