Legalizimet, ndërtuesit kërkojnë hipotekim të 300 pallateve

0
154

Ervin Kaduku

 

– Ja çfarë është paraqitur deri tani me projektet e qeverisë dhe propozimet e grupeve të interesit

 

zone-informaleShoqata e Ndërtuesve kërkoi dje që në ligjin e ri të legalizimeve

të përfshihet edhe një pikë, që t’i japë zgjidhje hipotekimit të 300 pallateve në mbarë vendin. Propozimi i shoqatës parashikon detyrimin ligjor që njësitë e pushtetit vendor të përcjellin dosjet e aplikimeve që kanë drejt Agjencisë së Legalizimeve dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një propozim tjetër ka ardhur edhe nga kreu i Komunës së Velipojës, Pashko Ujka. Ky i fundit, ka kërkuar mospërjashtimin nga procesi i legalizimeve për ata që kanë ndërtuar në këtë zonë turistike duke respektuar masterplanin e vitit 2003, por që ende nuk janë legalizuar. Këto propozime kanë ardhur dje në seancat e komisioneve të Kuvendit, që po diskutojnë në tërësi dhe nen për nen projektet e paketës së amendimeve lidhur me aktet ligjore të legalizimit.

Ligji i ri i legalizimeve është parashikuar të votohet javën e ardhshme, megjithatë kreu i Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi, paralajmëroi mundësinë e shtyrjes së votimit me një javë nëse do të lindë nevojë pas propozimeve që po bëhen nga grupet e interesit.

 

Çfarë përmban paketa ligjore për legalizimet

 

Paketa me ndryshime në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, e propozuar së fundi nga qeveria, pretendon t’i japë zgjidhje një fenomeni social e ekonomik, që për rreth dy dekada ka mbajtur peng zhvillimin e vendit. Amendimi i ligjit aktual të legalizimeve, i miratuar në prill 2006, parashikon ndër të tjera ndryshimin e skemës së operimit; ndryshimin e skemës së vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtin çmim si në Tiranë dhe në Kukës apo Gjirokastër e Korçë, etj.
Ndryshimet në ligj, të përmbledhura në një draft me 25 nene, synojnë zgjerimin e fushës së zbatimit, duke e bërë të zbatueshëm për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15 janar 2009, pavarësisht nëse ato kanë funksion banimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore. Këtu përfshihen dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Fusha e zbatimit të këtij ligji do të shtrihet edhe për ndërtimet pa leje të ngritura pas datës 15 janar 2009, me kusht që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin.
Projektligji i paraqitur për miratim në Kuvend parashikon që fusha e zbatimit të tij të mos shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private të të tretëve, kur planet e përgjithshme vendore, parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero. Në rast se ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk iu përgjigjen kushteve të mësipërme, do të prishen në mbështetje të ligjit “Për inspektimin e ndërtimit”.
Neni 2 i projektligjit përcakton si “ndërtim pa leje” objektin për të cilin është përfunduar karabinaja, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike ose funksione të tjera, për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi, për planifikimin e territorit.
Ligji aktual i legalizimeve pëson ndryshim dhe në mënyrën e kompensimit të pronarëve mbi sipërfaqet takuese pronë private, që preken nga ndërtimet pa leje. Kështu në nenin 4, drafti i qeverisë përcakton që kur parcela ndërtimore e objektit pa leje, është e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në emër të subjekteve pronarë joposedues të ndërtimit, Këshilli i Ministrave miraton me vendim kompensimin mbi sipërfaqet takuese, pronë private, që preken nga objekti. Ndërsa në rastet kur parcela ndërtimore objekt kompensimi rezulton në pronësi të njësive vendore, ALUIZNI, para se të kryejë procedurat e kalimit të pronësisë dhe kompensimit, duhet të marrë miratimin e tyre.
Ndryshime pëson dhe neni 17 i ligjit aktual që lidhet me kalimin e së drejtës së pronësisë dhe mënyrën e pagesës së parcelës ndërtimore. “Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, si rregull, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit pa leje”, – thuhet në draft.
Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
Në ligjin e ri ndryshon dhe neni që flet për taksat e ndikimit në infrastrukturë, e përllogaritur nga njësitë vendore, në përputhje me ligjin në fuqi.
Një shtesë e parashikuar në ligj lidhet me shtesat e realizuara në ndërtime para vitit 1993, vërtetimin ose certifikatën e pronësisë për ndërtimin kryesor, apartamenti njësia e shërbimit; përcaktimet e këtij neni zbatohen edhe në rastin kur subjekti apo njëri prej subjekteve që disponojnë ndërtimin me funksion banimi nuk shlyejnë detyrimet financiare të parashikuara në ligj për vlerën e parcelës ndërtimore.
Ndryshim pëson dhe neni që flet për mënyrën e ndarjes së të ardhurave të arkëtuara nga legalizimi i ndërtimeve pa leje. Kështu, 70 për qind e këtyre të ardhurave do t’i kalojnë fondit të kompensimit të pronave dhe 30 për qind do shkojnë në buxhetin e shtetit, për përballimin e shpenzimeve të tarifës së shërbimit, për evidentimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me funksion banimi.
Një dispozitë detyruese në projektligj lidhet dhe me penalitetet ndaj subjekteve në rastet e mosrespektimit të dokumentacionit përkatës, duke i çuar deri në përjashtimin nga procesi i legalizimit.

 

Banka e Shqipërisë: Prodhimi dhe eksporti shpëtuan Shqipërinë nga kriza më 2013

 

“Dinamika e aktivitetit ekonomik reflektoi tkurrjen në sektorët e shërbimeve veçanërisht turizmit ndërkohë që sektorët prodhues kontribuuan pozitivisht të ndikuar nga investimet në infrastrukturë nga rritja e mëtejshme e eksporteve shqiptare dhe nga rritja e prodhimit bujqësor. Importet e mallrave rezultuan 1.8% më të ulëta se një vit më parë si rrjedhojë e dobësisë së kërkesës së brendshme. Këto zhvillime u materializuan në korrektimin e deficitit tregtar në 13.5% në terma vjetorë më 2013”, – deklaroi dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Modeli aktual ekonomik i vendit, i mbështetur te konsumi i mallrave të importit dhe shërbimet, nuk garanton një rritje të qëndrueshme në të ardhmen, ndaj reformat duhet të synojnë zhvillimin e sektorëve prodhues dhe rritjen e eksporteve, u shpreh ai.

Niveli i borxhit të lartë publik vazhdon të japë impaktet negative duke frenuar rritjen ekonomike të vendit. Për Bankën e Shqipërisë, zvogëlimi i nivelit të borxhit publik nga ana e qeverisë do të thoshte një stabilitet të qëndrueshëm, ndërkohë që, në të kundërt, borxhi po rritet me shpejtësi marramendëse. Guvernatori i BSH, Ardian Fullani, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2013, tha dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se ekonomia e vendit njohu vjet ngadalësim, që kulmoi pas zgjedhjeve elektorale.
Fenomen dominues në ekonomi për vitin 2013, sipas Fullanit, ishte ulja e kreditimit nga bankat private, që ngadalësoi edhe biznesin në aktivitetin e tij. “Kredia për sektorin privat filloi të tkurret gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe në fund të tij. Portofoli i kredisë ishte 1.4% më i ulët se një vit më parë. Rritja e ngadaltë ekonomike krijoi gjithashtu vështirësi për gjendjen financiare të bizneseve dhe ndikoi në përkeqësimin e kredive me probleme”, – u shpreh Fullani.
Ai u bëri thirrje politikanëve që të bëjnë më shumë për rritjen e investimeve të huaja në vend, si shtysë për rritjen ekonomike.
“Ekuilibri i sektorit të huaj mbetet akoma i brishtë. Ripërsëris mesazhin tonë për marrjen e masave për rritje të konkurrueshmërisë së prodhimeve shqiptare dhe njëkohësisht për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja”, – tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Gjatë raportimit në Komision, Fullani tha se nevojiten politika të reja me qëllim rigjallërimin e ekonomisë së vendit. Sipas tij, problemet e ekonomisë nuk mund të zgjidhen më me politika monetare. Ai kërkoi reforma për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorëve prodhues të ekonomisë, përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e investimeve në teknologji të reja dhe në arsim.

Fullani kërkoi vendosjen e një rregulli fiskal transparent që të garantojë ruajtjen e niveleve të pranueshme të borxhit në të ardhmen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency