Bartomeu: Mesi nuk lëviz nga Barcelona

0
136

Jurges Veizaj

BartomeuPresidenti katalanas ka deklaruar se nuk ka asnjë kambanë alarmi për sa i përket fatit të argjentinasit, pasi ai ndihet mirë në Barcelonë

Merkatoja duket se po bluan shumë pas zërave se Mesi mund të largohet nga Barcelona. Katër herë fituesi i Topit të Artë mund të jetë transferimi më i madh në historinë e futbollit. Kjo, pasi shifra me të cilën mund të shitet lojtari dhe kontrata e re, por edhe largimi nga klubi ku u rrit, do të shoqërohej me një zhurmë të madhe. Në intervistën për Topin e Artë, kur u pyet për pozicionin e tij, Mesi u shpreh se nuk e di ende destinacionin e tij dhe se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Një lajm ky që ndezi përsëri spekulimin për largimin e “Pleshtit” nga katalanasit. Mirëpo presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, beson se Mesi do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën e klubit që ai përfaqëson, duke theksuar se argjentinasi ndihet i lumtur në “Camp Nou”. Kreu i shoqërisë nënvizon se Mesi jep maksimumin në çdo ndeshje që luan, duke iu referuar ndeshjes së fundit me Atletikon, ku numri 10 dha një asist dhe shënoi golin e 3-1. “Lumturia e Mesit është në fushë. Duket qartë që po luan në nivele të larta, ai buzëqesh dhe të gjithë jemi të qetë, sepse Leo është pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre”. Në vijim Bartomeu mohoi çdo spekulim mbi “marrëdhënien e keqe” midis Mesit dhe trajnerit Luis Enrike. 51-vjeçari zbulon se në dhomat e zhveshjes tek Barcelona ekziston një ambient pozitiv ku të gjithë mbështesin njëri-tjetrin. “Në një ekip gjithmonë ndodhin ngjarje të pakëndshme, por rëndësi ka që tek ne marrëdhënia mes lojtarëve është shumë e mirë dhe nuk kemi probleme të tilla”. Për sa i përket skuadrës, presidenti argumentoi se të gjithë kanë ambicie dhe po luftojnë me njëri-tjetrin për një vend në formacion. “Kërkoj që të gjithë të mbështesim ekipin duke filluar nga stafi teknik, trajneri dhe çdo lojtar, sepse jemi në gjysmë të sezonit dhe në garë për të gjithë titujt. Besoj se tifozët në “Camp Nou” e duan ekipin dhe do të na mbështesin gjithmonë”. Numri një i klubit nuk pranoi të prononcohej mbi zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen në qershor të këtij viti. Bartomeu sqaroi se nuk do të ndikohet nga ky fakt, por do të vazhdojë punën.  Madje, presidenti edhe pas shpalljes së Ronaldos si fitues i Topit të Artë, shkroi në “Twitter” në mbështetje të Leos. Bartomeu ka përgëzuar Kristiano Ronaldon për Topin e Artë të fituar, por ritheksoi se Lionel Mesi do të mbetet më i miri në botë për tifozët e Barcelonës. “Përgëzime për fituesin e Topit të Artë. Për tifozët e Barcelonës, Leo Mesi gjithmonë do të jetë më i miri. #NeDuamMessin”, – u shpreh Bartomeu.

 

Përfaqësuesit e Shqipërisë votuan për Ronaldon dhe Nojerin

Nga deklarimi i votave doli edhe se kë kishin votuar përfaqësuesit e Shqipërisë për Topin e Artë. Trajneri i kombëtares, Xhani de Biazi, ka zgjedhur Kristiano Ronaldon, por ka lënë jashtë Nojerin dhe Mesin, duke vendosur në vendin e dytë Filip Lamin dhe në të tretin Arjen Robenin. Pikët maksimale i ka dhënë portugezit edhe kapiteni Lorik Cana, që ashtu si De Biazi më pas ka zgjedhur dy lojtarë të Bajernit të Mynihut, Arjen Roben dhe Tomas Myler. I ndryshëm ka qenë votimi i gazetarit Besnik Dizdari, që pikët maksimale ia ka dhënë Manuel Nojerit, në vendin e dytë ka zgjedhur Ronaldon dhe në të tretin Mesin. Sa i përket trofeut të trajnerit më të mirë të vitit, De Biazi i ka dhënë pikët maksimale patriotit të tij Karlo Ançeloti, përpara fituesit Hoakim Lëv dhe Diego Simeones. Për Canën, trofeu duhet të shkonte për trajnerin e Atletikos, përpara Ançelotit dhe Lëvit. Ndërkohë, mes atyre që kanë zgjedhur gjermanin si trajnerin më të mirë ka qenë Besnik Dizdari që ka vendosur në vendin e dytë ish-teknikun e Argjentinës, Sabeja, dhe të tretin Ançelotin.

 

 Ronaldo: Bejl i duhet Realit

Gareth Bejl u vërshëllye nga disa tifozë madrilenë kundër Espanjolit për egoizmin e tij para portës, mirëpo Kristiano Ronaldo i ka dalë në krah atij dhe ka thënë se është shumë i nevojshëm për Realin e Madridit. “Tifozët e Madridit janë gjithmonë të njëjtë. Ata janë shumë të tensionuar, gjithmonë tregojnë atë që e ndjejnë”, – tha fillimisht portugezi. “Ata e dinë se Bejl është lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Çfarë ndodhi të shtunën i takon të kaluarës tani. Në disa ditë edhe unë bëj gabime. Ato janë pjesë e futbollit, kështu që mendoj se njerëzit do të jenë të mirë me të”, – theksoi fituesi i Topit të Artë. “Ai është një lojtar shumë i mirë dhe shumë i rëndësishëm për Real Madridin dhe ne do të kemi nevojë për të edhe këtë vit”, – përfundoi tri herë fituesi i Topit të Artë.

 

 Levandovski pendohet për votën ndaj Ronaldos

Sulmuesi bavarez Robert Levandovski duket se është penduar që e votoi Kristiano Ronaldon për Topin e Artë. Polaku kishte votuar yllin e Realit të Madridit me pesë pikë, para bashkëlojtarëve Manuel Nojer dhe Bastian Shvajnshtajger, por tani beson se portieri gjerman do të ishte zgjedhja më e mirë. Nojer përfundoi i treti në listë me 15.72 të votave, vetëm 0.04 për qind prapa Lionel Mesit, ndërsa fitues ishte Ronaldo me 37.66 për qind. “Vota për Ronaldon në vend të Nojerit ishte një gabim. Pa dyshim që do ta votoja Nojerin tani, po të kisha mundësi. Por, votën e kam dhënë në gusht. Do të votoja më ndryshe tani. Më vjen keq për Manun. Jam befasuar që nuk përfundoi të paktën i dyti dhe diferenca me Ronaldon më ka lënë edhe më shumë të habitur. Manueli është portier dhe person i jashtëzakonshëm”, – ka thënë Levandovski.

 

 Lihshtajner rinovon deri në 2017 me Juven

Juventusi ka siguruar shërbimet e Stefan Lihshtajnerit edhe për dy vite të tjera. Kontrata e zviceranit skadonte në verën që vjen, ndërsa klube të shumta evropiane shprehën interesim për të. Mirëpo, bardhezinjtë kanë reaguar për rinovimin e kontratës, e cila do ta mbajë në Torino deri në verën e vitit 2017, ndërsa ekziston edhe opsioni i vazhdimit për një vit tjetër. “Lojtari ka nënshkruar kontratë për dy vite të tjera, me opsionin në favor të klubit edhe për një vit të tretë”, – thuhet në një kumtesë të lëshuar nga kampioni italian. Lihshtajner luan te Juve nga viti 2011, kur u transferua nga Lacioja.

 

 Kros: Nojeri meritonte të dilte i dyti

Fantazisti galaktik Toni Kros ka deklaruar se bashkëkombëtari i tij, Manuel Nojer e meritonte të ishte i dyti në votimet për Topin e Artë dhe jo Lionel Mesi. Argjentinasi mori rreth 15.76% të votave totale, vetëm 0.04% më shumë se portieri i Bajernit të Mynihut, i cili mori 15.72%, mirëpo Kros mendon se ky rezultat nuk është i drejtë. “Është paksa befasuese dhe e padrejtë që Nojeri përfundoi prapa Mesit”, – deklaroi Kros. “Unë mendova se do të jetë një garë e ngushtë mes Nojerit dhe Ronaldos”, – shtoi ai. “Nojer ishte portieri më i mirë nga të gjithë dhe Kristiano ishte lojtari më i mirë nga të gjithë. Me të vërtetë, gara ishte mes këtyre dyve. Nojeri do të ishte një fitues i denjë, por edhe Kristiano e ka merituar gjithashtu”, – ka përfunduar mesfushori gjerman.

 

 Arda Turan: Më është ndryshuar vota

Kapiteni i Turqisë, Arda Turan, është ankuar pas votimit për trajnerin më të mirë të vitit. Turku, i cili është pjesë e Atletiko Madridit, kishte votuar trajnerin e tij Diego Simeone, por pas shpalljes së rezultateve ai e pa që pikët minimale i kishin takuar timonierit të “Los Colchoneros”, ndërsa maksimalet për Hoze Murinjon. “Delegatët më pyetën se kë preferoja si trajnerin më të mirë të vitit dhe përgjigjja ime ishte sigurisht ‘El Cholo’ Simeone, ndërsa për sa i përket lojtarit më të mirë votova Kristiano Ronaldon. Por ndërkohë kur pashë listën e publikuar nga FIFA, u befasova pa fund, pasi vura re që pikët maksimale të dhëna nga unë për trajnerin më të mirë kishin shkuar për Hoze Murinjon dhe Simonen e kisha renditur vetëm të tretin pas Hoakim Lëvit, ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërt, pasi unë kam votuar në vend të parë Diego Simeonen dhe pas tij kam renditur me radhë Lëvin dhe Murinjon. Për mua Simeone është trajneri më i mirë në botë dhe personalisht nuk e krahasoj ‘El Cholon’ me asnjë teknik tjetër në botë. Do të doja që ai ta kishte fituar çmimin si trajneri më i mirë i vitit dhe më vjen shumë keq që nuk ia arriti dot. E kam thënë edhe më parë dhe po e sqaroj sërish në mënyrë që media dhe e gjithë bota ta dinë”.

 

 Maradona: Vidal, një luftëtar

Mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal, ka fituar simpatinë e legjendës argjentinase, Diego Maradonës, i cili thotë se e pëlqen seriozisht yllin e Kilit. “Vidal është një lojtar që më pëlqen seriozisht. Ai është si një lojtar nga Boka Xhuniors, i cili lufton dhe ka guxim prej minutës që e vesh fanellën, – theksoi Maradona. – Mendoj se Kili do të jetë favorit për ta fituar Kupën e Amerikës, pasi do të jenë edhe organizatorë. Dhe, të mos harrojmë se ata kanë Aleksis Sançezin, si dhe Vidalin e Gari Medelin, të cilët janë shumë të fortë”. Kupa e Amerikës 2015 do të fillojë më 11 qershor, kur Kili i Vidalit do të takohet me Ekuadorin në grupin A.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency