Pastroi 80 mln euro/ Sekuestrohet Agon Channel, pronari Beccheti në kërkim

0
164

 

Artan Cena

Francesco-Becchetti-Agon-ChannelProkuroria bën të ditur se italiani Francesco Beccheti dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë pastruar në Shqipëri me anë të bizneseve më shumë se 80 milionë euro

Pastrimi i më shumë se 80 milionë eurove në Shqipëri ka bërë që biznesmeni dhe pronari i Agon Channel, Francesco Beccheti, të shpallet në kërkim, televizioni i tij të vihet nën sekuestro, ndërsa disa prej bashkëpunëtorëve të tij të janë vënë në pranga e disa të tjerë janë në kërkim si ai vetë. Veç sekuestrimit të Agon Channel, janë bllokuar edhe një sërë kompanish të tjera në pronësinë e Francesco Becchetit, Liliana Condomitti (nëna e Becchetit) Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, kanë nisur edhe arrestimet e para, të personave të përfshirë në këtë skemë gjigante të pastrimit të parave. Beccheti është shpallur në kërkim për pastrim parash, transferta të dyshimta në miliona euro. Burime nga policia kanë bërë të ditur se është arrestuar Erjona Troplini e cila është aksionare në televizionin Agon Channel dhe Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Burime nga prokuroria kanë bërë të ditur se, paratë janë pastruar nëpërmjet Veneto Banka, ku Pranvera Gjika ishte drejtoreshë.

 

Zbardhja e skemës

Në bazë të hetimeve të deritanishme të Prokurorisë Tiranë është arritur të krijohet një situatë e qartë mbi mënyrën se si ka funksionuar kjo skemë. Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncesionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri. Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti. Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit M.R dhe E. T. Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka.

 

Mashtrimi me Kalivaçin

Rezulton se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë të reja detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të “Energji” dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj. Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncesionari “KGE” i ka bërë pagesat për “Energji” nëpërmjet kompanisë “Cable System”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Condomitti (nëna e Becchetit). Këto transferta, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Ndërkohë, po vijohet me veprimet e tjera procedurale në kuadër të këtij procedimi penal.

 

Sekuestrimi i kompanive

Prokuroria e Tiranës sekuestron, pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si bllokon llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Beccheti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, pas një hetimi të nisur në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve tё kryer nё bashkëpunim dhe më shumё se njё herё” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

 

Endira Bushati:/ “U mbyll TV që zbuloi skandalin e manipulimit të zgjedhjeve”

Lajmi që po bën bujë këtë pasdite dhe që ka fituar një shpërndarje marramendëse në mediat online është absolutisht ai i sekuestrimit të kanalit të Francesco Becchettit, Agon Channel. Një ndër njerëzit e parë publik që ka reaguar për sekuestron, është pikërisht ish-kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Endira Bushati. Përmes një statusi në profilin e saj zyrtar në Facebook ajo e ka quajtur mbylljen e Agon Channel si mbylljen e kanalit të vetëm opozitar në vend. Gjithashtu me tej ajo shprehet në atë që ajo e ka cilësuar si diktaturë: “Pikërisht atëherë kur Emisioni “Ça thu?” i Agon Channel po hidhte dritë mbi skandalin e prodhimit të kartave të identitetit dhe blerjen e votës. Pas një beteje 2-vjeçare me Digitalbin për zbatimin e ligjit të medies. Pas kërkesës për të marrë pjesë në garën e frekuencave për rrjetet dixhitale. Shteti “kujtohet” që ka nja 10 vjet që pronari pastron para”, – ka përfunduar Endira Bushati.

 

 

Kërkoi 20 milionë euro/ “Standard” dhe “Top Channel”, mediat e para që denoncuan aferat e Becchetit

Prokuroria e Tiranës konsideroi dje si organizator të skemës së pastrimit të parave shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncesionar- kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri. Por denoncimi ndaj Becchetit është bërë rreth tri vite më parë nga dy media në Shqipëri. Gazeta “Standard” dhe televizioni “Top Channel” kanë denoncuar prej kohësh aferat e biznesmenit italian, kryesisht lidhur me ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Nga ana e tij Beccheti i cilësoi si shpifje në atë kohë shkrimet dhe kronikat e medieve, duke i hedhur dy mediet në gjyq. Në seancat gjyqësore që zhvillohen në Itali, Beccheti ka kërkuar nga administratoret e “Standardit” dhe “Top Channel” 20 milion euro, duke i paditur për shpifje. Por dje, Prokuroria zbuloi të gjithë skemën e Becchetit, duke u dhënë njëkohësisht vërtetësi denoncimeve të dy medieve shqiptare të bëra kohë më parë ndaj shtetasit italian.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here