E diel mbrëma

0
128

Meri Lalaj

meri-lalaj-foto-20112 Nuk e dija se e kisha dashur aq shumë. Ky mendim më ra në kokë papritmas, më hutoi e më ngurosi njëkohësisht. Por ishte vonë. Shumë vonë. Tepër vonë. Atë ditë bëhej dasma e tij.

Ishte një e diel fundgushti me vapë të padurueshme. (Kjo ishte e diela e parë që kur ishim kthyer nga pushimet në buzë të detit.) Më duhej që të punoja asaj të diele nga ora katër e pasdites deri në orën tetë të mbrëmjes. E ndërsa po ecja e plogështuar drejt ndërtesës së Radio-Televizionit për të filluar punën, befas më doli përballë Zana, (fqinja, e cila banon në pallatin përballë nesh), e ajo pa një pa dy ma shkrehu lajmin:

-E ke marrë vesh? Sot martohet “ai yti”…

-Cili “imi”? – iu përgjigja unë me pyetje që të fitoja kohë e të mblidhja veten.

-Ai “yti” pra, – theksoi ajo. – nuk e ditke? Nusen ia quajnë Valbona… – dërdëlliti Zana.

– E ç’më duhet mua edhe sikur t’ia quajnë Vjosë, Lanë apo Bunë…

Një kushërira ime do të shkonte e ftuar në dasmë. Nuk e di se në cilin lokal bëhet. Prej asaj e mora vesh unë… – vijonte të llomotiste Zana.

E lashë Zanën me fjalët në gojë dhe ika. Orët e punës i kalova si e mpirë, ulur në ndenjëse me tryezën mbështetur tek dritarja e madhe. U bija me ngadalë gërmave të makinës së shkrimit. Dëgjohej vetëm një zhurmë e lehtë e butë e njëtrajtshme. Në mendje kisha vetëm emrin e tij. I mbyllja sytë dhe më shfaqej vetëm fytyra e tij. Vështrimi i tij. Sytë e tij. Kudo vetëm ai. Kujtoja se e kisha harruar. Pata gënjyer veten. Kisha menduar se e pata çmontuar pjesë-pjesë sikur të ish aparaturë dhe e pata flakur tej vetes sime. Tutje larg në një pellg me ujë. Plluq, plluq e plluq ishte zhytur i tëri në masën ujore. Ndërsa në të vërtetë Korabi pat qenë gjithnjë me mua. E mbartja mundimshëm ngado: në mendimet e mia, në këngët që dëgjoja, në librat që lexoja, në filmat që shihja. Tërë qenia ime mendonte e priste vetëm atë.

Në orën tetë para se të lija punën, telefonova në shtëpi. Doli babai.

-Babi, do të vonohem…

-Të vij aty të të marr apo të të pres gjatë rrugës?

-Jo, jo, babi, do të kthehem vetëm… por do të vonohem.

Kur dola në rrugë ishin ndezur dritat. Sapo kish filluar të errej. Lart në anë të horizontit kishte dalë hëna e plotë. Një hënë e madhe, e rrumbullakët, e kuqërremtë. Hëna më vështroi si me tallje dhe m‘u duk sikur u ul mbi supet e mia duke më rënduar fort. Tani ecja rrugës me hënën përmbi supe, mbuluar e tëra me dritë hëne dhe dritë neonesh. “Oh, sa e bukur dukesh si e veshur në argjend!” Kështu më pat thënë Korabi gushtin e kaluar, ndërsa më kish pritur të dilja nga puna në një natë të ngrohtë e të ndritur si kjo e sotmja.

Po si u zemëruam ne të dy? Përse u zemëruam? Asnjë shkak nuk më kujtohej. Midis nesh ish futur e kish bërë vend një mëri e kotë, e gjatë dhe e pakuptimtë. Dhe sa i mirë pat qenë ai gjithnjë me mua.

Hodha përsëri sytë në qiell. Hëna ndodhej atje lart, larguar paksa nga vija e horizontit. Tani nuk e ndieja përmbi supe, veç rreth e përqark saj nuk kishte asnjë yll. Qiell pa yje. Vetëm ajo hëna e madhe ngjyrë portokalli zotëronte tërë hapësirën qiellore. Ajo dukej njëherazi edhe e ngrohtë edhe e ftohtë. Ndërkaq ajri ishte aq i vakur nga nxehtësia e ditës saqë të dukej sikur ishe futur e po bëje dush.

Ecja rrugës e vetme. Ecja nëpër natë mbuluar dritëhëne e dritë neonesh. Kisha vendosur me mendjen time që të shkoja tek lokali ku do të bëhej dasma e tij. Vetëm sa ta shikoja. Ndoshta kisha dy a tre muaj pa e parë. E në kokë më trokëllinin vargjet e Ismailit: “Jetojmë të dy në një qytet / dhe rrallë shihemi sa rrallë!” Nuk e dija as se ku bëhej dasma e tij. Po përse nuk i flisnim më ne njëri tjetrit? Kot. Fare kot. Si fëmijët. Asqë më kujtohej ku dhe kur filloi zemërimi ynë e aq më pak të më kujtohej si filloi ky zemërim…

Një pasdite vonë, ndërsa isha shtrirë dhe po dremisja në divanin e kuzhinës, dëgjova që poshtë nga rruga fishkëllimën e tij të zakonshme. Nuk lëviza nga vendi. Babai kujtoi se flija, prandaj erdhi nga dhoma e vet dhe më ledhatoi flokët.

-Lira, dëgjon?…

-Dëgjoj babi… nuk është për mua.

Babai mblodhi supet i habitur e iku nga kuzhina. Unë babain e kam shok, çdo gjë atij ia tregoj. Ndërsa me mamanë ndryshon puna, me të nuk mund të bisedosh kurrë punë djemsh. Sidomos tani. Ajo kërkon të më fejojë një sahat e më parë që të shpëtojë prej meje, ta bëjë detyrën e të mbledhë mendjen. Ja, edhe në plazh ajo mundohej që të mbushte (siç shprehej ajo) “kokën time të pagdhendur” për të më fejuar me një ekonomist. “Po ke dy vjet, moj në punë dhe ende nuk po vendos të dalish në fatin tënd. Nuk shikon se çfarë bëhet rreth e rrotull teje, djemtë synojnë që të martohen me vajza sa më të reja në moshë!” E nuk ka faj! Madje ka shumë të drejtë. Im vëlla është student, më i vogël se unë dhe është fejuar me një maturante.

Shkëputja ime me Korabin në fillim u duk si lojë, ngjante me një tekë. Pasi u zemëruam, unë doja që ai të vinte të më lutej, të më pëshpëriste fjalë të bukura, e pastaj duke e ditur se e kisha timin të mund të luaja me të, me dashurinë dhe ndjenjën e tij ashtu si pa të keq. Më ish mbushur mendja top se Korabi ish vetëm imi, se askush tjetër përveç meje nuk do të mund ta bënte të lumtur dhe se ai nuk mund të donte askënd.

(fragment)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency