Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se kushtetuta po shkelet dhe ka vetëm një qëllim, përqëndrimi i pushtetit në duart e kryeministrit Rama.
Ai tha se qeveria nuk jep llogari ndaj askujt, ndërsa pushteti ekzekutiv është bërë njësh me pushtetin legjislativ.
Ilir Meta: Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.
Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë;
Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ;
Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës;
Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh;
Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore;
Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta;
Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot;
pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon.
Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë;
Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës;
Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë hapur interesin publik;
Ku qeveria për të pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme;
Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës;
Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut;
Ku vendi po shpopullohet pa ndalim;
Ku si rezultat i sukseseve imagjinare në Shqipëri nuk ka më asnjë investim serioz as nga ShBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania;
Ndaj është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë!