Ferdinand Poni për zgjedhjet e 2013-ës, një qendër votimi për 1000 zgjedhës

0
147

Edhe pse procesi zgjedhor ka hasur në ngërç për shkak të mungesës së konsensusit mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës në KQZ për ndarjen e mandateve, strukturat e Ministrisë së Brendshme kanë filluar punën për garantimin e një procesi zgjedhor brenda standardeve. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni deklaroi se asnjë qendër votimi nuk do të ketë më shumë se një mijë zgjedhës dhe më pak se dy qind. Sipas tij përjashtim në këtë rast do të përbëjë vetëm kryeqyteti, i cili për shkak të rregullave që përcaktohen edhe në kodin e ri zgjedhor për identifikimin e zgjedhësve, do të kenë një numër më të kufizuar votuesish për çdo qendër votimi. Zv/ ministri Poni kërkon edhe bashkëpunimin e të zgjedhurve vendor për këtë çështje. “Nuk do ketë më qendra votimi nën 200 zgjedhës dhe nuk do ketë qendra votimi mbi 1000 zgjedhës. Ndërsa për Tiranën për shkak të identifikimit nëpërmjet dokumenteve të identitetit qendrat e votimit nuk do të jenë më të mëdha se 700 zgjedhës. Këto detyra bëhen me të zgjedhurit vendorë. Ata duhet ta përditësojnë atë dhe ta kenë të gatshëm në afatet që Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përcakton”, – tha Poni. Ndërkohë në listën e zgjedhësve janë shtuar filtrat për kapjen e dublimeve. Poni shprehet se për procedurat që do të ndiqen për heqjen e dublimeve të mundshme është edhe dakordësia e ekspertëve të Partisë Socialiste. “Jemi përpjekur të kemi një filtër shumë rigoroz për gjetjen e dublimeve. Kemi shtuar kriteret e kapjes. Këtë punë po e bëjmë së bashku”, – tha Poni në një prononcim për AS. Konfirmimi i datës zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve pret tashmë vetëm dekretin e presidentit të republikës, i cili ka lënë të kuptohet se kjo datë do të jetë 23 qershori i ardhshëm për shkak edhe të dakordësisë së forcave politike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency