Partia Demokratike deklaron se ka të dhëna e fakte se si është manipuluar pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit të 30 qershorit.
Në një deklaratë për media, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi tha se KQZ ka rritur pjesëmarrjen me mijëra votues, duke përdorur si kamikaz Denar Bibën.
“PD disponon të dhëna se si ka funksionuar skema e manipulimit të pjesëmarrësve. Ka funksionuar si një piramidë manipulimi, që nis nga zyra e Edi Ramës e përfundon tek komisionerët në Qendrat e Votimit.
KQZ zhduku transparencën tradicionale. Nuk hodhi të dhënat e pjesëmarrësve”, tha Bardhi.
Ai paralajmëroi se PD do bëjë kallëzim penal për këtë krim masiv elektoral, duke filluar nga Denar Biba.