KQZ, gati zëvendësimin e deputetit të Lezhës, PS në prag të lënies së mandateve nga ministrat e rinj

0
143

Florenc Drizari

KQZ zhvillon mbledhje të hënën, Vasil Bicaj pritet t’i lërë vendin Mhill Fufit

 

parlamenti-riKuvendi i Shqipërisë vë në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një nga vendimet e para të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ishte edhe dërgimi i shkresës në KQZ për zëvendësimin e deputetit të Qarkut të Lezhës, Vasil Bicaj. Deputeti demokrat gjatë betimit të ligjvënësve të rinj pak ditë më parë, dorëzoi një letër pranë Kuvendit në të cilën deklaroi dorëheqjen nga posti i deputetit, edhe pse këtë mandat nuk kishte marrë ende zyrtarisht. Sipas burimeve të KQZ-së, zëvendësimi i tij do të bëhet ditën e hënë në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor dhe vendin e z. Bicaj do ta zërë kandidati tjetër në listën shumemërore të PD-së, Mhill Fufi. Në Qarkun e Lezhës Partia Demokratike mori katër deputetë, Partia Socialiste dy dhe LSI një deputet.

Ndërkaq, pas betimit të kabinetit të ri qeveritar pranë Presidentit të Republikës Bujar Nishani (ditën e hënë), pritet të fillojnë procedurat sërish në KQZ për zëvendësimin e deputetëve që janë bërë ministra. Dorëheqja nga mandati i deputetit për anëtarët e Këshillit të Ministrave ishte një premtim i hershëm i kryesocialistit Edi Rama, ku pas fitores së të majtës në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, premtimi pritet të shoqërohet me nismat ligjore në KQZ dhe më pas në Kuvend. Aktualisht në kabinetin qeverisë bëjnë pjesë 19 ministra dhe mandatin e deputetit nuk do ta lërë vetëm Kryeministri Edi Rama, ndërkohë që edhe deputetët e LSI-së që janë pjesë e qeverisë, pritet të bëjnë të njëjtën gjë si homologët e tyre të majtë.

Betimi i deputetëve

Pas ngritjes së komisionit të përkohshëm në Kuvend ditën e hënë për verifikimin e mandateve, një ditë pas, të martën, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë bën betimin para kryetarit të Kuvendit për mandatin katër vjeçar të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit që lamë pas. Betimin në Kuvend nuk e bëri deputeti Vasil Bicaj, i cili kishte dërguar një letër pranë Kuvendit ku deklaronte se nuk e pranonte postin ligjvënësit, ndërkohë që një ditë më pas, edhe deputeti demokrat Ridvan Bode, bëri betimin për shkak se mungoi në seancën e parë. Sipas rezultateve të dala më 23 qershor të këtij viti, nga 140 deputet të ka Kuvendi i Shqipërisë, aleanca e majtë, ASHE, mori 83 vende në Kuvend, ndërsa aleanca e djathtë, APMI, 57 vende. Me ndryshimet e raporteve të qeverisjes dhe grupimeve politike, në Kuvend do të këtë tri grupe parlamentare, ai i Partisë Socialiste që kryesohet nga Gramoz Ruçi, ai i Partisë Demokratike, që pas zgjedhjes votimit që u bë ditën e hënë, është deputeti Edi Paloka dhe ai i LSI-së, ky kryeson Petrit Vasili.

Zgjedhja e Kryetarit

Kuvendi i Shqipërisë votoi ditën e martë për zgjedhjen e kryetarit të ri. Ilir Meta ishte kandidatura e vetme për këtë post dhe pas mbylljes së votimit të fshehtë që u bë në sallën e Kuvendit, ai rezultoi fitues me 91 vota. Sipas shifrave të numrit të mandateve në Kuvend, i bie që z. Meta të këtë marrë edhe 8 vota të djathta, gjithmonë nëse votat e PS-së kanë qenë njëzëri pro tij. Pas zgjedhjes në krye të Kuvendit të Shqipërisë, Meta foli për një qasje të re politike, ku do të respektohen të drejtat e çdo deputetit dhe grupi parlamentar, në respekt me rregulloren e këtij institucioni dhe Kushtetutës së vendit. Zgjedhja e Ilir Metës në krye të Kuvendit të Shqipërisë erdhi si pjesë e marrëveshjes politike mes LSI-së dhe Partinë Socialiste në zgjedhjet e qershorit, si dhe të rezultateve që dolën nga ai proces.

 

Kuvendi mblidhet sot për të diskutuar programin e qeverisë, Meta takon Sequi-n para seancës

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet në seancë plenare paraditen e së shtunës në orën 10:00. Në axhendë të kësaj seance janë parashikuar diskutimet mbi programin politik të qeverisë së re socialiste. Pas prezantimit që Kryeministri Rama i bëri programit mbrëmjen e së mërkurës, Kuvendi pritet të mblidhet sot për debatet dhe pyetjet që kanë përfaqësues të opozitës lidhur me draftin qeverisës të së majtës. Aktualisht PD ka regjistruar në Kuvend vetëm emrat e diskutantëve, ku sipas burimeve pritet që shumica e ligjvënësve të mbajnë fjalim lidhur programin e PS-së.

Takimi Meta-Sequi është parashikuar të zhvillohet në orën 09:00 në Kryesinë e Kuvendit, ndërsa ky është takimi i parë mes Metës dhe ambasadorit Sequi, që kur lideri i LSI-së u zgjodh në krye të Kuvendit të Shqipërisë”.

Seancat e para parlamentare për këtë sesion të ri janë ndjekur me interes nga diplomatët e huaj të akredituar në vendin tonë. Në seancën e fundit që u mbajt ditën e mërkurë me prezantimin e programit të qeverisë, ambasadori i BE-së Sequi dhe ai i SHBA-së, Arvizu, folën për një bashkëpunim mes pozitës së re parlamentare dhe opozitës së djathtë. Deklaratat e tyre erdhën pas largimit nga seancë të grupit parlamentare demokrat gjatë kohës që Kryeministri Rama bënte prezantimin e programit politik.

 

 

“Qeveria Rama”, Ngjela: Politika bëhet me të shkolluar, jo me njerëz fshati

kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela, shprehu pakënaqësitë e prishjes së partneritetit me Kryeministrin Edi Rama.

Një ditë më parë Ngjela akuzoi kreun e qeverisë së re se prishi ‘paktin’, duke mos i ofruar postin e Ministrit të Drejtësisë. Sipas Ngjelës, Rama kishte turp të bënte publike postin që i kishte menduar ti caktonte ndaj për këtë arsye ai ‘nuk mund të ulte dot veten’ ta pranonte. “Unë jam ose me qeverinë ose kundra saj”, theksoi Ngjela gjatë një interviste në Neës24.

“Rama prishi partnershipin kur erdhi në qeveri. Unë ose jam në qeveri ose nuk jam, ky është statusi im. Nuk kam qenë vartësi i Ramës. Nuk e di arsyen pse nuk mu ofrua posti i ministrit. Fryma thotë se këta nuk do godasin korrupsionin këta nuk e kanë politikën në profesion. Kur një Kryeministër apo pushtetar nuk e ka politikën profesion e ka të vështirë. Fakti që Rama kishte turp ta thoshte nuk kishte pse ta pranoja unë. Uë nuk mund të ul nivelin. Unë jam partner nëse nuk do tungjatjeta”, u shpreh Ngjela, teksa marrëdhënien me kreun e mazhorancës nuk e vlerësoi si armiqësor, megjithëse nuk kanë një marrëveshje ende.

Kompozimi i qeverisë sipas analizës së Ngjelës është i gabuar. “politika është shkolla dhe nuk ndërpritet karriera politike, jo të marr fshatin dhe të vë në qeveri”, -tha Ngjela duke deklaruar se Pandeli Majko, Ben Blushi dhe Arta Dade duhet të ishin brenda kabinetit qeveritar.

“Rama ka gabuar në kompozimin e qeverisë. Të paktën 3 persona duhet të ishin në qeveri. Se politika është shkolla dhe nuk ndërpritet karriera, jo të marr fshatin dhe të vë në qeveri. Majko duhet të ishte në qeveri. Blushi patjetër dhe Arta Dade. Mbase ata kanë refuzuar, por kanë bërë gabim. Nëse ka qenë shkak mandati, Rama të hiqte dorë nga kjo ide”, – deklaroi ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency