FMN, kalimi i projekteve te Ekonomia bllokoi investimet

0
120

Ervin Kaduku

 FMN building–  Shqiptarët duhet të paguajnë koston e një favorizimi të pastër që i është bërë ministrit Arben Ahmetaj, duke prishur traditën shumëvjeçare të përqendrimit të investimeve tek Financat

–  Banka e Shqipërisë ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të këtij viti me 0.3%

Edhe aleati më i ngushtë financiar i qeverisë “Rama”, Fondi Monetar Ndërkombëtar, konstaton një bllokim skandaloz në realizimin e projekteve të infrastrukturës nëpërmjet investimeve buxhetore. Kjo, sipas ekspertëve të saj, erdhi edhe si pasojë e një favorizimi të pastër që i është bërë ministrit Arben Ahmetaj, duke prishur traditën shumëvjeçare të përqendrimit të investimeve tek Financat.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë re se performanca e qeverisë në lidhje me shpenzimet buxhetore ka qenë e dobët, siç shkruhet në raportin e Rishikimit e Tretë të Marrëveshjes Trevjeçare. Fondi vëren se “mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore ishte sa e një e treta e programit. Kjo ndodhi për shkak të problemeve që solli transferimi brenda qeverisë i përgjegjësisë të monitorimit të investimeve dhe çështjeve të tjera që kanë lidhje me personelin”.

Kur u miratua buxheti i shtetit për vitin 2014, në ligj u përcaktuan të gjitha projektet që do të financoheshin brenda vitit buxhetor. Nga këto projekte, Ministria e Ekonomisë do të zgjidhte prioritetet për financimin me qëllim përdorimin sa më eficent të taksave. Finalizimi i projekteve prioritare nga Ministria e Ekonomisë duket se mori kohë, duke krijuar një problem të ri të mëvonshëm. Disa nga projektet e përzgjedhura nga Ministria e Ekonomisë për të marrë financimet e para nga buxheti nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret që Ministria e Financave kërkon për nxjerrjen e fondeve nga Thesari.

Kjo histori gati e rëndomtë kriteresh, ka krijuar sakaq një dëm të madh, duke mos i çuar ekonomisë ato pak likuiditete të domosdoshme për të mbajtur ritmet e e nevojshme të rritjes. Arsyet e tjera për mosrealizimin e investimeve lidhen me ndryshimin e prioriteteve. Rrugët e reja, pavarësisht se zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve për investime, nuk janë në krye të listës së prioriteteve. Bujqësia, energjetika, arsimi dhe shëndetësia janë në fokus. Por duke qenë se, ingranazhi i institucioneve u mësua të shpenzojë për rrugët, vitin e fundit po vihet re një stepje që vjen edhe nga ndryshimet e shumta në administratën shqiptare.

 

Rritet pa ndërprerje borxhi

Borxhi publik i vendit arriti në 69.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në fund të vitit 2014. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë vitit të shkuar kalendarik borxhi është rritur me 4.3 pikë përqindjeje ndaj Prodhimit Kombëtar. Rritja e borxhit ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e nisjes së procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj sektori privat.

Stoku i borxhit në 31 dhjetor preku vlerën e afro 978 miliardë lekëve, nga 885 miliardë lekë që kishte qenë në fund të 2013-ës. Borxhi vazhdon të jetë i financuar kryesisht në tregun e brendshëm, me 58% të totalit, ndërsa sipas maturimit vazhdon rritja e ngadaltë e peshës specifike të borxhit afatgjatë.

Aktualisht, borxhi me maturim më të gjatë se një vit zë 49.24% e totalit të borxhit dhe vazhdon të fitojë terren, edhe me rekomandimin e institucioneve të specializuara ndërkombëtare, duke qenë se kohëzgjatja e maturitetit mesatar të borxhit sjell ulje të rrezikut të rifinancimit.

Sistemi financiar vendas është financuesi kryesor i borxhit të qeverisë shqiptare.

 

Banka qendrore ul pritshmëritë

Banka e Shqipërisë i ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të këtij viti në 2.4 për qind, nga 2.7 për qind që ishin në fillim vit. Sipas një raporti të fundit të Bankës, shkaku kryesor për rishikimin ishin përmbytjet në Jug të vendit, prej të cilave pritet të tkurret prodhimi bujqësor e për rrjedhojë rritja e përgjithshme e ekonomisë së vendit të cenohet.

Propozimi për rishikimin e projeksioneve të rritjes është bërë gati për t’u shqyrtuar në mbledhjen e radhës së Këshillit të Mbikëqyrjes.

Korrektimin e rritjes së këtij viti e ka bërë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në një intervistë për mediat pak ditë më parë përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Jens Reinke ka konfirmuar se pritjet fillestare për rritje me 3 për qind të ekonomisë këtë vit duhen riparë me ulje.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani gjithashtu ka pranuar ndikimin negativ të përmbytjeve, por, sipas tij, efekti tyre është kompensuar nga “efektet pozitive” që kanë dhënë reshjet në rritjen e prodhimit të energjisë në vend.

Banka e Shqipërisë vijon të jetë me skeptike se qeveria dhe institucionet financiare ndërkombëtare për rezultatet e rritjes duke qenë më afër realitetit. Ekspertët e Bankës në një takim me të hershëm me mediat kanë pohuar se edhe për vitin 2014 pritjet e Bankës janë për një rezultat më të ulët se pritshmëritë e qeverisë me 2.1 për qind. Ndërsa në raportin e fundit, pritshmëria për 2014 është ulur në 1.8%.

Banka ne Shqipërisë analizon se rreziqe të tjera janë në sfond përveç përmbytjeve. Së pari, ambienti i jashtëm ekonomik e financiar në rang evropian mbetet sfidues. E, lidhur me të, gatishmëria e bankave për të marrë përsipër rrezik dhe për të kredituar sektorin publik e privat në vendet e Evropës Lindore, përfshi dhe Shqipërinë, shfaqet ende e ulët. Përkeqësimi i mëtejshëm i kësaj tabloje do të kërkonte marrjen e masave korrektuese dhe gjetjen e burimeve të reja të financimit.

Së dyti, parashikimet janë të kushtëzuara në një masë të madhe nga përmirësimi i pritur i konsumit dhe i investimeve private. Nëpërmjet lehtësimit të kushteve të financimit në ekonomi, politika monetare krijon kushtet e duhura për nxitjen e tyre, referon Banka. Megjithatë, sipas saj, rritja e qëndrueshme e konsumit dhe investimeve do të varen nga përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit dhe nga thellimi i reformave strukturore, të cilat rritin produktivitetin e ekonomisë dhe forcojnë efektivitetin e politikës monetare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency