Afera e djegësit të Tiranës/ Këlliçi fakton me dokumente ekskluzive rolin e Veliajt si negociator i Inceneratorit

0
46

KËLLIÇI: Ditën e djeshme kam depozituar zyrtarisht në SPAK kallëzimin e radhës për shtetasin Erion Veliaj. Janë 174 faqe dokumente të analizuara dhe nënvizuara që faktojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, lidhjet e Erion Veliajt me biznesin e trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve në Tiranë.

Ky biznes siç faktohet në Vendimin e Asamblesë së AMIA Verona në prill të vitit 2016, ka nisur sapo Veliaj është emëruar Ministër në qeverinë Rama 1. Sipas dokumentit në ekran, shtetasi Vladimir Fezga është paguar nga shoqëria AMIA Verona për negociatat e suksesshme me autoritetet shqiptare për periudhën Nëntor 2013 – Nëntor 2016.

Por ky dokument përmban një të dhënë edhe më komprometuese. Deri më Qershor të vitit 2015, negociatat mes palëve, citohen në dokument si informale. Pas zgjedhjeve lokale, më Qershor 2015, kur Erion Veliaj u zgjodh Kryetar i Bashkisë Tiranë, këto negociata, sipas këtij dokumenti, me vendim të Asamblesë së Ortakëve FORMALIZOHEN, për tu mbyllur me sukses të plotë më Qershor të vitit 2016, atëherë kur themelohet kompania ECO Tirana, me aksioner 51% Bashkia Tiranë dhe 49% AMIA Verona.

Pas këtij veprimi, në Gusht të vitit 2016 ndodh tragjedia. Në Landfillin e Sharrës gjendet i pajetë trupi i 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj. Deri në këtë ditë, po me firmën e Erion Veliajt, biznesi i riciklimit i ishtë dhënë drejtorëve 5D të Bashkisë.

Pas tragjedisë së Ardit Gjoklajt, menjëherë Erion Veliaj vendos të shpërblejë sekserin Vladimir Fezga, duke ndërmarrë 2 veprime. E para i jep të drejtën këtij shtetasi për të zhvilluar biznesin e riciklimit në Landfillin e Sharrës dhe le të ndalemi pak tëk ky moment:

Sipas dokumentacionit që kam depozituar në SPAK, Vladimir Fezga kur paraqitet për të marrë lejen mjedisore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, depoziton sipas përcaktimeve ligjore kontratën dhe miratimin që i ka dhënë Bashkia Tiranë për përdorimin e tokës dhe të impiantit në landfill.

Asokohe i pyetur nga gazetarët, Erion Veliaj shprehej se nuk ka asnjë marrëveshje me kompaninë e Vladimir Fezgës, pasi do duhej të merrte fillimisht miratimin e Këshillit Bashkiak, në zbatim të Ligjit ‘Për vetëqeverisjen vendore’.

Ndërkohë edhe pse u vu në dijeni nga gazetarët, ai zgjodhi të mashtrojë publikisht dhe i ka konfirmuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, vërtetësinë e letrave të dorëzuara nga Fezga e për pasojë, pa u pyetur fare Këshilli Bashkiak Tiranë, Agjencia vendos të miratojë lejen mjedisore.

Shpërblimi i dytë është themelimi i ECO Recycling. 51% rezulton aksionere ECO Tirana e Bashkisë Tiranë dhe 49% rezulton aksioner Vladimir Fezgaj. Deri këtu duket e qartë se si Erion Veliaj ngriti biznesin e riciklimit të mbetjeve. Më pas firmoset kontrata koncensionare për Inceneratorin Tiranë. Vladimir Fezga në këtë moment bëhet i panevojshëm dhe detyrohet ti shesë aksionet e tij tek kompania e Inceneratorit të Tiranës.

Sot po bëj publik një dokument ekskluziv, ku faktohet më së miri se pronari faktik i Inceneratorit Tiranë Erion Veliaj, ka negociuar të gjitha marrëdhëniet financiare të këtij biznesi. Sipas Vendimit nr.5 të Asamblesë së ECO Tirana, nën drejtimin dhe presidencën e Erion Veliajt, ky i fundit merr përsipër rolin e negociatorit mes Vladimir Fezgës dhe Inceneratorit Tiranë.

Fezga shet aksionet, por çuditërisht nuk merr asnjë lekë. Më pas Veliaj nëpërmjet një kontrate të mbajtur të fshehtë, vendos që dhe aksionet e ECO Tiranës t’ia kalojnë Inceneratorit Tiranë. Edhe për këtë kontratë, biznesi i Erionit, Inceneratori i Tiranës nuk paguan asnjë qindarkë.

E gjithë kjo skemë, është ngritur në dyshimet tona për pastrim parash dhe humbje gjurmësh, pasi kompania ECO Recycling, në momentin që firmoset kontrata konçensionare për 30 vite, nuk duhej të ekzistonte më, pasi procesi i riciklimit ishte eskluzivitet i Inceneratorit Tiranë.

Për ti faktuar SPAK se ECO Recycling ka vazhduar biznesin në landfillin e Sharrës, bashkëlidhur kallëzimit tonë, janë edhe të gjitha shënimet sqaruese të bilanceve të kompanisë.

Në kallëzimin e depozituar gjenden edhe të dhëna për humbjen financiare që ka pësuar Bashkia Tiranë me firmën e vetë Erion Veliajt, për t’ia dhënë biznesin e riciklimit drejtorëve të tij 5D.

I bëj thirrje SPAK, që të regjistrojë menjëherë këtë kallëzim penal për kolegun e tyre dhe pronarin faktik të Inceneratorit Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, i cili bashkë me shtabin e tij elektoral 5D, duhet të hetohen nën akuzën e Grupit të Strukturuar Kriminal dhe në lojë të futet Ligji Antimafia për sekuestrimin e të gjitha aseteve të kësaj organizate kriminale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here