Shtyhet gjyqi, Xhakja mund të kërkojë gjykim të shkurtuar

0
148

Sonja Caka

xhakjaPretendimi nga avokati Nuraj, pamundësi për paraqitje kërkesë pa u konsultuar me klientin

 

Ilir Xhakja mund të bëjë një tentativë për t’i shpëtuar burgimit përjetë, duke i kërkuar gjykatës aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Sipas avokatit të tij, Andi Duraj, është i detyruar të kërkojë shtyrjen e gjyqit me arsyetimin se për të vendosur për gjykimin e shkurtuar, në seancë duhet të jetë i pranishëm edhe vetë Ilir Xhakja. Gjithashtu, gjatë seancës, avokati Duraj parashtroi edhe një kërkesë të dytë, duke kërkuar edhe largimin e dy anëtarëve të trupit gjykues Nertina Kosova dhe Etleva Deda, me pretendimin se ato kanë qenë pjesë e një procesi të mëparshëm ndaj Ilir Xhakes. Seanca u shty për javën e ardhshme, ndërsa lidhur me kërkesën për largimin nga trupi gjykues i dy gjyqtareve do të vendoset në ditët në vijim. Përmes kërkesës për gjykim të shkurtuar, i pandehuri kërkon t’i shpëtojë burgimit përjetë. Do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo këtë kërkesë, nëse do të parashtrohet në seancën e radhës.

Seanca

Pas fillimit të seancës gjyqësore, avokati i të pandehurit Ilir Xhakja deklaroi se nuk mund të zhvillohet seanca pa praninë e klientit të tij, pasi për kërkesat e tij ndaj gjykatës duhet të konsultohet me të. Avokati Nuraj parashikon të kërkojë gjykim të shkurtuar për klientin e tij ilir Xhakja, me pretendimin se aktet mund të zgjidhen në gjendjen që janë dhe se i pandehuri e ka pranuar akuzën. Por, ky shkak i shtyrjes së seancës u quajt i padrejtë nga gjykata dhe për këtë arsye, bazuar ne nenin 265/1/a të Kodit të Procedurës Penale vendosi të bëjë pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurin e paraburgosur. Sipas gjykatës, avokati ka pasur të gjithë kohën dhe mundësitë të kontaktojë që më parë me të pandehurin që ka në mbrojtje për të zgjedhur dhe llojin e gjykimit, e cila u bë dhe shkak për ngritjen e kërkesës për shtyrje seance nga mbrojtja.

Akuza

I pandehuri Ilir Xhakja akuzohet për “Vrasje në rrethana cilësuese” të kryekomisar Adem Tahirajt, baba i tre fëmijëve, ngjarje e ndodhur më 13 shtator 2012, gjatë një aksioni policor në Katund Sukth. Autori u arrestua pas disa orë kërkimesh dhe pranoi krimin. Ndërkohë që, kjo është çështja e parë, pasi Xhakja është duke u rigjykuar për një ngjarje të vjetër në Gjykatën e Durrësit. Pas ngjarjes së rëndë të Shijakut, u rihap çështja për vrasjen e Qerim Malokut, vrasje kjo e ndodhur në vitin 1998 në Katund Sukth dhe dolën në pah shkeljet e rënda procedurale të gjyqtarit Neritan Tabaku. Më herët, ky gjyqtar i kishte dhënë pafajësinë për vrasjen e Malokut këtij të pandehuri, ndërkohë që për afro 9 muaj, ky vendim nuk u zbardh nga Neritan Tabaku, për të cilin nisi procedimi penal dhe tashmë ndodhet nën gjykim për “Shpërdorim detyre”.

 

Marrëveshja

Transferimi i të dënuarve, ministri Halimi takon ambasadorin Cannon

Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, priti dje në një takim pune ambasadorin britanik z. Nicholas Cannon, me të cilin bisedoi rreth disa projekteve dhe detyra të përbashkëta që do të  realizohen gjatë këtij viti mes dy vendeve. Në qendër të bisedimeve ishte zbatimi i marrëveshjes bilaterale për transferimin e personave të dënuar, e cila u firmos nga ministri Halimi dhe homologu i tij britanik, z. Jeremy Wright dy javë më parë në Londër. Nënshkrimi kësaj marrëveshje, siç theksoi edhe ambasadori britanik në fjalën e tij është tregues i intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në fushën e drejtësisë. Ajo krijon lehtësi për personat e dënuar në të dyja shtetet për vuajtjen e dënimit në vendin e origjinës. Zbatimi i saj, sipas ministrit Halimi, do të nisë menjëherë pas përfundimit të procedurave të brendshme në të dy vendet për hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Këto procedura kërkojnë të paktën 2 muaj kohë. Ndërkohë ministri Halimi me qëllim zbatimin model të saj ka propozuar ngritjen e task-force, e cila do të përcaktojë modalitetet e bashkëpunimit. Ngritja e task-forcës së përbashkët u konsideruar e rëndësishme edhe për Ambasadorin britanik, i cili e cilësoi “si mënyra më e mirë për të operuar me efiçencë në drejtimin të zbatimit të marrëveshjes bilaterale”. Më tej biseda u përqendrua rreth disa propozimeve të ministrit Halimi të cilat kanë si synim vazhdimin e asistencës teknike në shërbimin e provës me trajnimin të eksperteve që do të punojnë për zbatimin e mbikëqyrjes elektronike; trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përgatitja e tyre për zbatimin e akteve të marrëveshjes së transferimit ; sigurimin e asistencës teknike në privatizimin e burgjeve të sigurisë së ulët, privatizimin e shërbimeve të caktuara në sistemin e burgjeve si dhe në drejtim të ngritjes së kapacitete monitoruese në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve. Ambasadori Cannon shprehu mbështetjen e tij dhe qeverisë britanike për propozimet e ministrit Halimi duke vlerësuar se reformat e shpallura janë një mundësi e mirë për uljen e kostove financiare, përmirësimin e trajtimit të të dënuarve dhe modernizimin e mekanizmave kontrollues në shërbimin e burgjeve. Ambasadori shprehu mbështetjen pa rezervave të propozimeve të ministrit duke i konsideruar ato si prioritare për sistemin e drejtësisë ndërsa ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi gjeti rastin ta falënderojë atë për ndihmën e pakursyer britanike në këtë drejtim.

 

 

Vendimi

Gjykata urdhëron Përmbarimin: Të ekzekutohet vendimi i gjykatës ndaj deputetit Tahiri

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar shërbimin përmbarimor të ekzekutojë vendimin e dhënë nga gjykata ndaj deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, i cili duhet të dëmshpërblejë në shumën 5 milionë lekë Argita Malltezin dhe Shkëlzen Berishën. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku, pas kërkesës së Malltezit dhe Berishës për lëshimin e urdhër-ekzekutimit. Sipas vendimit të gjyqtarit Çeliku, vendimi i Apelit, i cili ka lënë pjesërisht në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duhet të nisë ekzekutimin e menjëhershëm dhe mësohet se Përmbarimi që dje ka bërë përpjekjen e parë për ta ekzekutuar. Sipas vendimit të gjykatës, vërehet se kërkuesit Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, përfaqësuar me prokurë nga av. Sokol Barçi i janë drejtuar Gjykatës sipas objektit të kërkesës, për ekzekutim të vendimit gjyqësor. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin civil nr. 7755, dt. 10.10.2011, ka vendosur: “Pranimin pjesërisht të padisë, si dhe detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri t’i shpërblejë palës paditëse Argita Malltezi dëmin jopasuror në shumën prej 2.5 milionë lekë. Gjithashtu, edhe detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri t’i shpërblejë palës paditëse Shkëlzen Berisha dëmin jopasuror në shumën prej 2.5 milionë lekë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur”. Më tej, gjykata saktëson në vendim se “vendimi i mësipërm është ankimuar në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 3011, datë 21.12.2012 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 6538, dt. 25.6.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me këtë ndryshim: Detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri për dëmshpërblimin e paditëse Argita Malltezi në shumën 1.000.000 lekë, si dhe detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri të dëmshpërblejë paditësin Shkëlzen Berisha në shumën 1.000.000 leke”. Në këto kushte, sipas gjyqtarit Çeliku, ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe në bazë të nenit 511 të Kodit të Procedurës Civile duhet lëshuar urdhri i ekzekutimit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency