FOTO/ Metani i ILD dhe Bushka e Ligjeve “qajnë hallet” e drejtësisë me verë e krudo

0
63

Nga Boldnews.al

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka një rol parësor në monitorimin e aktivitetit të institucioneve të drejtësisë.

Për çdo vit, krerët e “Drejtësisë së Re” duhet të raportojnë dhe t’u përgjigjen interesimit të deputetëve të Ligjeve për realizimet dhe problematikat në aktivitetin institucional.

Por, jo gjithnjë ndodh kështu. Klotilda Bushka zgjedh që t’i “qajë hallet” e drejtësisë edhe në ambjentë jo-formale, madje miqësore.

“Boldnews.al” ka siguruar një foto, në të cilën Bushka e Ligjeve shihet në shoqërinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

Ambjenti rrethues është i këndshëm. Dy titullarët e rëndësishëm gjenden në mjediset e një lokali, pranë zonës së Shallvareve në Tiranë, i cili menaxhohet nga një eksponent i Partisë Socialiste.

Në tavolinën e tyre, natyrisht, nuk janë raportet e kryeinspektorit për Parlamentin, por verë dhe krudo.

Foto: Kryetari i ILD-së, Artur Metani dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka shfaqen bashkë në një lokal në zonën e Shallvareve

Bushka dhe Metani mund të jenë miq jashtë petkut zyrtar dhe institucional. Megjithatë, ky lloj bashkëpunimi jashtë-institucional shërben për të ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e kontrollit parlamentar mbi Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Bushka dhe Metani i përkasin të njëjtit spektër politik, megjithëse e para është deputete e Partisë Socialiste dhe i dyti, si rregull, duhet të jetë “i pavarur”.

Por, “pavarësia” e Artur Metanit është e besueshme, aq sa e besueshme është që të futet një elefant i gjallë në frigorifer.

Metani është vëllai i Eglantina Gjermenit, ish-deputetes socialiste dhe ish-ministre e kabinetit “Rama 1”.

Vetë Artur Metani ka mbajtur për disa vite pozicionin e drejtorit juridik në Këshillin e Ministrave, të paktën gjatë dy mandateve të kryeministrit Edi Rama.

Metani është një ndër personat e kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike, për rolin e tij në aferën e inceneratorëve.

E, megjithatë, ai u zgjodh si “i pavarur” në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, një institucion shumë i rëndësishëm i krijuar pas Reformës në Drejtësi.

Detyra e tij është inspektimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Pra, një rol tejet specifik për të siguruar një gjyqësor me integritet të lartë.

Por, përmbushja e detyrës duket se realizohet në lokalin e këndshëm, që ngjan se është shndërruar në një lloj “foleje” ku zgjidhen hallet e drejtësisë dhe politikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here