Shijak/ Pranga grupit të hajdutëve, grabitën kasafortën e xhamisë

0
179

arrestimShijak, vidhnin banesa dhe lokale, policia vë në pranga dy të rinj, një shpallet në kërkim. Të arrestuarit disa ditë më parë vodhën kasafortën e xhamisë së Shijakut

Policia e Shijakut ka prangosur gjatë ditës së djeshme dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, nën akuzën e vjedhjes se banesave dhe bizneseve. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se personat e arrestuar janë Artan Tabaku, 21 vjeç dhe Denis Shahini, 26 vjeç, ndërsa në kërkim është shtetasi me inicialet SH. Z. Sipas policisë, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë vjedhjesh në banesa e biznese në këtë zonë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme. Po ashtu, sipas të njëjtave burime mësohet se të tre këta shtetas me precedentë të mëparshëm penal, në bashkëpunim kanë kryer një sërë vjedhjesh në Shijak dhe në zonat përreth, si vjedhje banesash, lokale dhe vjedhje të tjera. Një ndër rastet e vjedhjeve që mendohet të jetë kryer nga tre të rinjtë dyshohet të jetë edhe ajo e xhamisë së Shijakut. Ndërkohë sipas policisë, tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri tjetrin disa ditë më parë në lagjen “Popullore”, Shijak, kanë vjedhur një pasqyrë të mjetit tip “BMW” me targë AA 530 JJ, në pronësi të shtetasit R. L. Më tej në 6 prill kanë vjedhur lokalin e shtetasit A. H., ku i kanë marrë tre televizorë, dhe po në këtë datë kanë vjedhur një kasafortë të xhamisë Shijak. Të sipërpërmendurit dyshohen gjithashtu edhe për vjedhjen e tre banesave në zonën e Shijakut.

 

Policia

Policia e Durrësit bën me dije se identifikimi dhe arrestimi i të rinjve është bërë i mundur pas informacioneve të marra në rrugë operative. Burime nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se dokumentimi i të gjitha këtyre rasteve të vjedhjeve erdhi menjëherë pas një hetimi intensiv për vjedhjen e xhamisë në Shijak. Sipas policisë, këta persona dyshohen se janë autorët kryesorë të vjedhjes së xhamisë në Shijak, nga ku u morën rreth 100 mijë lekë të vjetra. “Më datë 8.4.2015 ora 18:00 u bë ndalimi me iniciativë i shtetasve Artan Bujar Tabaku, 21 vjeç, banues në Shijak, Denis Nazif Shabani, 26 vjeç, banues në Shijak, dhe u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit SH. Z., 21 vjeç, banues në Shijak, sepse në bashkëpunim me njëri tjetrin më datë 18.3.2015 në lagjen Popullore, Shijak, kanë vjedhur një pasqyrë të mjetit tip BMV me targë AA 530 JJ në pronësi të shtetasit R. L. Më datë 6.4.2015 kanë vjedhur lokalin e shtetasit A. H., ku i kanë marrë tre televizorë, dhe po në këtë datë kanë vjedhur një kasafortë të Xhamisë Shijak. Dyshohen gjithashtu edhe për vjedhjen e 3 banesave në zonën e Shijakut. Materialet i kaluan Prokurorisë rrethit Durrës bazuar në nenin 134/2 e 25 i Kodit Penal”, thuhet në deklaratën për shtyp të Policisë së Durrësit.

 

Kavajë, arrestohet vjedhësi i makinave

Ndërkohë, Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 41-vjeçar të akuzuar për vjedhje automjetesh, pasi dyshohet se i ka vjedhur një automjet “Ford Focus”. Burime zyrtare nga Policia e Kavajës kanë bërë me dije se në pranga ka përfunduar 41-vjeçari Sokol Kovaçi, banues në qytetit e Elbasanit, i cili sipas policisë ka qenë më parë i dënuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes”. Po ashtu, të njëjtat burime kanë bërë me dije se 41-vjeçari dyshohet se në lagjen numër 3, në Kavajë, ka vjedhur mjetin tip “Ford Focus”, me targë AA 104 CX. Sipas policisë, Sokol Kovaçi rezulton gjithashtu autor i vjedhjes së një automjeti tjetër të ndodhur po në Kavajë. Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Lë lekët në kazino, burri ikën nga shtëpia, e “kapin” në Durrës

Një 27-vjeçar u denoncua i zhdukur nga familja e tij në kryeqytet pasi kishte humbur një sasi parash në kazino dhe nuk ishte kthyer. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se burri me inicialet B. Gj., 27 vjeç, u denoncua i zhdukur nga bashkëshortja e tij, të mërkurën me 8 prill, pasi nuk ishte kthyer në banesën e tij. Pas kërkimeve të policisë, 27-vjeçari u gjet në Durrës, ndërsa iu tha efektivëve të policisë, se ishte larguar nga banesa me dëshirë, pasi ka humbur në kazino rreth 60 mijë lekë. “Më datë 8.4.2015, ka bërë kallëzim shtetasja R. Gj., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortit B. Gj., 27 vjeç, banues në Tiranë, i cili është gjetur në Durrës dhe deklaron se është larguar nga banesa me dëshirë, pasi ka humbur në kazino rreth 60.000 lekë. Materialet procedurale iu kaluan për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, – bën me dije Policia e Tiranës.

 

“Dhuna në familje”, arrestohen dy persona në Vlorë e Sarandë

Gjatë ditës së djeshme kanë rënë në prangat e policisë dy persona nga qyteti i Sarandës dhe Vlorës, nën akuzën e dhunës në familje. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë bërë me dije se në pranga kanë rënë 43-vjeçari nga Vlora Genci Ahmeti dhe 59-vjeçari nga Saranda Lavdrim Isufaj. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se ndaj Ahmetit ka bërë kallëzim penal bashkëshortja, shtetasja me inicialet O. A., e cila ka deklaruar në polici se 43-vjeçari me banim në lagjen “11 Janari”, e ka fyer dhe kanosur për jetë. Ndërsa, sipas policisë mësohet se 59-vjeçari Lavdërim Isufaj me banim në fshatin Gjashtë, është dënuar nga Gjykata e Sarandës me 8 muaj burg për “dhunë në familje”. Këta dy persona Policia e Vlorës bën me dije se janë mundur të vihen në pranga gjatë ditës së djeshme. Materialet në ngarkim të dy të arrestuarve, Policia e Vlorës bën me dije se iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për vazhdime të mëtejshme procedurale për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency