Lista e rimbursushme shkon në farmaci, 19 ilaçet e reja për diabet, epilepsi, leucemi

0
197

Blerta Mrishaj

farmaciFondi që do të përdoret nga ISKSH-ja për rimbursimin e barnave këtë vit pritet të shkojë në 8.4 miliardë lekë (të reja), pra rreth 500 milionë lekë më shumë se një vit më parë

 

Prej ditës së premte në të gjitha farmacitë e vendit gjenden 19 ilaçet e reja të rimbursueshme. Lista e re e hyrë në fuqi që prej 1 marsit, bënë të mundur përfitimin e ilaçeve për një sërë kategorish, teksa këtë vit janë shtuar edhe disa të rinj si diabetikët, epileptikët, leucemikët dhe të sëmurët me insuficenë renale kronike. Lista e re e barnave te rimbursueshme për vitin 2013 është pasuruar me 19 barna te reja, ku përfshihen 13 formëdoza të reja të barnave të listës si dhe 6 principe aktive të reja. Këto barna shërbejnë për trajtimin e leucemisë, diabetit, reumatizmës, insuficencës renale, epilepsisë rezistente ndaj mjekimeve të tjera, anemisë të fëmijët, për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare etj, duke e çuar në 426 numrin e barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2013.

Përfituesit

Me anë të kësaj liste përfitojnë rimbursim me barna mjaft të shtrenjta siç është rasti i pacientëve që vuajnë nga leucemia, kosto mujore e trajtimit të një pacienti të vetëm, shkon në 382.000 lekë të reja/muaj. Trajtimi i formave të anemisë nga Insuficienca renale kronike – që sot kryhet për 600 pacientë që bëjnë dializë, nga 50 pacientë që trajtoheshin në vitin 2005. Kostoja e çdo pacienti vetëm për barnat që rimbursojmë shkon në 74.000 lekë të reja në muaj. Dhe sigurisht kategoritë më në fokus janë ajo e pensionistëve dhe veteranëve, të cilët mbulohen 100% nga lista e barnave të rimbursueshme. Bëhet fjalë për mbi 250 mijë persona, që trajtohen çdo muaj me barna cilësore që kurojnë sëmundjet e zemrës, tensionit, diabetit etj për të cilët shkojnë 80% e fondeve të rimbursimit ose 6.4 miliardë lekë në vit. Duhet theksuar se, nisur nga disa masa të qeverisë për aplikimin e çmimeve të referencës, këtë vit u bë e mundur që çmimet e disa grup-barnash të ulen, duke rritur në këtë mënyrë përfitimet për pacientët nga lista e rimbursimit. Grupet që kanë më shumë ulje janë barnat që trajtojnë pacientë me organe të transplantuara, barnat që trajtojnë aneminë, sëmundjet kronike nervore, diabetin, sëmundjet kronike të zemrës etj.

Fondi

Falë rritjes së fondit për barnat e rimbursueshme me një mbështetje të vazhdueshme të qeverisë, është bërë e mundur që skema të zgjerohet vit pas viti, jo vetëm me barna të reja, por me rritjen e popullatës përfituese. Kështu, që nga viti 2005 deri më sot janë shtuar 159 barna të reja dhe 413 alternativa barnash duke e çuar listën e barnave të rimbursueshme në 426 barna dhe 1135 alternativa barnash. Fondi që do të përdoret nga ISKSH-ja për rimbursimin e barnave këtë vit pritet të shkojë në 8.4 miliardë lekë (të reja), pra rreth 500 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Ky fond është 2.5 herë më i lartë se fondi i shpenzuar për listën e barnave në vitin 2006, kur për barnat shpenzoheshin 3.4 miliardë lekë.

 

 

Rasti

Shërohet foshnja e parë me virusin HIV

Mjekët në Shtetet e Bashkuara thonë se një fëmijë e lindur me virusin HIV, që shkakton SIDA-n, duket se është kuruar pasi u trajtua që në fillim me medikamentet standarde. Vajza dy vjeçare nga shteti jugor i Misisipit u trajtua me tri ilaçe standarde kundër HIV-it që 30 orë pas lindjes. Mjekët thonë se ajo është “funksionalisht e shëruar”, që do të thotë se virusi nuk mund të konstatohet me analizat standarde dhe mjekimi nuk është i nevojshëm gjatë gjithë jetës së saj. Kjo është hera e parë që një foshnjë arrin të shërohet në mënyrë funksionale.

 

Hetim

Plasin vjedhjet në farmaci, më pas ilaçet shiten në treg të zi

Përgjatë një viti, 17 farmaci janë vjedhur, prej të cilave 7 gjenden në Tiranë. Sipas denoncimit të presidentit të Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, situata është shqetësuese, pasi në këto raste ilaçet më pas rezultojnë të shitura në tregun e zi. Jaupllari theksoi se “të gjitha rastet janë denoncuar nga vetë farmacistët në organet e policisë, por deri më sot, sipas informacioneve që disponojmë, nuk na rezulton të jetë zbuluar asnjë rast i “kusarisë” ndaj farmacive. Sipas tij, qëllimi i këtyre akteve është paraja, por dhe malli që shitet për të fituar paratë. “Problemi qëndron se barnat nuk janë thjesht një mall i zakonshëm që shiten si ushqimet, frutat apo perimet. Barnat mbartin një rrezik të madh për popullatën, kur janë në dorën e jo profesionistëve dhe aq më keq pastaj në dorën e kusarëve”, – tha Jaupllari, duke shtuar se rrugët e shitjes së paligjshme të këtyre barnave janë importuesit ose shpërndarësit e barnave, farmacitë dhe populli. Rreziku, sipas tij, qëndron në faktin se pas vjedhjes e deri sa ta shiten nuk respektohet asnjë kusht i ruajtjes së barnave, në këtë mënyrë ky kontigjent është i pasigurt për t’u përdorur. Duke paralajmëruar për shtimin e këtij fenomeni dhe rrezikun e shitjes së këtyre barnave tek qytetarët, Jaupllari u bëri thirrje organeve të drejtësisë të vlerësojnë këtë fenomen jo thjesht si një vjedhje e ndodhur rëndom, por si një krim me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të këtyre barnave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency