Vetëm 5% e ankesave nga bizneset prapësohen nga Apeli tatimor

0
130

Ervin Kaduku

 

–   Biznesi në krizë: Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit shkurt 2014, subjektet kanë marrë më shumë kredi për të mbuluar nevojat e shpejta për likuiditet, ndërkohë që kredia për blerje pasurish të paluajtshme, apo makineri ka ardhur në rënie

–   Bllokohen për burokraci pagesat e premtuara për borxhin e shtetit

 

paraMarrëdhëniet mes komunitetit të biznesit dhe administratës tatimore mbeten të acaruara, pavarësisht nga paketat dhe politikat e reja fiskale, të prezantuara prej qeverisë. Kjo gjë është konstatuar nga vetë bizneset vendase dhe të huaja, ku në jo pak raste janë bërë edhe publike sjelljet arrogante të administratës tatimore kundrejt tyre, si me kontrolle të paralajmëruara, ashtu edhe me vendosje gjobash.

Avokati i Tatimpaguesve, Artur Papajani, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit anëtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, tha dje se vetëm 5% e vendimeve të drejtorisë së Apelimit merren në favor të biznesit, ndërkohë që 95% vetëm lenë në fuqi vendimet e marra nga kjo administratë.

I pranishëm në këtë takim, drejtori i Apelimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Flamur Lala, duke premtuar ndryshim të mentalitetit dhe komunikimit me sipërmarrësit, u shpreh se biznesi duhet të respektojë afatet ligjore për këtë proces, si dhe t’i formulojë të sakta praktikat.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, kërkoi që kjo drejtori të mbajë edhe përgjegjësi për vendimet subjektive që jep, pasi ato kanë kosto jo të vogla për bizneset, të cilat më vonë fitojnë të drejtën e tyre nga organet gjyqësore.

Tryeza ishte organizuar për të diskutuar problemet tatimore dhe doganore me specialistë të fushës dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave. Komuniteti i biznesit paraqiti disa nga problematikat e hasura gjatë viteve të fundit kryesisht me administratën tatimore që kanë të bëjnë me sjelljet arrogante të administratës tatimore kundrejt tyre, kontrolle të paralajmëruara, si dhe vendosje gjobash arbitrarisht.

 

Bllokime me pagesat e borxhit

 

Ndonëse Ministria e Financave ka kaluar në thesar rreth 170 milionë dollarë pagesa për detyrimet e prapambetura të biznesit, po procedohet ende ngadalë për pagesën e tyre. Sidomos problematike paraqitet situata me detyrimet e prapambetura të viteve 2007-2008, ku firmat ose kanë falimentuar dhe nuk janë aktive, apo nuk kanë të gjithë dokumentacionin në rregull për të marrë pagesat. Bëhet fjalë kryesisht për kompanitë që kanë kryer punime infrastrukture apo kanë realizuar investime të tjera, ndërkohë që më shpejt po ecën marrja e pagesave të TVSH-së së prapambetur.

Financat pohojnë se ka burokraci të theksuara që lidhen me shpërndarjen e dokumentacionit dhe përgjegjësive në ministri të ndryshme, me të cilat po punohet për të avancuar më shpejt dhe për të kaluar këto pengesa.

Sipas strategjisë së kthimit të detyrimeve të prapambetura, qeveria ka premtuar kthimin e 72 miliardë lekëve brenda periudhës 2014-2016, gjysmën e kësaj shume vetëm brenda këtij viti.

Deri tani, Financat i kanë siguruar paratë për të shlyer detyrimet duke marrë hua në tregun e brendshëm, ndërsa shumë shpejt pritet dhe lëvrimi i transhit të parë të huasë prej 330 milionë eurosh nga FMN-ja (rreth 25-26 milionë euro.)

 

Sinjale negative nga biznesi

 

Kriza e likuiditetit dhe mungesa e investimeve, që kanë karakterizuar ekonominë shqiptare gjatë dy viteve të fundit reflektohen dhe në tendencën e kredive bankave. Sipas statistikave të detajuara të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit shkurt 2014, biznesi ka marrë më shumë overdraft (kredi për të mbuluar nevojat e shpejta për likuiditet), ndërkohë që kredia për investime (blerje pasurish të paluajtshme, apo makineri) ka ardhur në rënie.

Sipas statistikave, në fund të muajit shkurt 2014, kredia për bizneset për overdraft në lekë, arriti në 144 miliardë lekë, me një zgjerim prej 0.2% në raport me një muaj më parë, ndërsa huaja për blerje makinerish e pajisjesh dhe pasuri të paluajtshme ishte e pandryshuar, përkatësisht në 24.8 miliardë lekë dhe 33.8 miliardë lekë për të njëjtën periudhë krahasimore.

Kredia për overdraft në lekë përbën 37% të totalit të huasë gjithsej në këtë monedhë.

Në euro, kredia për overdraft qëndroi e pandryshueshme në 57 miliardë lekë në fund të shkurtit, në raport me një vit më parë, por me rënie të dukshme është huaja në këtë monedhë për blerje makinerish dhe pajisje, që ra me me rreth 3% në rreth 60 miliardë lekë. Euro ka qenë monedha e preferuar e bizneseve për blerjen e makinerive e pajisjeve, edhe për faktin se ato blihen kryesisht në vendet e Evropës.

Mungesa e investimeve kapitale nga biznesi është sinjal negativ për hapjen e vendeve të reja të punës në afatin e mesëm e të gjatë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency