Ekspertët janë ndarë në dy qëndrime mbi hetimet e zjarrit të rënë në fabrikën e riciklimit të mbetjeve në Mëzez të Tiranës. Nga gjurmët e konstatuara, dyshimet janë për zjarrëvënie të qëllimshme, por fakti se janë denoncuar luhatje të tensionit, po hetohet dhe mbi këtë situatë.
Kur po mbushen 3 javë nga zjarri i fuqishëm që përfshiu fabrikën e riciklimit në Mëzez të Tiranës, specialistët janë drejt përfundimit të ekspertizës.
Nga burimet pranë grupit hetimor mësohet se zjarrvënia e qëllimshme është pista më e besueshme.
Gjurmët e gjetura në një grumbull të ngjeshur plastike në qendër të fabrikës, pranë makinerive, kanë shtuar së shumti dyshimet për ngjarjen e 22 prillit.
Një tjetër pistë është dhe luhatja e tensionit, pikërisht në njërën prej këtyre makinerive, çka mund të ketë shkaktuar dhe shkëndijat.
Sa i përket djegies së magazinave në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, ngjarje e regjistruar në 2 prill, mësohet se hetimet kanë përfunduar.
Specialistët kanë dalë në përfundimin se shkëndija nga rryma e energjisë ishte shkaku i rënies së flakëve.
Izolimi i ambienteve me polesterol dhe jo me materiale rezistente ndaj zjarrit, ka shkaktuar edhe përhapjen e shpejtë të flakëve.
Pavarësisht ekspertizave nga agjensitë ligjzbtatuese, pronarët kanë të drejtë të marrin ekspertë privatë, të cilët ballafaqojnë provat dhe faktet në gjykatë.