Shpërthen bombola e gazit, dy të moshuara përplasen në mur

0
142

Elton Qyno

bomblaNgjarja në Kombinat, shkak mendohet se ka qenë rrjedhja e gazit në momentin e montimit të bombolës

 

Shpërthimi i një bombole gazi ka sjellë plagosjen e dy të moshuarave në Tiranë. Ngjarja e rëndë është regjistruar në zonën e Kombinatit, shumë pranë shkollës “Myslym Keta”, ku në orët e paradites është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm që ka sjellë plagosjen e rëndë të dy të banoreve të shtëpisë. Mësohet se bombola sapo ishte mbushur me gaz dhe ishte montuar nga dy të moshuarat, të cilat, pasi e kanë instaluar në furnelën e gazit, e kanë ndezur këtë të fundit, duke përgatitur gatimin e drekës, dhe njëherësh ngrohur. Mirëpo pas disa minutash brenda në shtëpinë private është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, i cili ka shkaktuar dëme të shumta në banesë si dhe plagosjen e dy grave të moshuara, të cilat janë përplasur në murre. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë dhe shërbimet zjarrfikëse për shpërthimin e fuqishëm, duke bërë të mundur më pas nxjerrjen e dy të moshuarave nga banesa dhe transportimin e tyre në drejtim të Spitalit Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore. Por pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore nga bluzat e bardha, shëndeti i dy të moshuarave është përmirësuar ndjeshëm dhe sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, tashmë ato kanë dalë jashtë rrezikut për jetën.

 

Shuarja e zjarrit

Kanë qenë shërbimet zjarrfikëse ato që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit. Sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes shërbimet zjarrfikëse kanë arritur të venë nën kontroll flakët brenda banesës private dhe më pas të hyjnë brenda saj, duke bërë të mundur dhe nxjerrjen e trupave të dy të moshuarave. Nisur nga kjo situatë sipas punonjësve të policisë zjarrfikëse,në banesë ka pasur shumë dëme por ajo që për ta ishte më e rëndësishme ishte shpëtimi i jetës së dy të moshuarave. Nga verifikimi i rrethanave që sollën shpërthimin e fuqishëm, policia zjarrfikëse doli në përfundimin se shpërthimi është provokuar nga rrjedhja e gazit dhe se prej disa minutash, dy të moshuarat nuk e kanë ndier erën e rëndë të gazit, gjë e cila më pas solli dhe shpërthimin e fuqishëm.

Dëmet në banesë

Për shkak të shpërthimit të fuqishëm, në banesë janë regjistruar shumë dëme materiale, pasi veç atyre të brendshme, janë thyer edhe dritaret e shtëpisë private. Ndërkohë të gjitha orenditë e banesës janë shkatërruar dhe se një pjesë e tyre është djegur plotësisht. Dy të moshuarat në momentin e shpërthimit ishin vetëm në banesë, pasi të gjithë anëtarët e tjerë të familjes kishin dalë për në punë. Vitin e kaluar shumë afër me vendin se ku ndodhi ngjarja e djeshme, është gjetur e vdekur një grua e cila ishte djegur tërësisht nga zjarri që kishte rënë në banesën e saj, në katin e tretë të një pallati. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe shuarja e plotë e flakëve të zjarrit.

 

Elbasan, tenton të vjedhë kabujt, e kap korrenti

Një 18-vjeçar ka tentuar të vjedhë kabuj elektrik në një nënstacion, por ka rënë në masë duke u djegur në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas policisë së Elbasanit, Sazan Alla, nga fshati Bradashesh i Elbasanit kishte shkuar në nënstacionin elektrik Bradashesh-Elbasan duke prerë kabujt elektrikë. Ai u dërgua në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë për mjekim të specializuar, ndërsa është nën mbikëqyrjen e efektivëve të policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një palë gërshërë të mëdha, një palë pinca, sende të cilat i ka përdorur për të prerë kabuj elektrikë si dhe u sekuestrua dhe një sasi kabulli elektrik.

 

Lushnjë, grabitet pika e basteve sportive

Një pikë e basteve sportive në qytetit e Lushnjës u boshatis e tëra, ndërsa hajdutët morën çfarë gjetën aty. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skënder Libohova” dhe sipas policisë, hajdutët kanë hyrë brenda duke prerë qepenat dhe kanë marrë 11 plazma dhe disa kompjutera. Vjedhjet në dyqaneve të basteve në qytetin e Lushnjës janë gjithnjë në rritje, pasi plazmat janë mjaft të kërkuara nga hajdutet. Lidhur me këtë ngjarje policia e Lushnjës ka nisur hetimet me qëllim identifikimin e autorëve të grabitjes, por edhe pas shoqërimit të disa prej të dyshuarve, deri në orët e vona të ditës së djeshme asnjë person nuk është arrestuar për këtë ngjarje. Në pyetje janë marrë disa persona përfshirë këtu edhe pronarin e pikës së basteve, i cili ka treguar se nuk ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur vjedhja.

 

 

Bllokimi i rrugës në Tepelenë

Rrëshqitja e dherave, ende vështirësi

për kalimin e udhëtarëve në aksin jugor

 

Vazhdon pastrimi për largimin e masivit të dheut në segmentin nacional Tepelenë-Gjirokastër. Edhe pse kanë kaluar dhjetë ditë, rruga kalohet me vështirësi, për shkak të baltës dhe të gurëve. Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve janë përqendruar me shërbime 24 orë dhe po merren me sistemimin e faqes së malit për të mos pasur me shembje. Aktualisht janë pesë mjete që përveçse po merren me largimin e baltës dhe sistemimin e malit, mbajnë në monitorim qarkullimin. Dhjetë ditë më parë nga faqja e malit u shemben afro 9 mijë metra kub dheu, çka bëri që qarkullimi të bllokohej për 15 orë. Nisur nga kjo situatë, Drejtoria Rajonale e Rrugëve njoftoi të gjithë qytetarët që kërkonin të udhëtonin në drejtim të Sarandës por edhe Gjirokastrës, të kalonin nga aksi rrugor i Vlorës. Mirëpo kohët e fundit edhe ky segment rrugor ka shfaqur probleme pasi në zonën e Borshit, një pjesë e rrugës ka rrëshqitur, dukë bërë që kalimi në rrugë të bëhet me vështirësi. Që prej disa ditësh kalimi në rrugën Tepelenë-Gjirokastër, është rikthyer qarkullimi, por një gjë e tillë bëhet me shumë ngadalë për shkak të baltës në rrugë dhe punimeve që kryhet me qëllim largimin e tonelatave të tëra me dhe që kanë rrëshqitur nga shpati i kodrës. Rruga Tepelenë-Gjirokastër është ende në ndërtim e sipër nga ministria e Transporteve dhe se ky rast bllokimi nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur në këtë segment rrugor.

 

Keqtrajtimi i infermierit në spital

Merja: Pacienti më qëlloi me karrige, sikur

të kisha hasmëri, ishte i dehur plotësisht

 

Infermieri Ruzhdi Merja që u keqtrajtua me karrige në kokë nga një pacient, ka treguar se personi që e ka qëlluar nuk ka pasur probleme në ato momente me shëndetin dhe veshkën e tij, por ka qenë një pacient i dehur. Merja sqaron se shtetasi Dorian Brauka ishte nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes dhe nuk kishte kriza veshkash. Sipas zotit Merja, pacientit i ishte kërkuar të priste edhe disa minuta për bombardimin e gurëve në veshka, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. “Ishte një ditë e zakonshme. Një ditë më parë patëm një avari në energjinë elektrike dhe mbeten dy pacientë pa u trajtuar. Ditën tjetër patëm një urdhër që aparaturat për gurët në veshka të mos ndizeshin deri në normalizimin e situatës së energjisë, sepse procesi mbetej përgjysmë. Pacienti ka qenë i dehur. I bëmë të ditur se do të trajtohej i pari, kur të rifillonte puna. I dhashë edhe numrin tim pacientit dhe ai më telefononte shpesh, por unë i përgjigjesha se nuk kishte ende një urdhër të ri për ndezjen e aparaturave. Pasi kalojnë 10 minuta nga telefonata e fundit që më bëri, më thotë do vij të të takoj. Aty me goditi me një karrige hekuri në kokë. Në momentin e dhunimit ka qenë vet i dytë dhe të dy me kanë goditur. Me kanë goditur sikur të kishim ndonjë hasmëri, por nuk njiheshim fare, thjesht do ndiqja procedurën. Ishte hera e parë që e takoja. Pacienti nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike. Ai vazhdonte të pinte, nuk kishte kriza në veshka. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Goditjet mund të ishin dhe më fatale”, – shprehet infermieri Merja.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency