Albpetrol Akuza për shpërdorim detyre, kallëzim penal ish-administratorit Murati

0
155

Sonja Caka

Auditi në kompani, janë zbuluar shkelje dhe abuzime në zbatimin e kontratave. Dosja me shkeljet dorëzohet në Prokurorinë e Fierit për hetime të mëtejshme

 

ferdinand muratiPërfundimi i auditimit në kompaninë e naftës “Albpetrol” sh.a ka evidentuar një sërë shkeljesh, ku ndër kryesoret janë abuzimet në kontratat e lidhura. Të gjitha materialet e auditit janë dorëzuar në Prokurorinë e Fierit, ku është dorëzuar edhe kallëzimi penal ndaj ish-administratorit të kësaj kompanie, Ferdinand Muratit. Sipas kallëzimit penal të dorëzuar, Murati akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje”, pas përfundimit se ka pasur shkelje dhe abuzime në zbatimin e kontratave. Nga burime zyrtare mësohet se administrata e “Albpetrol” sh.a ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier një kallëzim penal për ish-administratorin e shoqërisë, Ferdinand Murati.

Kallëzimi

Kallëzimi për ish-administratorin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a, zotin Ferdinand Murati, është kryer në përfundim të kontrollit të zhvilluar muajin e kaluar nga Drejtoria e Auditit të Brendshëm e Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës. Rezultatet e kontrollit kanë evidentuar shkelje të shumta, të cilat ngarkojnë zotin Murati me përgjegjësi për veprat penale të sipërcituara. Së pari, gjatë kontrollit janë evidentuar mungesa në sasinë e naftës bruto prej 2.965 tonësh me vlerë 1.221.580 USD. Diferenca e mësipërme përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik. Për më tepër zoti Murati nuk u është përmbajtur rekomandimeve të lëna nga KLSH për situatën e sipërpërmendur. Sipas kallëzimit penal, Murati ka konsumuar në bashkëpunim veprat penale të parashikuara nga nenet 25, 135 (Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën), 164 (veprat penale të kryera në shoqëritë tregtare/ Shpërdorimi i Kompetencave), 248 (Shpërdorim detyre) dhe 300 (Moskallëzim Krimi) të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Shkeljet

Kontrolli ka konstatuar abuzime në zbatimin e kontratave të shitjes së naftës bruto, pasi është lejuar shitja e mallit në favor të një shoqërie që nuk ka qenë subjekt furnizimi sipas kontratës dhe tenderit të organizuar nga METE. Kësaj shoqërie, në kundërshtim me kontratën, i është lëvruar malli pa kryer pagesën e nevojshme në një kohë kur kontrata kërkonte që malli të parapaguhej ose të garantohej pagesa e tij nga sistemi bankar. Si pasojë e këtyre veprimeve shoqëria në fjale nuk ka kryer ende pagesat për mallin e lëvruar me vlerë prej 9,2 milionë dollarësh amerikanë, ndërkohë që si pasojë e këtyre veprimeve të ish-administratorit Murati, është bërë e pamundur për “Albpetrolin” arkëtimi i kësaj shume. Gjithashtu, nëpërmjet ndryshimit të kushteve të lëvrimit të mallit i është shkaktuar shoqërisë “Albpetrol” sh.a një dëm financiar prej 409,780.66 $ si pasojë e mosfaturimit të vlerës së transportit për kontratën në fjalë. Ish-administratori i shoqërisë “Albetrol” sh.a ka rritur në mënyrë të paargumentuar dhe pa ndjekur procedurat përkatëse numrin e punonjësve të shoqërisë duke shkaktuar një dëm financiar prej rreth 9.050.000 lekëve. Punësimet e reja janë kryer në një kohë kur ligji detyronte shoqërinë “Albpetrol” sh.a të ulte numrin e punonjësve si pasojë e ristrukturimit. Veprimet ngarkojnë me përgjegjësi ish-administratorin e Shoqërisë Ferdinand Murati, pasi për emërimet e reja nuk i është referuar programit dhe nuk ka marrë miratimet përkatëse nga Ministria apo Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë. Në përfundim të kontrollit, “Albpetrol” sh.a arriti në përfundimin se në veprimet e ish-administratorit Ferdinand Murati janë konsumuar elemente të disa veprave penale nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, me dashje, veprime të cilat kanë sjellë dëm konkret në interesat dhe pasurinë e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Këto veprime rrjedhimisht kanë sjellë dëm konkret edhe në interesat e pasurisë shtetërore. Shoqëria “Albpetrol” sh.a do të vazhdojë të kryejë edhe verifikimin e veprimeve dhe procedurave te tjera të kryera nga administrata paraardhëse për të zbuluar të gjitha shkeljet e kryera.

 

 

Elbasan

Tenton të vrasë kolegun në paraburgim, shoqërohet polici Bruçi

Një polic i rolit bazë në paraburgimin e Elbasanit ka kërcënuar se do të vrasë një kolegun e tij, pa dhënë asnjë lloj shpjegimi për shkaqet e kryerjes së këtij veprimi. Çdo gjë ndodhi në harkun kohor të 15 minutave, ndërsa efektivët e policisë kanë mundur ta neutralizojnë në kohë kolegun e tyre. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Institucionin e Paraburgimit në Elbasan, përkatësisht në orën 14:05, në momentin që polici i rolit bazë, Sefer Bruçi, pas marrjes së shërbimit në regjim të jashtëm në vend shërbimin nr. 1, ka marrë në telefon specialistin e informacionit, të cilin e informon se “armën e ka të mbushur dhe se do të qëllonte përgjegjësin e Sigurisë, z. Edmond Alimadhi, apo këdo që do të futet në institucion”. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve, menjëherë u morën masa për neutralizimin e tij, me ndërhyrjen e drejtorit të Paraburgimit Elbasan, ku pas negociatave, punonjësi Bruçi e dorëzoi armën dhe largohet nga vendit i shërbimit. Po sipas të njëjtave burime, nga kontrolli i armës rezultoi se ishte e mbushur. Në këtë institucion kanë shkuar urgjentisht specialistët e SHKBB-së. “E gjithë ngjarja ka ndodhur në harkun kohor të 15 minutave. Në ora 15:18, është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndërsa aktualisht, po kryhen hetimet për të zbardhur arsyet e ngjarjes”, – përfundojnë njoftimin burimet nga burgjet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency