Spanja merr fitoren e nderit ndaj Australisë

0
117

spanja-659x468Më në fund Spanja ka arritur të marrë fitoren e parë këtë botëror. Një sukses i cili vlen sa për statistikë dhe asgjë më shumë. Kjo pasi ëndrrat e kampionëve të botës në fuqi ranë pas humbjeve që pësuan ndaj Kilit dhe Holandës. Dy sfida që duket se treguan një Spanjë të lodhur dhe pa dëshirën dhe forcën për të fituar. Shumë kritika si për lojtarët ashtu edhe për trajnerin. Një furtunë e madhe mediatike e cila nuk e harron lehtë këtë dështim të iberikëve. Kjo, pasi të nisesh si kampion dhe favorit dhe më pas të përfundosh i eliminuar që në fazën e grupeve, nuk është një gjë e lehtë. Mirëpo fitorja ndaj Australisë duket se e përmirësoi pak gjendjen e skuadrës, pasi arritën të merrnin një fitore bindëse. Edhe pse kundrejt një skuadre më modeste dhe pa motiv, spanjollët nuk hezituan për të bërë lojën e tyre. Skuadra ishte e ndërtuar me një formacion eksperimental ku ishin futur shumë lojtarë, që nuk ishin në ndeshjet e kaluara me përjashtim të Serxho Ramosit, Labaa, Alonsoa dhe Iniestës. Një skuadër provë nga Del Boske që bëri një lojë më të mirë se formacionet e para. Spanjollët arritën të realizonin lojën e tyre karakteristike, por kishte edhe më shumë freski. Goli do të vinte në minutën e 36-të nga David Vija, i cili arriti të shënonte në ndeshjen e parë për këtë Botëror. Një gabim i Del Boskes që nuk futi sulmuesin i cili në Botërorin e kaluar ishte një nga shtyllat kryesore që arriti të çonte skuadrën shumë larg. Lojtari shënoi kështu një gol në ndeshjen e tij të lamtumirës me fanellën e iberikëve. Koke dhe Santi Karxola treguan parametra të mirë që mund të jenë në të ardhmen një shtyllë e mirë e skuadrës. Ekipi kishte më shumë lojë të shpejtë dhe topa të gjatë në ndryshim nga tiki-taka e bezdisshme. Pjesa e parë do të mbyllej me këto shifra me spanjollët që mbajnë avantazhin. Ndërsa fraksioni i dytë do të ofronte edhe një lojë më të bukur. Australia do mundohej të krijonte lojë, por do ta kishte vështirë të finalizonte. Në minutën e 69-të do të vinte edhe goli i dytë nga iberikët. Kësaj radhe do të ishte Fernando Torres. Edhe ky një lojtar i rëndësishëm i kombëtares në Evropian, i cili arriti të shënonte golin e dytë që i dha edhe më shumë distancë midis dy skuadrave. I fundit që plotësoi serinë e golave ishte Huan Mata. Pas një asisti të bukur nga Çesk Fabregas mesfushori i Junajtidit do të gjendej mjaft mirë në zonë dhe do të shënonte edhe golin e tretë. Një rezultat që i dha një shije të ëmbël spanjollëve në gjithë këtë vrer të krijuar nga ky kompeticion. Botërori në Brazil ishte një dështim i vërtetë dhe tashmë mbetet të shohim ecurinë e skuadrës në kampionatet e tjera.

 

Ekipet shqiptare, përballje të vështira në kupat evropiane

Ekipet shqiptare nuk do ta kenë të lehtë as këtë sezon që të kalojnë në sfidat evropiane. Sezoni i kaluar ishte një histori suksesi dhe Kukësin dhe Skënderbeun që për çështje minutash nuk u bënë pjesë e kompeticionit Europa Ligë. Ndërsa këtë sezon do të kenë një shans tjetër. Skuadra e Skënderbeut do të ndeshet me Bate Borisovin në ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kampioneve. Ndeshja e parë do të luhet në Bjellorusi në datën 15 ose 16 korrik. Në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës, korçarët “peshkuan” bjellorusët, të cilët janë edhe kampionët në fuqi të vendit lindor. Bate që është një prej skuadrave më të njohura të vendeve lindore në vitet e fundit, ka marrë pjesë edhe në fazën e grupeve, ndërsa fitoren më të madhe në Evropë regjistron atë kundër Bajernit të Mynihut dy sezone më parë. Ndeshja e parë do të luhet në 15 ose 16 korrik dhe ajo e kthimit një javë më pas. Kundërshtarë të vështirë në letër për tri skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europa Ligë. Në Nion të Zvicrës u hodh shorti i turit të parë paraeliminator me Flamurtarin, Kukësin e Laçin që peshkuan kundërshtarët më të vështirë të mundshëm. Kuqezinjtë e drejtuar nga Ernest Gjoka u shortuan me gjeorgjianët e Sioni Bolnisi, Kukësi do të përballet me kazakët e Kairat Almaty, ndërkohë që Laçi do të ketë 180 minuta të zjarrta me sllovenët e Rudar Velenje. Por nëse për kurbinasit pritej një short i vështirë duke qenë se pozicionoheshin në vazon e skuadrave të dobëta, për Flamurtarin dhe Kukësin parashikohej një short më i lehtë, megjithatë si vlonjatët ashtu edhe kuksianët do t’u duhet të derdhin djersë për të kaluar në raundin tjetër. Ndeshjet e para të kësaj faze do të zhvillohen në datën 3 korrik ndërsa ato të kthimit një javë më vonë.

 

Ndeshjet që do të luajnë

 Liga e Kampioneve

Skënderbeu-Bate Borisov

 

Europa Ligë

Flamurtari-Sioni Bolnisi

Kukësi-Kairat Almaty

Laçi-Rudar Velenje

 

Atletiko, ofertë për Martinezin dhe mendon për Shnajderin

Atletiko Madrid është duke përgatitur ofertë për sulmuesin e Portos, Xhekson Martinez. Sipas “Diario de Noticias”, klubi spanjoll e sheh kolumbianin si zëvendësues të Diego Kostës, që shkoi te Çelsi. Kampioni i Spanjës ka gati 25 milionë euro për 27-vjeçarin. Për shërbimet e Martinezit interesohet edhe Valencia, mirëpo klubi spanjoll nuk ka aq para për të investuar. Sulmuesi kolumbian luan te Porto nga viti 2012, kur u transferua nga Çiapas. Ndërkohë që “El Mundo Deportivo” njofton se kampioni i Spanjës është në kërkim të një mesfushori kreativ, ndërsa në shënjestër ka holandezin dhe Ever Banegan e Valencias. Klubi spanjoll ka biseduar në tri javët e fundit me shefat e Gallatasarajit për mundësinë e transferimit të 30-vjeçarit. Çmimi i blerjes nuk është problem, mirëpo paga e futbollistit është e lartë dhe kjo mund të jetë një pengesë në arritjen e marrëveshjes.

 

Sedorfi dhe Milani shihen në gjyq

Klarens Sedorf është i gatshëm që ta dërgojë Milanin në gjykatë për të kërkuar dëmshpërblim për shkarkimin e tij. Holandezi u shkarkua nga posti i trajnerit të kuqezinjve dhe në vend të tij është angazhuar Pipo Inzagi. 38-vjeçari ndihet i tradhtuar për mënyrën si ka vepruar klubi, pasi njoftimi për shkarkimin i kishte shkuar me postë elektronike. Mediat italiane njofton se Sedorf, pos që kërkon t’i paguhet rroga deri në vitin 2016, sipas kontratës, ai kërkon edhe dëmshpërblime të tjera. ish-mesfushori i Milanit është i gatshëm të luftojë në gjykatë dhe është duke angazhuar një ekip të fortë avokatësh.

 

Suarez pranë kalimit në Spanjë

Luiz Suarez duket se pas Botërorit do të shpallë zyrtarisht divorcin me Liverpulin. Sipas “Sunday Times”, uruguaiani do të largohet nga Premier Liga dhe pritet ta vazhdojë karrierën në La Liga. Real Madridi dhe Barcelona janë në garë për shërbimet e sulmuesit 27-vjeçar. Kontrata e Suarez me Liverpulin ka një klauzolë për prishjen e të cilës duhet të paguhet rreth 80 milionë euro. Real Madridi i ka këto para, ndërsa Barça mendon ta përfshijë Aleksis Sançezin në marrëveshje ose ta shesë kilianin që do të jetë një zëvendësim shumë i mirë për lojtarin te anglezët.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency