Piramida/ Veliaj premtoi qendrën më të madhe digjitale në Ballkan, por e mbushi plot me bare

0
72

Në 11 maj 2023, Piramida e Tiranës u përurua me një premtim të madh: të bëhej qendra më e madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ethet e fushatës për mandatin e tretë, e përshkroi Piramidën si një hapësirë inovative dhe tërheqëse për teknologjinë. Një vit pas këtij premtimi, Faktoje monitoroi aktivitetet dhe shërbimet e ofruara në Piramidë, nëse e përmbushin misionin e artikuluar nga Veliaj. Verifikimi tregoi se përveç qendrës “TUMO”, shumica e hapësirave janë të zëna nga bare, restorante dhe shërbime të tjera, ndërsa ekspertë të teknologjisë argumentojnë pse Piramida sot është shumë larg të qenit një qendër inovacioni.

Në 11 maj 2023, Edi Rama dhe Erion Veliaj e mbyllën fushatën elektorale për Tiranën me përurimin e Piramidës së transformuar.

Nën një spektakël dritash, entuziazmi i kryebashkiakut të Tiranës që kërkonte një mandat të tretë, përfshiu edhe këtë deklaratë:

“Sot ne nuk hapim vetëm një ndërtesë, një stoli, apo një pikë observimi dhe një vend për t’u “instagramuar”, por hapim njëkohësisht dhe qendrën më të madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”.

Një vit pas kësaj deklarate Faktoje monitoroi në terren shërbimet dhe aktivitetin që zhvillohet te Piramida.

E vetmja qendër që ofron shërbime digjitale në fushën e programimit dhe kodimit për të rinjtë është “TUMO”, e cila më përpara i ofronte kurset pranë Stadiumit “Air Albania” dhe më pas u zhvendos në Piramidë.

Në këtë strukturë, nuk ka asnjë njësi tjetër që ofron shërbime të ngjashme.

Një prej kubave shumëngjyrësh në pjesën e jashtme të Piramidës i është dhënë kompanisë “Alba Game”. Edhe pse e specializuar në lojëra dhe pajisje digjitale, kjo njësi shërben vetëm për shitje produktesh teknologjike, dhe jo për kualifikimin e të rinjve.

Zyra pranë Piramidës kanë marrë ambasada amerikane dhe ajo franceze, për të ofruar njohuri për të rinjtë që duan të studiojnë në këto vende, por fokusi i tyre, bazuar mbi qëllimet e shpallura gjatë promovimeve, nuk është edukimi digjital.

Një ambient i jashtëm i është dedikuar edhe Kolegjit Evropian, një investim i BE-së për të rinjtë e Ballkanit në fushën e arsimit në nivel master, edhe ky i palidhur me aftësimin teknologjik.

Zyra pranë Piramidës ka përfituar përmes qerasë, një bankë e nivelit të dytë (Intesa Sanpaulo) dhe kompania e sigurimeve, Sigal. Ne verifikuam të gjitha shërbimet që ofrohen nga subjektet që operojnë tek Piramida, por edhe ato nuk ofrojnë kurse apo trajnime të posaçme për të rinjtë, por vetëm aktivitet tregtar.

11 ambiente janë vënë në funksion të subjekteve private, si bare, restorante, apo dyqane suveniresh.

Nga verifikimi rezultojnë marka të njohura në tregun vendas të këtyre shërbimeve, si: Mulliri, Mon Cheri, apo baret me emrat Sentea, Soma,  Dev8, Tonys dhe Papas.

Atyre iu bashkohen edhe restorantet e pastave: Pastaria dhe Banas, kurse brenda në Piramidë ka edhe një dyqan suveniresh.

Fondacioni Shqiptaro Amerikan (AADF) që bashkë-menaxhon këtë godinë me Bashkinë Tiranë, i ka dhënë një zyrë brenda në Piramidë edhe organizatës jo qeveritare rinore të krijuar prej vetë fondacionit, të quajtur Junior Achievement Albania.

Zyra me shërbime mikse në Piramidë

  1. Banka Intesa Sanpaulo
  2. Kompania e Sigurimeve, Sigal
  3. OJQ, Junior Achievement Albania (Pjesë e AADF)
  4. Zyra e Kolegji Evropian
  5. Klubi Francez
  6. Zyra e SHBA për edukimin
  7. Dyqan Alba Game

A ndryshoi TUMO kur shkoi në Piramidë?

Bashkia Tiranë u pyet për zhvillimet në Piramidë gjatë këtij viti, por ajo i shmangu përgjigjet konkrete me argumentin se kjo strukturë tashmë menaxhohet nga një OJF, e quajtur “Qendra Piramida”, të cilës Bashkia Tiranë i ka dhënë në huapërdorje pasurinë.

Shqipe Berisha, menaxherja e qendrës “Tumo”, e kontaktuar përmes telefonit u shpreh e kënaqur për zhvendosjen e “Tumo”-s në Piramidë.

Sipas saj, “Piramida tërheq më shumë vëmendje dhe e bën më të lehtë për të rinjtë dhe familjet e tyre të kenë informacion dhe interes për programet e ofruara nga “Tumo””.

E pyetur për Faktoje se çfarë ofron më shumë qendra tani në Piramidë, menaxherja Berisha tha se janë shtuar dy disiplina të reja për të rinjtë.

“TUMO Tirana, në hapjen e saj në vitin 2020, ofronte 8 disiplina: Modelim 3D, Robotikë, Dizajn Grafik, Animacion, Programim, Zhvillim Lojërash, Muzikë dhe Prodhim Filmash. Me zhvendosjen në Piramidë, u bë e mundur shtimi i dy disiplinave të reja: Fotografia dhe Vizatimi”,-tha Berisha.

Sipas ekspertit të teknologjisë, Besmir Semanaj, ajo që ofron sot Piramida nuk ka asnjë ndryshim me klubet që mund të krijojë një gjimnaz në Amerikë apo në BE pas mësimit.

Këto qendra teknologjike duhet të komercializohen, por jo në kuptimin shqiptar të kësaj fjale, që e ka kthyer sot Piramidën në qendër biznesi. Në qendra të ngjashme në Amerikë apo BE nuk gjen dot asnjë kafe të vetme, e këtu ndodh e kundërta. Sfidoj çdo politikan që reklamon këtë qendër, të gjejë një të ngjashme në Ballkan apo Europë që ka një numër të madh kafesh e restorantesh në një sipërfaqe të tillë dedikuar inovacionit”,-tha Semanaj për Faktoje.

Edhe për ekspertin tjetër Gentian Progni, një qendër kursesh më shumë, nuk është një vlerë e shtuar për sa kohë në vend operojnë qindra të tilla.

Paradoksi më i madh është se kanë dhënë miliona euro për qendra kursesh, inovacioni e start up-e, por nuk kanë deri më tani asnjë histori suksesi, asnjë të vetme, e kjo tregon shumë për fasadën”, – tha Progni për Faktoje.

Prof. Ndriçim Mehmeti, një hartues i politikave arsimore, tha për Faktoje se sot Piramida nuk i ngjan në asnjë element qendrës apo parkut të lirë të teknologjisë për të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës.

“Është e dhimbshme, zhgënjyese dhe plot dritëhije të korrupsionit, sikundër ka ndodhur edhe me prona të tjera publike që janë nisur në shërbim të komunitetit dhe kanë përfunduar në shërbim të bizneseve private”,-tha Mehmeti.

Ende të etur për bare?

Bashkia Tiranë refuzoi të informojë mbi baret që janë vendosur në Piramidë dhe se si janë përzgjedhur ato, duke thënë se “Qendra Piramida”, nuk është një autoritet publik, për këtë arsye çdo subjekt i interesuar duhet t’i drejtohet drejtpërdrejt qendrës për t’u informuar në detaje”.

“Pushtimi” i Piramidës nga të paktën 11 njësi tregtare ka shkaktuar reagimin e shoqërisë civile.

Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare thotë se “bashkë me 1.6 milione Euro shkuan dëm premtimet, dhe ëndrrat të gjitha u reduktuan në “Bar-Kafe”.

“Për fatin e keq të të gjithëve, me këtë qasje, vendi ynë do të vazhdojë të mbajë rekordin e vendosur në 2018 ku për herë të parë u rendit në vendin e parë në botë për numrin e Bar Kafeve në raport me popullsinë edhe për këtë, politikëbërësit nuk shqetësohen, por janë gati të lëshojnë edhe objektet arsimore me qira për Bar- Kafe”, – tha Qiraxhi.

Bare, restorante, dyqane: 11 njësi

  1. Mulliri
  2. Mon Cheri
  3. Banas
  4. Dyqan suveniresh
  5. Bar Sentea
  6. Bar Soma
  7. Bar Dev8
  8. Bar Tonys
  9. Pastaria
  10. Bar Papas
  11. Bar në pjesën e brendshme

A është sot Piramida qendra më e madhe digjitale në rajon?

Ditën e hapjes së Piramidës, Veliaj e cilësoi atë si “qendrën më të madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”.

Siç u pohua nga vetë menaxherja e të vetmes hapësirë teknologjike në Piramidë, Tumos, aktualisht  qendra frekuentohet çdo javë nga 1680 nxënës të Tiranës, të moshës nga 12-18 vjeç.

Fëmijët e tjerë të Shqipërisë nuk kanë mundur të frekuentojnë kurset.

Kemi pasur fëmijë nga Elbasani, Thumana dhe Durrësi. Rreth 20 gjithsej”,-tha Shqipe Berisha për Faktoje.

Ajo konfirmoi se kaq është rrezja e veprimit të Tumo-s, duke nënvizuar se në qendër nuk kishte marrë leksione asnjë i ri i ardhur nga vendet e tjera të rajonit.

“Jo, për shkak se TUMO ofron mësim pas shkolle dhe është e dedikuar për të rinjtë nga mosha 12-18 vjeç. Megjithatë, në Piramidë do të hapen së shpejti qendra të tjera të edukimit teknologjik, për studentë mbi 18 vjeç që do të mund të mirëpresin studentë nga vende të tjera,”-tha drejtuesja e TUMO-s.

Anxhelo Lushka, një programues i interesuar për zhvillimet brenda Piramidës, pohon: “Fatkeqësisht, nuk e konsideroj Piramidën qendrën teknologjike që u premtua, pasi nga vëzhgimet që kam bërë, nuk kam parë asnjë entitet që lidhet me botën e teknologjisë/digjitalizimin apo inovacionin që të shfrytëzojë ambientet e Piramidës”.

Gentian Progni, i cili e deklaron veten një grup interesi, sepse zotëron një kompani në atë fushë, thotë se Piramida nuk ka fare lidhje me atë që u premtua.

“Aty është një qendër biznesi, ku kostot për të pasur një zyrë apo një ambient janë shumë herë më të larta se kudo në Tiranë”,-tha Progni për Faktoje duke sjellë si shembull të një historie suksesi qendrën ICT në Kosovë.

 “Drejtuesi i tyre ka hyrë në 40 personat më të rëndësishëm për influencimin e teknologjisë në botë, sipas Forbes. Nuk duhet të shpikim rrotën, mjaft ta shohim si diçka në shërbim të të rinjve, dhe jo në diçka fitimprurëse siç është bërë sot”,-tha Progni.

Besmir Semanaj vë theksin tek thithja e investitorëve pranë qendrave të tilla për të nxitur kërkimin dhe zhvillimin.

Një qendër teknologjike duhet të ketë ndërtesë dhe pajisje moderne. Qendra duhet të ofrojë konsulencë ligjore për ata që ndërtojnë start-up aty. Duhet të ofrohen trajnime të vazhdueshme, falas apo më lirë se në tregun e hapur.  Duhet të ketë evente dhe konferenca të përditshme. Duhet të ndërtohet një komunitet i fokusuar në këtë sferë”,-thekson eksperti Semanaj.

Hartuesi i politikave arsimore Ndriçim Mehmeti, vlerëson se Bashkia duhet të bashkëpunonte me ministritë, por edhe me fakultetet e teknologjisë publike apo private. “Fakti se deklaron që ka një qendër me këtë emër, nuk  justifikon një investim dhe sipërmarrje kaq të kushtueshme,”-tha Mehmeti për Faktoje.

Përfundim

Bazuar në verifikimet në terren, të dhënat zyrtare të ofruara dhe nga vlerësimet e ekspertëve, deklaratën e kryetarit të bashkisë Tiranë se Piramida është qendra më e madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, e kategorizojmë si të pavërtetë.

/Esiona Konomi / Faktoje

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here