Boll me alarmin Coronavirus / Covid19!

0
156

Nga Kastriot Çipi

Kemi kaluar epideminë e “lopës së çmendur”, “gripit të derrave”, “gripit të pulave”, “gripit të shpendëve”. Në çdo rast media elitiste (pro establishment) ka përhapur panik, duke prodhuar propagandë që i shërben jo vetëm biznesit të ndyrë të megaporosive të shteteve sovrane dhe organizatave të OKB për medikamente e vaksina, luftës tregtare mes shteteve konkurrente, por edhe elitës globaliste, që pas çdo krize ulëret “Na duhet një qeveri globale, për të zgjidhur krizat globale”.

Sa njerëz vdesin në vit në Shqipëri nga gripi? Me siguri me dhjetra. Pse nuk flitet për ta në media? Sepse është normale. Sepse gripi është ndërlikimi i fundit tek një pacient me sëmundje të tjera.

Italia fqinje po çmendet përditë e më shumë. I gjithë veriu është në karantinë. Flitet për tre të vdekur, por nëse kërkon online, nuk të dalin më shumë se dy. E para vuante nga pulmoniti. Ishte 75 ose 78 vjeç dhe supozohet se është infektuar në klinikë nga një pacient misterioz, 38 vjeçar. Sipas mediave, kjo 75 apo 78 vjeçare, ka shkuar më pas në shtëpi dhe aty ku ndërruar jetë, por askush nuk mund ta konfirmojë se shkaku i vdekjes është virusi korona. E dyta, po sipas medias, ishte e moshuar (nuk thuhet mosha e saktë) dhe ishte e shtruar në spital, sepse vuante nga një tumor. Natyrisht, edhe në këtë rast, askush nuk mund të thotë se shkaku i vdekjes është virusi korona. Ndërkohë ka më shumë se dy të shëruar. Dhe po flasim për një vend me 60 milion banorë.

Po, ka mbi 2.400 të vdekur në Kinë, por ka edhe mbi 23 mijë të shëruar. E dini sa është vdekshmëria e virusit korona? 2%! Në 100 vetë që preken nga virusi, vdesin vetëm 2 dhe, siç shihet nga raportet, edhe ata 2 janë të moshuar dhe me probleme të tjera shëndetësore.

Në vend që të alarmohemi për një grip, që nuk ka prekur ende askënd në këtë vend, është më e zgjuar të shqetësohemi që 4 shqiptarë, nga të cilët 3 fëmijë të moshës 8-12 vjeç, vdiqën dje nga shpërthimi i një bombule gazi. Të shqetësohemi që nuk ka javë pa të vdekur në aksidente rrugore, që nuk ka muaj pa të vrarë, me armë të nxehta e të ftohta.

Të shqetësohemi që në burgjet tona vrasin veten hajdutë xhepash, të rinj që janë kapur me disa gramë marihuana, apo më keq akoma, prindë që kanë vjedhur energji elektrike se nuk kishin para t’u ndriçonin tryezën e studimit fëmijëve të tyre që shkojnë në shkollë.

Madje jo vetëm për të vdekurit duhet të shqetësohemi. Duhet të ulërasim të gjithë për faktin se një fëmijë tregon përmes lotësh se e tallin shokët e shkollës, sepse e ha bukën thatë. Të revoltohemi të gjithë për atë prindin që mbledh kanaçe, që shpesh kthehet duarbosh në kasolle, sepse ia sekuestrojnë policët e Bashkisë dhe për fëmijët e tij, që kur pyeten se cila është ëndrra e tyre më e madhe, njëri thotë “të fle në një shtrat të vërtetë”, ndërsa tjetri thotë “të ha një herë derisa të ngopem”.

Konfuci ka thënë se “Në një vend të qeverisur mirë, duhet të të vijë turp nga varfëria. Ne një vend të qeverisur keq, duhet të të vijë turp nga pasuria.”

Jemi një vend i qeverisur tmerrësisht keq, por këtu as të pasurit, as ata që na qeverisin, nuk kanë pikën e turpit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here