Kaloi Vetingun/ Kryepolici I Vlorës shëtitje në Dubai me ministrin Balla, Dredha udhërrëfyes

0
73

Nga Boldnews.al

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, po zhvillon një vizitë në Dubai, me qëllim, siç thuhet, për të bindur autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe që të nënshkruajnë marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë.

Në Dubai besohet se fshihen një numër i konsiderueshëm personash në kërkim nga Shqipëria, por misioni i Ballës duket i vështirë për t’u arritur, për shkak të rregullave të mos-ekstradimit që aplikohen gjerësisht nga vendi arabik.

Gjithësesi, Balla i ka dhënë rëndësi këtij aktiviteti, duke u shoqëruar edhe nga një grup gazetarësh nga Tirana, të cilët raportojnë për takimet e kreut të Ministrisë së Brendshme.

Por, ajo që bie më shumë në këto takime është përbërja e delegacionit zyrtar që shoqëron Taulant Ballën në Dubai.

Krahas Drejtorit të Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Drejtorinë e Policisë, i cili ka për detyrë funksionale menaxhimin e takimeve me zyrtarë të huaj, në shoqërinë e Ballës gjendet Drejtori i Policisë së Vlorës, Ermal Muçaj.

Është pak e paqartë se cili është roli i Muçajt në këtë vizitë zyrtare, kur, të paktën nga të dhënat publike, vlonjatët problematikë nuk e kanë konsideruar si “strehë” të tyre Dubain.

Ermal Muça u konfirmua pak ditë më parë në detyrë, pas një procesi Vetingu të zhvilluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore në Ministrinë e Brendshme.

Udhëtimi në Dubai duket se është një mënyrë e mirë për Muçën që të largojë stresin që mund t’i jetë krijuar nga procesi i lodhshëm i Vetingut dhe të shijojë konfirmimin në detyrë në një prej qytet-shteteve më të bukura në botë, për më tepër, në krah të Ministrit të Brendshëm.

Në delegacionin e Taulant Ballës shihet që është i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

Në foto: Taulant Balla në Dubai, i shoqëruar nga Ermal Dredha (rreth majtas) dhe Ermal Muça (rreth djathtas)

Posti i Dredhës nuk ka asnjë lloj lidhjeje me diskutimet zyrtare për të gjetur rrugët për ekstradimin e shqiptarëve të kërkuar.

Dredha, më herët, ka qenë Ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mesa duket, për shkak të postit të mëhershëm, kryebashkiaku i Vlorës mund të shërbejë si guidë për Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.

Dubai dhe Abu Dabi janë qytete të mëdha dhe ndaj një guidë e mirë është gjithnjë i nevojshëm, për të mos humbur sensin e orientimit në atë “rrëmujën urbane” me rrokaqiej dhe qendra luksoze tregtare.

Deri më tani, ende nuk dihet nëse Balla dhe delegacioni i tij kanë shijuar vlerat e kulinarisë së kuzhinierit të famshëm, Nusreti, pasi nuk ka as ndonjë foto apo video.

Kolegë të tij, në një takim të zhvilluar pak vite më parë, ndaluan tek Nusreti për “të ngrënë një çapë bukë”, pas lodhjes së krijuar në takimet e shumta me zyrtarë të Emirateve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here