Të ardhurat e tua nuk janë TI

0
135

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

Majkëll R. Edelshtajn

Dejvid Ramsej Stile

 

Businessman Throwing his Money AroundProblemi i Xherit ilustron gjithashtu një bindje tepër të përhapur, por të gabuar – bindjen se të ardhurat tona monetare janë masa e vlefshmërisë apo e sukseseve tona në jetë. Kjo bindje e rremë është burim ankthi dhe depresioni te miliona individë.

Të ardhurat tona monetare përfaqësojnë vetëm atë çka njerëzit e tjerë vendosin të të paguajnë për shërbime që ne zgjedhim t’ju afrojmë atyre. Ato nuk janë një gjykim ndaj “shpirtit” apo dinjitetit tonë si qenie njerëzore. Nuk ka asgjë poshtëruese apo fyese në pasjen e një rroge të ulët, madje kjo nuk përbën as edhe ndonjë gjykim përfundimtar për aftësitë tona – Mozarti vdiq i varfër.

Nëse do të arrinim t’i rrisnim të ardhurat tona, atëherë me to mund të përballonim më shumë të mira materiale, të cilat do të na mundësonin që t’i realizonim më mirë qëllimet tona e mbase të bënim një jetë më të plotë. Kjo është diçka e mrekullueshme, por mbase ne do të vlerësonim shumë më lart kohën e lirë apo shmangien e streseve ndaj kërkesave që do të nevojiteshin për të kryer rritjen e të ardhurave tona përtej ndonjë kufiri të caktuar. Në këtë rast do të qe një gabim trashanik po të supozonim se DUHET të ndjekim si qëllim final në vetvete, sigurimin e një ardhure më të lartë parash.

 

Rendja në telashe

Nedi, një veteriner i suksesshëm 46 vjeçar, kishte një klinikë personale veterinare. Ai u paraqit te mua për ndihmë nga shkaku i mosmarrëveshjeve martesore, por nga fundi i sesionit të parë, diskutimi mori një kthesë tjetër.

– Unë mund të kem zbuluar një rrugë tjetër për tu ndjerë më mirë apo për t’i shpëtuar depresionit tim të zakonshëm, kur më mërzit ose më shqetëson ime shoqe, – u shpreh ai papritur.

– Çfarë rruge? – u interesova unë.

– Duke bërë vrap, – u përgjigj Nedi. – Dikur e pata bërë zakon të shëtisja herë pas here, por kohët e fundit kam nisur të vrapoj më seriozisht. Unë eci vazhdimisht të paktën nga 5 milje në ditë, ndërsa tani kam nisur të vrapoj, duke bërë gara. Kështu, kur Kristana nis e më gric nervat, tani mund ta shpërfill. Vrapi më bën të ndihem mirë me veten dhe jo më si plehrë nga ngacmimet e sime shoqeje. Ndihem krenar që arrij ta disiplinoj veten dhe mbas një vrapi të gjatë e të lodhshëm, apo një gare të fortë, ndihem vërtet në gjendje të ngritur shpirtërore.

– Kështu pra, ndihesh si burrë më i mirë ngaqë arrin ta disiplinosh vetëveten dhe se i jep trupit një formë sportive kaq të hatashme. Dhe mendon që, nëse Kristana nuk arrin dot të të vlerësojë, e ka fajin vetë për këtë!

– Pikërisht!

– Por kjo veç ia shton barrën problemit tënd!

– Problemit tim? – u habit Nedi. – Po të paktën nuk jam ndjerë aq keq kohët e fundit. A nuk qenka kjo një përmirësim i problemit tim?

– Jo. Një pijanec me probleme mund të ndihet disi më mirë pas një gote, por kjo s’do të thotë se pija ia përmirësoi patjetër problemin. Ti mbase e përkeqëson edhe më shumë problemin.

Meqë Nedi qe ende disi i paqartë, i shpjegova se ai nisi ta gjente kënaqësinë te vetëdisiplinimi i saposhpikur dhe aftësia e tij vrapuese. Në përgjithësi, kjo kënaqësi qe e lëvdueshme. Por më pas, në mënyrë të gabuar, ai e vlerësoi tërësinë e qënies së tij sikur ndihej mirë, thjesht vetëm ngaqë vraponte. Ai po e prodhonte dhe po e nanuriste përbrenda vetes këtë lloj ngritjeje shpirtërore, duke e gjykuar të tërë qënien e vet mbi bazën e disa pak sjelljeve të tija.

– Në rregull, – tha ai, – Ja e paskam vlerësuar të tërë qënien time për shkak të vrapimit. Ja, paskam përjetuar ngritje shpirtërore dhe marrë kënaqësi prej saj. Unë ende s’po e kuptoj sesi më dëmtoka kjo.

– Kjo të bën dëm sepse të kurdis për tu ndjerë më pas i lënduar ose i dëshpëruar. A s’e kupton që kjo vepron si thikë me dy presa.

– Jo, them se nuk e kuptoj.

– Në rregull. Kur vrapon mirë, ti ndihesh në gjendje të ngritur shpirtërore. Por, kur vrapon keq apo nuk e fiton një garë, ose, kur Kristana të kritikon, ndihesh i dëshpëruar.

– Ashtu është. I dëshpëruar ndihem.

– Por për sa kohë që këmbëngul ta vlerësosh vetëveten, ti e kthen veten në një kaqol emocional, në mëshirë të performancës tënde të fundit.

– Më duket se po e kuptoj. Unë e ngre veten “lart”, kur vrapoj mirë dhe pandërprerje. Por më pas, jam shumë më i prirur për ta ulur veten “poshtë”, kur gjërat më shkojnë keq.

 

Vetë-vlerësuesit janë të lindur, por mund të zhbëhen

Të gjithë ne jemi si Nedi: jemi lindur dhe edukuar për ta vlerësuar veten. Është e kuptueshme se kemi vështirësi që ta mendojmë ndryshe këtë. Por ka një alternativë. Ju mund të analizoni sesa mirë e kryeni punën, pa i bërë ndonjë vlerësim të tërë qënies suaj. Ju e pranoni veten ashtu si jeni, pavarësisht nëse punoni mirë, keq, ose nuk punoni fare. Ju nuk jeni kurrë i detyruar që ta paragjykoni veten si njeri të rëndësishëm apo të pavlerë – ta ngrini apo ta ulni veten tuaj.

Vetëvlerësimi është i panevojshëm; ai të shkakton probleme serioze emocionale dhe praktike:

1.         Po këmbëngule që ta vlerësosh vetëveten, mendimi yt përqëndrohet te vetja, në vend që të përqëndrohet te problemi. Nëse nuk i jep një shkallë vlerësimi vetes, por e pranon se ke problem, analiza e këtij problemi bëhet më e kollajtë dhe mund të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme. Konsiderimi i vetes si “dështak i pashpresë” apo si “krimb i neveritshëm” është nga ato lloj problemesh, të cilat as analizohen dot dhe as ia vlen të merresh. Kjo është një lloj bindje, shigjeta e së cilës rrëfen veç një drejtim: preokupacionin e pafund për idenë se çfarë dështaku i mjerë apo krimb i neveritshëm qenke! Kjo thjesht nuk është ndihmuese. Kjo nuk të afron ndonjë veprim konstruktiv.

2.         Nëse e vlerëson veten si njeri të mirë apo të keq, ti je i prirur për të supozuar se ky qenkesh thelbi yt i pandryshuar, d.m.th. që, po t’ia kesh shpënë keq dje, do t’ia shpiesh keq edhe sot apo nesër. Ti priresh të “ngrish” në vlerësimin që i bëre vetes. Çdo njeri ka plot sjellje të mira e të këqia; asnjëri prej nesh nuk është i përkryer, e megjithatë kemi aftësi për tu përmirësuar. Por vetëvlerësimi na bën të fiksohemi pas disa karakteristikave e pastaj të gjykojmë në mënyrë fare të thjeshtuar rreth vetes sonë.

3.         Vlerësim i ulët i vetëvetes bën që të ndihesh i mjeruar, ndërsa vlerësimi i lartë të paraprin për t’i dhënë një vlerësim të ulët vetes, sa herë që të shkojnë punët ters. Vetëvlerësimet e larta dhe të ulta nuk janë simetrike – ka një prirje të lindur tek vetëvlerësuesit që të anojnë kah vlerësimit të ulët të vetëvetes. Shumë qëllime njerëzore nuk funksionojnë krejtësisht ashtu sikurse janë planizuar dhe vërehet një prirje e natyrshme për tu përqëndruar te zhgënjimet dhe dështimet.

4.         Vetëvlerësimi të shpie te dëshira për të krahasuar veten në mënyrë të pakuptimtë me të tjerët. Pikërisht atëhere ndjesia e superioritetit apo e infioritetit ndërhyjnë në rrugën e qëllimeve që ti po ndjek.

 

 

Vetëvlerësimi i konsumuar

Shpesh, dëshira e një personi për vetëvlerësim lidhet me miratimin prej një personi tjetër – shokut të jetës, prindërve, etj. Tara, një zonjë mjaft tërheqëse 41-vjeçare punonte si sekretare ekzekutive te një firmë reklamash në Medison Skuer. Ajo kishte një vajzë në shkollën e mesme dhe një djalë në shkollën fillore. Ishte grua e gjatë, e hollë dhe mund ta merrje për modele. Ndonëse gjatë bisedës e përmendi se kënaqej të shtunave mbrëma, kur dilnin jashtë me të shoqin dhe një çift tjetër, në më të shumtën e kohës më zbrazi një litani problemesh e ndjenjash të zymta.

– Nervozohem për çdo gjë dhe pastaj më kap dëshpërimi. Shqetësohem për sëmundjet dhe po ashtu për situata të ndryshme në punë. Më gërryen nga brenda zilia ndaj grave të tjera që kanë ndonjë gjë më të mirë se ç’kam unë. Nuk dua të takoj njerëz të rinj. Nëpër dasma, apo kur shoh filma, më dalin fare kollaj lotë dhe e urrej përherë veten që qaj. Dëshiroj vazhdimisht të isha tjetër njeri. Ndihem si ndonjë qaramane. E urrej pamjen sesi dukem. Nuk qetësohem dot dhe ndihem e frikësuar nga bosi im.

Toni i zërit të sugjeronte se Tara e përbuzte shumë veten, gjë të cilën ajo qe gati ta vazhdonte edhe më tej.

– Duken si shumë gjëra për tu marrë me to, – e ndërpreva unë. – Nga të tëra këto, cila duket se të ka shqetësuar më shumë këto ditë?

– Vështirë ta them. Mendoj se janë marrëdhëniet me t’im më, kur vjen e rri me neve. Ajo është shumë kritikuese dhe zakonisht e ka drejtpërdrejt me mua. Ja, p.sh. natën e kaluar, ajo po ankohej se shtëpia qe rrëmujë. Unë e di se mund ta bëj më mirë pastrimin e shtëpisë, por thjesht nuk kam kohë. Ime më s’ka shkuar kurrë në ndonjë punë, kështu që e ka patur tërë kohën e nevojshme për ta mbajtur dritë shtëpinë. Por në një farë mënyre e ndjej se ka të drejtë. Unë DUHET ta mbaj vërtet shtëpinë të pastërt e të rregullt. Nuk e ndjej asnjëherë veten rehat në një shtëpi të rrëmujshme.

– Le ta zemë, sikurse thoni, se në shtëpinë tuaj ka rrëmujë të madhe.

– Kjo është e lehtë.

– Dhe ti je e dëshpëruar nga kjo.

– Po, jam.

– Kjo do të thotë se diku në shtëpi ju keni një DUHET.

– E keni fjalën për: “Unë DUHET të kem një shtëpi të pastër?

– Pikërisht!

– Unë mërzitem shumë kur shoh pluhura apo rrangullina nëpër shtëpi, – pranoi Tara. – Ndihem edhe vetë si plehrë.

– Po le të supozojmë më të keqen, se ju jeni vërtet një amvisë e çrregullt shtëpie. Kjo është vetëm një nga aspektet e jetës suaj. Ama, nga kjo nuk rrjedh se në tërësinë tuaj si person, ju nuk qenkëshit grua e mirë.

– Por unë s’jam e mirë për asgjë. Me fëmijët jam nënë koti. Ata nuk janë me aq personalitet sa fëmijët e Maritës, pa le që edhe në punë po bëj gafa përherë, aq sa ka raste kur e qelb fare.

– Ta zëmë sikur të gjitha këto janë të vërteta – por unë dyshoj se në vetëgjykimet tuaja ju kërkoni të përkryerën – ju prapë keni ende forca për të ndryshuar. Dhe kjo forcë është një nga aspektet e juaja. Po ta vini në përdorim e të përmirësoni disa prej këtyre fushave, atëherë do të keni gjëra shtesë, ku spikat aftësia juaj. Për më tepër, në të ardhmen mund të zbuloni aktivitete të tilla, të cilat s’i keni provuar kurrë më parë dhe nga ato do ta kuptoni shpejt se e keni një farë talenti.

I tregova Tarës edhe arsyen tjetër se, të bëje gabime s’do të thoshte se ishe njeri fare kot. Thjesht fakti se ajo kishte arritur të mbijetonte, se nuk kishte pësuar kurrë aksidente automobilistike, se nuk e kishte helmuar veten apo se nuk i kishte dalë ndonjë kamioni përpara, tregonte se nuk bënte gjithmonë veç gabime ose, që punonte keq.

Disa nga DUHET e Tarës ishin:

 

•           Unë DUHET të marr miratimin e mamasë se shtëpia është në rregull, përndryshe jam grua pa vlerë.

•           Unë DUHET t’i kryej të gjitha pastrimet, ndryshe jam një krimb.

•           Unë DUHET ta bëj shtëpinë të duket më mirë nga ç’është, ndryshe nuk jam aq e zonja.

•           Më DUHET ta bëj këtë menjëherë, ndryshe kjo dëshmon se jam krejt kot.

 

Pasi i diskutuam DUHET e saj, Tara i zëvendësoi me këto konkluzione:

 

•           Megjithëse miratimi i mamasë është i preferueshëm, unë mund ta pranoj plotësisht veten kështu si jam, pavarësisht nga kritikat e saj.

•           Do të doja t’i bëj të gjitha pastrimet, por nëse nuk i bëj, kjo tregon vetëm se jam thjesht një grua e papërkryer, që punon në mënyrë të papërkryer.

•           Dua që shtëpia të duket më mirë, por një shtëpi më pak e pastër s’do të thotë se jam qenie më pak e kompletuar.

•           Preferoj t’i vë rregull shtëpisë qysh tani, por fundja, edhe po dështova me pastrimin, ky dështim nuk është kuti me të cilin matet i tërë thelbi im.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency