Berisha, Ramës: Mos krahaso autobusin mavi me rilindasit tanë të bekuar

0
141

Ina Jano

BEROPrezantohen kandidatët e Kuçovës

Kandidatët e PS-së të sapodalë nga burgjet

 

 

Partia Demokratike prezantoi dje në Kuçovë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Duke folur për kundërshtarët e tij, kreu i demokratëve tha se Rama bën gabimin më të madh, pasi krahason ata me rilindasit e bekuar shqiptarë. “Këtu nga Kuçova, nga qarku i Beratit do t’i kërkoj zotit Rama: mos i fyej qytetarët shqiptarë, mos i fyej qytetarët e Berati, të Kuçovës, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, Lushnjes, Fierit, Kukësit, Peshkopisë, të Kosovës, Tetovës, Ulqinit, të Malit të Zi, të diasporës kudo ku janë. Ke ngritur në autobusin mavi një bandë dhe e krahason atë me rilindësit, shenjtorë të mendimit tonë kombëtar. Kujton se do t’i paraqesësh qytetarëve të Beratit, Fidelin për Babë Dudë Karbunarën, t’u paraqesësh elementë, të cilët janë problem madhor për veten e tyre, si Sami Frashërin, Naim Frashërin, Abdyl Frashërin. Mos i lëndo shqiptarët se këtë nuk jua ka bërë kush, kurrë! Çfarë e lidh Kokëdhimën me Naim Frashërin, Tom Doshin me Filip Shirokën apo Ndre Mjedën. Zoti Rama , këtë emërtim të këtyre shokëve mund ta bësh vetëm ti, për shkak të trashëgimisë tënde, të etërve të ty që e urrenin rilindjen. Është e freskët në memorien tonë, kur ata ndërmorën revolucionin kundër rilindësve tanë, ndërsa ti kërkon t’i poshtërosh për së vdekuri ata, duke i krahasuar me Tom Doshin, Fidel Yllin, Koço Kokëdhimën, Arben Ndokën të sapodalë nga burgjet për krimet e tij. Ndaj thirrja ime është për çdo qytetar shqiptar. Zotëria, shoku, me rilindje nënkupton rilindjen e bllokut hoxhist, nënkupton rilindjen e etërve të tij, por ajo për shqiptarët është një e shkuar që nuk kthehet më. 23 qershori do të jetë Vaterloja e bijve të tyre, e jotja shoku Rama në autobus dhe e shokëve që ke marrë mbrapa në këtë fushatë”, – tha Berisha. Kryeministri premtoi se bashkë me deputetin e zonës 4 vitet që vinë do të bëjnë gjithçka për të ndërtuar një infrastrukturë moderne. Heqja e vizave me SHBA-në nuk është vetëm një ëndërr. Kryeministri Berisha pohoi nga Kuçova, se shqiptarët kanë në Amerikë miq që po punojnë për të kthyer këtë ëndërr në realitet. “Sot jam tek ju për tu dhënë fjalën se katër vitet që vinë me deputetin tuaj do bëjmë gjithçka për të ndërtuar në Kuçovë infrastrukturën më moderne. Në pak vite u bëmë anëtarë të NATO-s, aleancës më të fuqishme të kohërave, së bashku me përpjekje të mëdha firmosëm me BE kontratën historike të stabilizim asocimit, së bashku me punën tonë, përkushtimin tonë ne ia dolëm të bindim mbarë Europën se meritonim plotësisht të lëvizim të lirë. Së bashku ia dolëm të meritojmë statusin e kandidatit, ndaj le të vazhdojmë përpara për statusin, hapjen e negociatave, Shqipërinë e integruar në BE. Të vazhdojmë përpara përpjekjen tonë fisnike për të liberalizuar vizat me vendin mik të Shqipërisë, SHBA. Në këtë vend ne kemi miqtë më të mëdhenj, që na duan, respektojnë dhe punojnë për ne, që të lëvizim të lirë në vendin e tyre”, – garantoi Kryeministri. Berisha nënvizoi arritjet e qeverisë së tij si anëtarësimi në NATO, nënshkrimin e stabilizim asocimit, heqjen e regjimit të vizave me Evropës, ndërkohë ftoj shqiptarët që të vijojnë së bashku “për hapjen e negociatave, për Shqipërinë e integruar në BE. Të vijojmë përpjekjet për të liberalizuar vizat me SHBA”. Ai theksoi se reformat e mazhorancës kanë funksionuar pasi ulën taksat, shmangën krizën që preku Evropën, si dhe rritën pagat dhe pensionet.

 

 

Idrizi: Bashkim ekonomik mes shqiptarëve, 100 mijë vende pune

Në takimin me banorët e zonës së Laprakës në kryeqytet, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, zoti Shpëtim Idrizi ka prezantuar kandidatin e PDIU-së për Qarkun e Tiranës, Tahir Muhedini. Gjatë fjalës së tij, zoti Idrizi është ndalur tek premtimet e partive politike për mijëra vende punë në 4 vitet e ardhshme. “Bashkimi ekonomik i shqiptarëve është e vetmja rrugë që në planin afatmesëm prodhon 100 mijë vende pune. Më lejoni të ritheksoi që jo brenda një mandati qeverisës por në planin afatmesëm. Ne kemi studim mbi këtë ide të një prej mendjeve më të ndritura që trojet tona kanë lindur, të madhit dhe të paharruarit Arbën Xhaferri. Mos bini pre e shifrave inekzistente për vende pune që janë të parealizueshme dhe qesharake,” – u shpreh zoti Idrizi. Në fund të fjalës së tij, kreu i PDIU-së i bëri edhe një herë thirrje të gjithë shqiptarëve që më datë 23 qershor të votojnë numrin 50, Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si zgjidhja më e mirë që ata mund të bëjnë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

 

Kryeministri i përgjigjet Ramës  Unë gjysh me kohë të stërplotë, ti gjysmë burrë

Kryeministri, Ramës: Uroj që Zoti të të ndriçojë mendjen, që ti të kuptosh se sa i fortë është frymëzimi i fëmijëve të fëmijëve për njeriun

Mbesat dhe nipërit e mi janë gjashtë “gurra të pashtershme frymëzimi”

 

Vetëm 24 orë pas deklaratës së Ramës, se Berisha duhet të bëhet gjysh me “kohë të plotë”, ditën e djeshme ka ardhur edhe reagimi nga ana e numrit një të qeverisë. Me anë të zëdhënëses së selisë blu, por duke folur në emër të zotit Berisha, Laura Vorpsi u shpreh se Kryeministri nuk është gjysh me “kohë të plotë”, por me “kohë të stërplotë”. “Vetëm një imagjinatë e çoroditur ose një mëndje nga autobusi yt mavi dhe arkivi kompleks që të ndjek, mund të më përfytyrojë mua gjysh me kohë të pjesshme, të engjëjve të familjes sonë, pasi, me ata dhe për ta, së bashku me Lilin jemi gjyshër me kohë të stërplotë!”, – thotë kreu i qeverisë në reagimin e tij për kundërshtarin politik. Më tej ai thotë se është krenar për të gjitha gjërat që ka realizuar në jetë, ndërsa shton se janë pikërisht mbesat dhe nipat e tij të cilët e frymëzojnë për të punuar me pasion dhe motivim për një jetë më të mirë për shqiptarët. “Mbesat dhe nipërit e mi janë gjashtë “gurra të pashtershme frymëzimi” që më shumëfishojnë forcat, energjitë për të punuar me pasionin dhe përkushtimin më të madh, që ata dhe bashkëmoshatarët e tyre para se gjithash edhe prindërit, vëllezërit e motrat e tyre më të rritur, të kenë të Ardhmen që meritojnë! Uroj që Zoti të të ndriçojë mendjen, që ti të kuptosh se sa i fortë është frymëzimi i fëmijëve të fëmijëve për njeriun. Por duhet vetëm të theksoj se pas angazhimit në politikë së bashku me fëmijët e mi, nipërit e mi, moshatarët e tyre dhe mbarë qytetarët Shqiptarë kanë qenë frymëzimi i jetës sime e për të ndërtuar ëndrrën e “Lirisë” në këtë vend!”, – tha Vorpsi nga selia blu. Kryeministri duke dhënë detaje nga jeta e tij, që nga fëmijëria e deri më tani, tregon se është krenar për të gjitha gjërat që ka pasur me “kohë të plotë”. Duke thënë se ka lindur i bekuar, Berisha përmend fëmijërinë e tij, shkollimin, ndërsa përmend edhe vitet si burrë dhe baba. “Më duhet ti them Edvinit se i ka bërë një akuzë të rëndë vetes së tij! Kjo sepse një njeri normal që vlerëson familjen dhe vlerat e saj nuk mund të jetë kurrsesi bir, vëlla, bashkëshort, baba apo gjysh part-time pra në gjuhën Shqipe me “gjysmë kohe apo për gjysmë”. Ky modeli i fundit vlen vetëm për shumë pak njerëz që nuk kanë lidhje me vlerat familjare por ndjehet “çerek apo gjysmë kohe të lidhura me to”. Unë ndjehem i lumtur si një burrë “kohë plote” gjatë jetës sime dhe “jo çerek apo gjysmë burrë si ç’jeni faktuar dhe keni pohuar ju veten tuaj”!!! Familja jonë ka dy fëmijë për të cilët kam qenë gjithë jetën e tyre baba “kohë plote”; kam bërë gjithçka për edukimin e tyre!”, – përfundon reagimin e tij shefi i qeverisë, duke i dhënë përgjigje kështu Ramës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency