Rishpërndarja e mandateve, opozita e quan të ligjshme kërkesën për informacione nga MB

0
128

Florenc Drizari

Bledar Çuçi: Të dhënat e kërkuara nuk përbëjnë të dhëna personale, ato janë të dhëna të përgjithshme

 

Partia Socialiste vazhdon ta quajë të ligjshme kërkesën e saj për informacione shtesë nga Ministria e Brendshme, edhe pse kjo e fundit në përgjigjen e shkresës së parë ndaj përfaqësuesve të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sqaroi se të dhënat janë dorëzuar në KQZ në bazë të kodit dhe të ligjeve në fuqi. Por nga ana e tij, Bledar Çuçi, nënsekretari i socialistëve për çështjet zgjedhore, argumenton se ligji për të dhënat personale parashikon që nuk mund të publikohen të dhëna, si feja, gjendja ekonomike e sociale, të dhëna që Partia Socialiste nuk i kërkon. Ndërkohë, mos votimi me shumicë votash i projektvendimit për ndarjen e mandateve pak ditë më parë në KQZ, duket se ka futur në ngërç këtë proces gjatë së cilës mazhoranca pritet ti drejtohet Kolegjit Zgjedhor dhe opozita, rikërkon të dhëna shtesë nga Ministria e Brendshme për lëvizjet e popullsisë Qarkun e Kukësit.

Bledar Çuçi

Për përfaqësuesin socialist kërkesa e opozitës është e qartë dhe ligjore, të jepen emrat e personave që kanë shkuar në banojnë në 4 komunat e Kukësit. “Ministria e Brendshme në fakt është në një pozitë joligjore. Ligji për Gjendjen Civile e shpreh qartë detyrimin që ka Ministria e Brendshme për tu dhënë informacion institucioneve të cilat kërkojnë këto të dhëna. Nuk është aspak e vërtetë që të dhënat që kanë kërkuar anëtarët e KQZ-së, por dhe përfaqësuesi ynë në KQZ, nuk përbëjnë të dhëna personale. Ato janë të dhëna të përgjithshme që kanë të bëjnë me emër mbiemër dhe me të dhënat se nga kanë lëvizur këta shtetas dhe si kanë shkuar”, – deklaroi Çuçi.

Por nënsekretari socialist Bledar Çuçi, sqaron se refuzimi që Ministria e Brendshme kërkesave të opozitës, tregon qartë se edhe për këtë çështje ka prova evidente se shtimi i popullsisë në zonat e thella të Kukësit është jo real. “Të paktën qeveria duhet të bëjë transparencë për sa i përket lëvizjes së këtyre personale. Janë rreth 400-500 persona që kanë shkuar në zona të thella malore në Kukës për të banuar këto 3 muaj,. Nuk janë lëvizje normale demografike të popullsisë. drejtimi i lëvizjes demografike është nga zonat malore drejt Ultësirës perëndimore në Shqipëri”, – tha Çuçi. Gjithashtu nënsekretari socialist ngre edhe shqetësimin në lidhje me aplikimin e teknologjisë në procesin zgjedhor të 2013-ës. Sipas tij, përgjegjësja kryesore për vonesën është mazhoranca, që jo vetëm nuk po shtyn këtë proces, por po e vonon qëllimisht alokimin e fondeve. “Nëse brenda muajit janar nuk do të kemi gati makineritë, atëherë aplikimi i teknologjisë mund të quhet një dështim”, – përfundoi nënsekretar socialist për çështjet zgjedhore, Bledar Çuçi.

Ngërçi

Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës në komisionin Qendror të Zgjedhjeve nisi javën mesjavën e kaluar kur përfaqësuesi sociali Genc Gjoncaj publikoi disa të dhëna ku sipas tij, evidentoheshin lëvizje të dyshimta të popullsisë në katër Komuna të Qarkut të Kukësit. Kjo bëri që përfaqësuesit e opozitës në KQZ të ngrinin dyshime mbi vërtetësinë e informacioneve të dërguara nga Ministria e Brendshme nëpërmjet Zyrës së Gjendjes Civile, gjë që më pas u shoqërua edhe me mos votimin e projektvendimit për shpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e vitit 2013 nga komisioni më i lartë zgjedhor. Opozita nuk mori pjesë as në votimin në parim të këtij projektvendimi, ndërkohë që me katër votat e mazhorancës, drafti nuk quhet i miratuar për faktin se kërkon shumicë votash. Aktualisht procesi ka ngecur dhe përfaqësuesit e djathtë në KQZ, kanë argumentuar se do ta çojnë çështjen për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë.

 

“Ministria e Brendshme në fakt është në një pozitë joligjore. Ligji për Gjendjen Civile e shpreh qartë detyrimin që ka Ministria e Brendshme për t’u dhënë informacion institucioneve të cilat kërkojnë këto të dhëna..”

 

Letra e tre anëtarëve të KQZ-së drejtuar Ministrisë së Brendshme

Anëtarët e KQZ-së, Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani në letrën e tyre të bërë dy ditë më parë kërkojnë nga Ministria e Brendshme informacion mbi lëvizjen e popullsisë në 4 komuna të qarkut të Kukësit, Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë. “Ripërsërisim kërkesën tonë për informacion, në lidhje me: Si është shtuar numri i popullsisë për muajt qershor – nëntor për komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë, të qarkut Kukës. Kush janë këta persona, si dhe cili është dokumentacioni shoqërues që ata kanë paraqitur pranë njësive përkatëse vendore sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 1243, datë 11.12.2009, e konkretisht: kërkesën me shkrim të tyre, dokumentacionin e pronësisë së banesës ose kontratat e qiramarrjes, fotokopje të letërnjoftimit të çdo personi madhor, dhe nga cilat njësi të pushtetit vendor janë transferuar këta shtetas” thuhet në letrën e tre anëtarëve të opozitës në KQZ. Lidhur me përgjigjen që Ministria e Brendshme i ktheu letrës së parë, anëtarët socialist shkruajnë se “kërkesa për informacion ishte absolutisht e kufizuar në vetëm 4 komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë, të qarkut Kukës dhe se neni 6 i ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cituar nga kjo ministri në shkresën e parë, shpjegon gjithashtu se këto të dhëna lejohen të përpunohen për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik, gjë që sipas tyre, ata janë të legjitimuar në ushtrimin e funksionit të detyrës për kontrollin e procesit parazgjedhor, siç është edhe ndarja e mandateve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency