Mesi “zgjedh” Martinon për Barçën

0
143

Përgatiti Altin Vorpsi

Martino ka arritur maksimumin kur drejtoi Paraguain në Botërorin e 2010-ës

Në garë për bankinën e Barçës ishte edhe Luis Enrike

 

Italy v Paraguay: Group F - 2010 FIFA World CupArgjentinasi Gerardo Martino do të drejtojë Barcelonën për tri sezonet e ardhshme. Skuadra katalanase ka zyrtarizuar emrin e teknikut që do t’i besojë skuadrën, pas largimit të Tito Vilanovës për shkaqe shëndetësore.

 Udhëtimi

Vilanova njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i skuadrës ditën e premte. Në deklaratën për mediat, ai tha se i ishte rikthyer tumori dhe se pas këtyre rezultateve të analizave shëndetësore, kishte vendosur tërheqjen për t’iu përkushtuar maksimalisht kurimit. Klubi blaugrana i beson argjentinasit drejtimin e skuadrës pas largimit të papritur të Tito Vilanovës, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Udhëtimi i Andoni Zubizaretës drejt vendit amerikano-jugor duket se është mbyllur me një “Happy End”, me Martinon që tashmë pritet të udhëtojë sot për në Barcelonë për të firmosur një kontratë trevjeçare me kampionët e Spanjës.

Karriera

Martino ka drejtuar Njuells Olld Bois në Argjentinë dhe kombëtaren e Paraguait, por në Evropë është një emër i panjohur. Palët ranë dakord, ndërsa tekniku u largua nga zyrat e katalanasve së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, Elvio Paolorroso dhe Horge Pautaso.

Detajet

Detajet e tjera të kontratës pritet të zbardhen në ditët në vazhdim, ndërsa Martinon e pret një punë e vështirë dhe me përgjegjshmëri: të drejtojë skuadrën e yjeve të tillë si Mesi apo Nejmar. Më parë atij i është dashur që të menaxhojë “yje” si Valdes dhe Santa Kruz.

 Skeda

Cili është “Tata” Martino

Në garë për bankinën e Barçës ishte edhe Luis Enrike. Por dhjetë milionë euro që duhet t’i paguante Barça Selta Vigos për të “liruar” teknikun e ri ishin shumë. Kështu gjithçka foli për “mikun” e Mesit. Themi kështu pasi Gerardo Martino është një mik i afërt i familjes Mesi, sidomos i babait të futbollit, Horges. Kohët e fundit ai ka qenë pranë drejtimit të dy klubeve spanjollë, Real Sociedadit dhe Malagës, por pa arritur që t’i konkretizojë marrëveshjet. Edicionin e fundit, “Tata” (pseudonimi) ka drejtuar Njuells Olld Bojs në Argjentinë, klubin që rriti edhe Lionel Mesin, para se të transferohej tek akademia e Barcelonës. Ndërkohë, për pesë vite Martino ka qenë në krye të Kombëtares së Paraguait. Në karrierën e tij si trajner, 50-vjeçari ka fituar tri tituj kampion në Paraguai me skuadrën e Libertadit. Ai praktikon një stil loje tepër të ngjashëm me atë të katalanasve, duke preferuar futbollistët e shpejtë në sulm dhe një mesfushë të përbërë nga lojtarë me teknikë dhe aftësi organizuese. Gjithsesi, nuk kanë munguar edhe kritikat për mundësinë që ai të emërohet në krye të gjigantëve iberikë, duke u cilësuar si pa eksperiencën e duhur dhe si një tregues i qartë i ndikimit të madh që ka Mesi në vendimet e klubit.

Skeda

Gerardo Martino

Ditëlindja: 20 nëntor 1962

Vendlindja: Rozario, Argjentinë

Karriera si trajner

1998   Braun de Arrecifed

1999   Platense

2000   Instituto

2002-03         Libertad

2003-04         Cerro Portenjo

2005   Kolon

2005-06         Libertad

2006-11         Paraguai

2012-13         Njuells Old Bojs

 

 

Japonezi

Kagava bën hapa prapa: Nuk jam penduar që lashë Borusian

Shinji Kagava nuk është penduar që zgjodhi Junajtidin dhe nuk ishte në “Uembli” në finalen e Champions-it me Dortmundin. Pasi tha për mediat japoneze se një ditë do të rikthehej sërish tek ish-klubi i tij, fantazisti sqaroi në konferencën e djeshme për shtyp se nuk e kishte problem që të mos luante si numër “10” në “Old Trafford” (u aktivizua në krah të majtë). Japonezi vuajti edhe një dëmtim të rëndë në gju, që e la jashtë fushe për 2 muaj. “Unë isha krenar që e pashë Dortmundin në finalen e Champions-it, por nuk ndjeva se bëra zgjedhjen e gabuar. Përkundrazi, në Mançester ndihem pjesë e rëndësishme e ekipit. Jam takuar me Mojesin për herë të parë këtu në Japoni dhe folëm gjatë rrugës në konferencë. Mezi pres të stërvitem nën urdhrat e tij”, – tha 24-vjeçari. Mojes nuk i kurseu fjalët e mira. “Duhet të njihemi akoma më mirë, por Fergi më ka thënë se është një yll”, – theksoi trajneri.

 

Superoferta

Mojes konfirmon ofertën për Fabregasin

Dejvid Mojes ka zyrtarizuar një tjetër ofertë për Fabregasin. Menaxheri i Junajtidit tha gjatë një konference për shtyp në Japoni se shefi ekzekutiv, Ed Uduard, është në negociata me Barcelonën dhe se nuk ka marrë ende përgjigje për ofertën e përmirësuar për mesfushorin. “Djajve” iu refuzuan 30 milionë euro për ish-kapitenin e Arsenalit pak ditë më parë, por e rritën ofertën në 35 milionë euro plus bonuset. Klubi i garantoi lojtarit një rrogë prej 11 milionë eurosh në sezon, dyfishin e asaj që përfiton në “Kamp Nou”. “Me sa di unë, Ed ka marrë një përgjigje negative nga Barcelona dhe bëri një ofertë të dytë. Të transferosh lojtarë të mirë, duhet pak kohë për t’u materializuar. Shefi ekzekutiv po punon për këtë dhe të shpresojmë që gjërat të mbyllen me sukses. E kuptoj shqetësimin e tifozëve për blerje, por në këto momente mund t’ju them vetëm se po punojmë”.

 

“Llogaritari”

Murinjo sulmon sërish “djajtë”: Ronaldo nuk rikthehet tek ju

Për të qenë antipakti pranon që të bëhet “special”, “kumbar” dhe “llogaritar”. Hoze Murinjo është rikthyer fuqishëm në skenën e futbollit anglez, pasi ka vendosur që të fitojë jo vetëm në fushë, por edhe në sallat e konferencave. Dje ai vazhdoi duelin në distancë me Devid Mojesin, teksa i përjashtoi “djajtë” nga dueli për të firmosur me ish-yllin e tyre, Kristiano Ronaldo. Sulmuesi i Realit është shprehur se i mungon Junajtidi dhe klubi është gati ta joshë të rikthehet. Por sipas ish-trajnerit të tij, ai pritet të rinovojë në “Bernabeu”. “Ajo që unë di, është që Reali i Madridit është një klub aq i pasur sa nuk ka nevojë të shesë. Ata janë aq të pasur sa unë mendoj që mund të refuzojnë çdo ofertë për Ronaldon. E di që Kristiano e do shumë Mançester Junajtidin dhe Premier Ligën, por ai do të qëndrojë në Spanjë. Është thjesht një ndjesi imja, nuk kam folur me të”, – tha trajneri portugez. Murinjo i kaloi 3 vitet e fundit si trajneri i 28-vjeçarit, ndërsa së bashku fituan titullin në vitin 2012. Ata përfaqësohen ligjërisht nga i njëjti menaxher, Horge Mendez. Ronaldo ka edhe dy vite kontratë në Madrid. Por ashtu si ish-trajneri i Realit, edhe Ançeloti e ka përjashtuar mundësinë që CR7 të lërë klubin madrilen. “Është lojtari më i rëndësishëm i klubit, nuk do të shkojë te Junajtidi. Shpresoj të rinovojë së shpejti”, – tha trajneri pasi ylli i tij shënoi një dopietë në miqësoren e parë të sezonit ndaj Bournemauthit. Gjatë verës ka pasur takime mes Mendezit dhe ish-shefit ekzekutiv të Junajtid, Devid Xhill. Për Ronaldon milionerët e Monakos dhe PSG-së janë gati të bëjnë çmenduri. Mendez ka transferuar disa nga klientët e tij te Monako këtë verë, përfshirë Radamel Falkaon, Zhoao Mutinjon, Xhejms Rodrigezin dhe Rikardo Karvajon. Ndërsa presidenti i PSG-së, Naser Al-Khelaifi, mund të përpiqet të shfrytëzojë miqësinë e tij me homologun e Realit, Florentino Perez: “Me Perezin gëzoj një marrëdhënie të ngushtë. Nëse dua që të përmbush ëndrrën time për të firmosur me Realin, mjafton t’i telefonoj”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency