Konferenca rajonale e sigurisë detare Kryeministri: Të bashkëpunojmë për ndërtimin e Korridorit 8

0
117

Ina Jano

berishaMinistrat e Mbrojtjes të rajonit u mblodhën dje në Tiranë për të diskutuar për sfidat e sigurisë detare në Adriatik dhe Jon

 

Tema e sigurisë detare dhe sfidat e saj që ajo sjell ishin tema e diskutimit ditën e djeshme mes ministrave të Mbrojtjes të të gjithë rajonit. Në konferencën rajonale të ditës së djeshme ishte i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, i cili, duke vënë në dukje rëndësinë e sigurisë në det, u shpreh se të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të bërë ëndërr ndërtimin e Korridorit 8. “Prej 20 vitesh diskutohet Korridori 8, e cila është rruga natyrale e njerëzimit. Kur them njerizimin, domethënë dy kontinenteve dhe të tjera. E vërteta është që ai korridor është segment i Egnatias, por është në një mënyrë segment i Rrugës së Mëndafshtë. Unë ftoj që të bëjmë gjithçka për ndërtimin e tij. Qeveritë e vendeve tona, pavarësisht nga vështirësitë, duhet ta ndërtojnë atë korridor. Duhet ta ndërtojnë atë korridor si një korridor zhvillimi, promotor zhvillimi të fuqishëm për vendet e tyre, por edhe për rajonin dhe më gjerë”, – tha Kryeministri. Shefi i qeverisë përshëndeti organizatorët për zhvillimin e kësaj konference për një çështje shumë të rëndësishme, si dhe u shpreh se Shqipëria përpiqet në mënyrën më serioze për një luftë me tolerancë zëro ndaj dhunimit të ligjit në ujërat e saj territoriale. “Ky rajon, -tha Kryeministri, – ka potenciale të jashtëzakonshme, por në qoftë se e vështron, ky është rajoni ku mungojnë më shumë se në çdo rajon tjetër projektet e mëdha evropiane. Konsolidimi i konceptit do të bindë vendimmarrësit se zhvillimi i këtij rajoni është interesi jetik më i mirë i të gjitha rajoneve të tjera të Evropës, pasi këtu potencialet janë ndoshta më të mëdha se kudo, por këto janë për t’u shfrytëzuar dhe për t’u zhvilluar”. Gjithashtu, numri një i qeverisë u shpreh se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë më të sigurt rajonin. “Uroj dhe dëshiroj që vendet fqinje të rajonit, të ecin me hapa të shpejtë dhe kanë mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka vetëm do ta bënte rajonin më të sigurt dhe do të ishte një hap i rëndësishëm në sigurinë e mëtejshme të krahut juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, – tha kryetari i qeverisë. Në këtë konferencë merrnin pjesë dhe përshëndetën ambasadori i SHBA-sp në Tiranë, z. Alexander Arvizu, por edhe personalitete si Franco Frattini.

Ministri i Mbrojtjes, Imami, duke marrë fjalën theksoi se ne po zhvillojmë këtë konferencë me një qëllim të dyfishtë. “Së pari, si të shfrytëzojmë mundësitë e ofruara nga zonat detare në interes të zhvillimit rajonal dhe së dyti, si të adresojmë dhe organizojmë një përgjigje rajonale ndaj sfidave që mund “të ndikojnë” këtë hapësirë barazisht jetike për të gjithë ne që jemi ulur rrotull kësaj tavoline. Qoftë si vend anëtar ose partner i NATO-s, të gjithë jemi tashmë më të vetëdijshëm për rëndësinë e projekteve të përbashkëta që mund të afrojnë vendet tona të vogla rajonale, përmes një bashkëpunimi më të fortë dhe kuptimplotë, të interesuar drejtpërdrejt në qasjen e “Smart Defence””, – deklaroi ministri Imami, ndërsa Franco Frattini nënvizoi rëndësinë e rajonit të Adriatikut dhe Jonit, jo vetëm për vendet që lagen nga këto ujëra, por edhe më gjerë, arritjet e shënuara në fushën e vëzhgimit dhe të kontrollit të hapësirave detare të rajonit tonë, shfrytëzimin e këtij rajoni nga pikëpamja ekonomike, si dhe angazhimin e vendeve tona për ndërtimin e aksioneve të përbashkëta për forcimin e luftës kundër rreziqeve dhe sfidave detare si terrorizmi, krimi i organizuar, trafiqet e ndryshme etj.
Konferenca “Sfidat e sigurisë detare në Adriatik dhe Jon” zhvillohet në kuadër të iniciativës së Adriatikut dhe Jonit, iniciativë e krijuar që në vitin 2000, në Ankona të Italisë. Aktualisht, Shqipëria ka marrë presidencën e radhës. Qëllimi i konferencës për sigurinë detare ishte shkëmbimi i përvojës dhe i praktikave më të mira të vendeve të rajonit tonë në fushën e sigurisë detare, duke krijuar një mirëkuptim më të gjerë dhe një bashkëpunim më të mirë mbi rreziqet dhe sfidat për sigurinë detare që na presin në të ardhmen.

 

 

Rikonstruksioni

Berisha: Në shtator fillon projekti i ujitjes

Kryeministri përuroi dje nisjen e punimeve të rrugës në aksin Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj në Lushnjë. Në fjalën e tij, Berisha ka premtuar asfaltimin e çdo kilometri rrugë në të gjitha zonat e vendit, ashtu siç ka bërë edhe në fshatrat e tjerë ku ka shkelur. Nën moton ta bëjmë fshatin si qytetin, lideri demokrat tha se të gjitha fshatrat do të jenë si qytetet. “Rruga jonë është një rrugë e ndershme, e bazuar në projekte zhvillimi. Këto vite është investuar nga 10 deri në 22 herë më shumë se në kohën e qeverisjes socialiste. Ne po ecim drejt integrimit evropian dhe përpara nesh tani hapet një treg i madh në të cilin konkurrenca është shumë e madhe. Prandaj, ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar fermerët që të ecin sa më përpara në tregun e madh evropian. Në këtë kohë eksportet bujqësore janë trefishuar, por ju nuk keni pasur rrugën që meritoni, nuk keni pasur vaditjen që meritoni, nuk keni pasur plehrat e duhur kimikë për prodhimet tuaja bujqësore. Por në 4 vitet e ardhshme ne do të rimbursojmë me para në dorë TVSH-në e makinerive, imputeve, plehrave dhe kimikateve dhe të çdo gjëje tjetër që do të blini për rritjen e prodhimit në fermat tuaja. Do të kompensojmë me para në dorë akcizën e naftës që do të shpenzoni për të punuar tokë e fermave tuaja”, – u shpreh lideri demokrat. Kryeministri ka premtuar se në shtator do të fillojë projekti më modern i sistemit të ujitjes për fermerët shqiptarë dhe aplikimet për këtë projekt do të fillojnë nga Lushnja. Ky është një projekt i cili kushton 60 milionë euro dhe do të jetë projekti më i madh në vitet që vijnë së bashku me Rrugën e Arbrit dhe Boshtin e Jugut. Berisha nuk la pa sulmuar edhe kryesocialistin Rama, duke i bërë thirrje që të vijë dhe të shikojë kodrat dhe serat e Hysgjokajt.

 

 

Ura Vajgurore

Berisha premton zgjidhje të problemeve për banorët

Formati “Town-hall” është duke funksionuar në Shqipëri dhe të gjithë janë duke e përqafuar, kjo edhe për faktin e thjeshtë se duke u marrë me problemet edhe më të vogla, në këtë mënyrë mund t’u japësh zgjidhje halleve të një komuniteti të caktuar. Ditën e djeshme, kreu i qeverisë, Berisha, u ndal në bashkëbisedim me banorë të Urës Vajgurore në qarkun e Beratit. Shefi i qeverisë e ka përqendruar të gjithë diskutimin e tij në përgjigje të halleve dhe problemeve të banorëve të kësaj zone, ku uji i pijshëm dhe legalizimet për 14 shtëpi ishin kryefjala e takimit. “Duhen disa veprime burokratike se trualli është në pronësinë e MM, do transferohet nga njëra ministri në tjetrën, kam ngarkuar një këshilltar timin për ta ndjekur. Kjo çështje do ndiqet dhe do zgjidhet, kudo raste analoge i kemi zgjedhur. Në çdo rast që është e mundur ne do veprojmë. Problemi me ujin është një çështje shumë e rëndësishme. Do ta shqyrtojmë menjëherë. Unë do çoj specialistët ta zgjidhin, ju do merrni ujë të pastër”, – deklaroi ai. Berisha premtoi se do ta shohë me seriozitet të madh edhe problemin e ndotjes së mjedisit nga guroret dhe furrat e gëlqeres dhe garantoi zbatimin e masave të rrepta për funksionimin e tyre si dhe rehabilitim të zonave të shkëmbëzuara. “Beratit dhe kësaj zone i takoi të përballonte kërkesë shumë të madhe, të Fierit dhe Lushnjës në gurë, sepse gurë të disa zonave të tjera nuk dolën të përshtatshëm për rrugët. Por kjo nuk do të thotë se këtu duhet të ndotet mjedisi, ndaj do të ketë trajtim të veçantë, duke imponuar dhe zbatuar një politikë rehabilitimi të zonave të shkëmbëzuara nga marrja e gurëve. Sa u përket furrave të gëlqeres, Drejtoria e Mjedisit duhet të diktojë me urgjencë rregulla më të rrepta të funksionimit të tyre. Të njëjtën gjë bëmë edhe në Fushë-Krujë. Gëlqerja duhet, por duhet të piqet mbi bazën e rregullave të duhura”, – tha Kryeministri.

 

Bogdani: PS, deklarata personale, mbi ato të shqiptarëve

Partia Demokratike ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama, se për 230 ditë mbajti peng ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Në një konferencë për mediat, Gerti Bogdani tha se shkaku i bllokimit të votimit të ligjeve kishte si qëllim çimentimin e karriges së tij në krye të Partisë Socialiste. Sipas deputetit demokrat, Rama me veprën e tij thjesht ka dëmtuar ekonomikisht të gjithë shqiptarët. “Pasi e prishi këtë ëndërr dhe dëmtoi ekonomikisht të gjithë shqiptarët, jo vetëm për 230 ditë, por edhe për mbi 230 ditë të tjera, pra për më shumë se 1 vit, sepse edhe nëse do t’i votohen tri ligjet nesër në Parlament, siç ka kërkuar PD, 230 ditë me radhë statusi merret në dhjetor të këtij viti. Rama, duke votuar të enjten, kërkon të lahet me ujërat e tij tri javë para zgjedhjeve, duke besuar se kështu do mund të lajë duart si Pilati para shqiptarëve që tashmë e kanë të qartë se kush ua pengoi ëndrrën evropiane. A do t’ia falin shqiptaret bllokimin që i bëri Rama pasaportës së tyre si qytetarë të një vendi me statusin e kandidatit për anëtarë të BE-së?! Edhe për sa kohë Edi Rama do të vazhdojë të jetë një faturë e shtrenjtë për shqiptarët, një faturë që duhet ta paguajë secili prej nesh, madje edhe fëmijët tanë?”, – përfundoi Bogdani. Sipas tij, shqiptarët janë tashmë përballë dy alternativave, duke kujtuar se historia i ka ndëshkuar gjithmonë bllokuesit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency