Në modë edhe shtatzënë, cilat janë veshjet e duhura

0
183

Deri vonë mundësitë e zgjedhjes kanë qenë të kufizuara, por tani edhe në tregun tonë ka spektër të gjerë zgjedhjeje për shtatzëna. Veshjet e kësaj periudhe mbi të gjitha rekomandohen të jenë të rehatshme dhe elastike

 

Shtatzënia është faza më delikate në jetën e secilës grua. Femrat shtatzëna bëhen të ndjeshme, ato i përjetojnë gjërat në një formë më ndryshe. Ndonëse në këtë fazë intensiteti i kujdesit ndaj pamjes dhe vetes bie, psikologët këshillojnë që gratë duhet ta inkurajojnë veten që ta shtojnë vëmendjen rreth paraqitjes së jashtme, pasi kujdesi në këtë pikë e bën më të lehtë dhe më të bukur procesin dhe gruan që është duke kaluar nëpër të.

Rrobat

Përjashtoni gjërat strikte dhe që shtrëngojnë, pasi me to pengoni qarkullimin e mirë të gjakut, gjë që sjell probleme te ju dhe bebi juaj. Një zgjedhje e mirë janë bluzat me “strech”, si për shembull ato të “Boy Friend Jeans” që janë shumë në modë dhe bëjnë të ndjeheni rehat e komod. Sa u përket zgjedhjes mes fustaneve dhe pantallonave, këshillat e botës së modës janë të orientuara më shumë nga pantallonat e dedikuara për shtatzëna. Pantallonat me “shtesë” rrinë bukur, i japin barkut formë të mirë dhe e mbrojnë atë. Pantallonat kombinohen lehtë me bluza me figura, xhupa, jelekë etj. Getat po ashtu janë zgjedhje e mirë. Getat mund t’i kombinoni me bluza të gjata dhe sako të shkurtra. Çizmet le të jenë të gjata dhe të sheshta, po ashtu edhe këpucët. Edhe fustanet mund t’i fusni në listë, por kujdes me modelet, pasi ka fustane që e vënë shumë në pah shtimin e peshës. Materialet e trasha dhe prerjet e drejta nuk janë zgjidhje ideale. Tani në dimër, fustanet le të jenë deri lart ose poshtë gjurit. Ngjyrat e mbyllura janë trend dhe ndihmojnë në “fshehjen” e shtimit në peshë. Ngjyra e zezë le të jetë baza, të cilën mund ta kombinoni me ngjyrë gështenje dhe karamel, e kombinuar me të purpurt, portokalli, të kuqe dhe tone të gjalla të ngjyrës së arit.

Kujdes!

Diskutimet për atë se a duhet të visheni në mënyrë elegante, apo sportive, s’kanë fund. Përcaktimin final shpesh e bën vendi se ku do të shkoni. Nëse jeni në punë, atëherë duhet që pamja juaj të ketë tone elegante. Pantallona, ndonjë këmishë e gjerë dhe një jelek (jo fortë i trashë) bëjnë punë. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia e veshjes së fustaneve të ndara në mes. Pjesa e lartë më e ngushtë dhe pjesa e poshtme më e gjerë. Fustanet mund t’i kombinoni me ndonjë jelek të shkurtë ose edhe me ndonjë shall me përmasa të mëdha, i cili mund t’ju bëjë më atraktive dhe të fshehë ndonjë gjë aty-këtu. Nëse ju jeni tip sportiv dhe puna juaj nuk ka kode e norma të veshjes, atëherë bëjnë edhe duksat që mund të kombinohen me xhinse. Tani, ka edhe duksa të gjatë, me figura, që ju japin pamje të freskët dhe moderne. Duksat dhe bluzat sportive mund të mos jenë për shtatzëna, por të të masës së madhe që ju bëjnë dhe ju nxjerrin mirë.

Rrobaqepëset

Nëse keni ndonjë rast më special, atëherë dizajneret janë zgjedhja e duhur. Ndonjë ide kreative do t’ju bënte shtatzënën më të bukur të ditës apo mbrëmjes. Prej kohësh shtatzënat kanë qepur gjëra, traditë kjo e lënë pak pas dore, por së cilës ju mund t’i ktheheni në mënyrë që të keni diçka unike dhe të pangatërrueshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency