Hodo Pashë Sokoli, legjendë historike

0
137

Nga Brikena Bogdo

 

Poeti kombëtar At Gjergj Fishta tek Lahuta e Malësisë shkruan:

Hodo Begu si bubullima

Nshtat Krajlit i shkoi ushtima…

Rrugëtimi i Hodo Pashë Sokolit ishte i vështirë së gjalli, por, rezultoi po aq i vështirë, në vendosjen si gur themeltar, midis gurësh, të shpërbërë në një mozaik të deformuar. Atë botë, një vdekje tragjike, sot një harresë historike. Shqiptarët e njohin luftën për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës në vitin 1880, por dinë shumë pak për figurën që e udhëhoqi këtë luftë. Pas Plavës dhe Gucisë, e gjithë rezistenca e Lidhjes së Prizrenit u spostua në Shkodër, ku figura qëndrore ishte Hodo Pashë Sokoli, e njëjtë për nga statura me Ali Pashë Gucinë dhe Abdyl Frashërin. Gjatë viteve 1920-1930, janë botuar këngë popullore, kushtuar ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit por, dhe figurave udhëheqëse, si dëshmi e jehonës, në ndërgjegjen popullore. Aty përmenden edhe udhëheqësit e shquar të lëvizjes, Abdyl Frashëri, Ali Pash Gucia, dhe Hodo Pashë Sokoli. Këtyre tre figurave qëndrore, udhëheqëse të Lidhjes së Prizrenit, populli iu thurri vargje. Trimëria heroike e Shqiptarëve në mbrojtje të Hotit dhe Grudës, kundër forcave Malazeze mahniti botën.

U çudit e tan Europa

Çasqer trima paska Shqypnia…

Hot e Grud ishin betue

Ulen n Shkodër me qa dert,

Pa gjak malet mos me i lshue,

Jena nisë me u ba milet.

Shkodër e Malci janë çue,

Duen me zgjedh nji komandant,

Hodo Pashën kan emnue

Nuk ka çajre pa na ardhë…

Një ndër bijimet e ndryshme të kësaj kënge e shohim si shembull (të qëmtuar pa muzikë) nga Luigj Gurakuqi:

Hot e Grud jan betue

Për me njoft nji tpar,

Hodo Pashën kanë shënue,

Nuk ashtë punë për mos me ardh.

Hodo Pasha paska thanë:

Unë jam ndodhun nushtri,

I hodh format e mirallait,

Për me i dhanë nder Shqypnis.

Hodo Pashë Sokoli shkriu tërë pasurinë e tij për të mbajtur dhe udhëhequr një ushtri prej 10 mijë luftëtarësh, shprehen sot pas më shumë se 100 vitesh, mbesat e tij, Fitret (90 vjec) dhe Sabrije Sokoli 88 vjeç. Ato toka që i mbrojti Hodo Pashë Sokoli me 10 mijë luftëtarët, nuk arritën më ti marrin të huajt, tregojnë thjesht mbesat e tij. Ajo figurë mbeti legjendë megjithë përpjekjet për ti zhdukur realitetet. Një familje legjendare e skalitur në legjenda, e cila tregon se, si nga kjo familje u larguan 25 burra për të luftuar kundër Vezirit të Turqisë dhe u kthyen vetëm dy, njëri Aftabegu, legjenda e Shkodrës, paraardhësi i Hodo Pashë Sokolit. Aftabegu sapo hyn në pazarin e Shkodrës i drejtohet një të moshuari: Mirëse rri o plaku i mirë i Shkodrës. Ai i kthehet: Mirëse vjen o Aftabeg i Shkodrës. Aftabegu, i çuditur, e pyet se nga e njohu, pasi ai kishte vite larg, në luftra. Nga arma i përgjigjet i moshuari.

Nëse armët e kësaj familje ishin gati-gati një legjendë, oxhaku i saj është një legjendë e prekshme, ende sot. Stërmbesa e tij Teuta (Haxhihyseni) Bogdo, e rrëfen si përrallë përjetimin e saj fëminor:- Shtëpinë, në odën kryesore, e zinte oxhaku i rrallë, i gdhendur me mjeshtëri, ndërsa dhoma e madhe ishte e mbushur me armë argjendi, mes të cilave qëndronte madhërishëm shpata e Hodo Beg Sokolit. Thembra e Akilit, fuqia e familjes ishte arma, dhe pikërisht shpatën e Hodo Pashë Sokolit, Enveri ia dhuroi Stalinit.

Figura të papërsëritshme dhe të pazëvendësueshme mbas epokës Skënderbe-iane. Këto dy epoka legjendare, i lidh e njëjta psikë: figura që dinë të bashkohen, për tu shndërruar të pathyeshëm, që dolën së bashku, në një luftë krejt të pabarabartë, kundër Portës së Lartë, Fuqive të Mëdha, për ti zbrapsur ata. Figura, që ditën të bashkojnë forcat, me moton bashkimi bën fuqinë. Kjo i shndërron, në të papërsëritshëm për fatet e kombit.

Hodo Sokoli lindi më 17 nëntor 1834. Me kohën mundi të fitojë një kulturë të mirë nga ndjekja e shkollës “Ruzhdije”. Një burrë i lartë, i pashëm dhe shumë autoritar, por mbi të gjitha, trim dhe i njohur për virtyte të larta. Rrjedhur nga një familjeje me tradita të hershme në Shkodër, fitoi një vend nderi të merituar. Për talentin e tij ushtarak, u emërua kapiten i rojës së ishujve të liqenit, kufi me Malin e Zi. Ishte kapiten, që në kohën kur ishte guvernator Abdi Pashë Çekrezi, në vitin 1860. Më vonë, gradohet major i xhandarmërisë ushtarake, e formuar rishtas në atë kohë. Me rastin e ardhjes së Dervish Pashës, vali në Shkodër, më 1869, qe transferuar, në formë internimi në Stamboll. Veprimtar i Lidhjes së Prizrenit. Kryetar i Lidhjes Shqiptare, me qendër Shkodrën. Që në 19 prill 1880, del hapur kundër vendimit të Portës së Lartë për dorëzimin Malit të Zi, krahinat e Hotit dhe Grudës, duke hedhur për tokë medaljet dhe nderimet që kishte fituar gjatë karrierës ushtarake, në xhandarmëri. Fakti që këmbeu uniformën, me veshje tradicionale shqiptare, në mbledhje, e forcon edhe më tepër këtë vepër simbolike.

Këtë ditë e tregon me hollësi Dom Pal Shantoja, në formën e një artikulli. Më 19 Prill 1880, të nesërmen e nënshkrimit, në Stamboll, të Protokollit për kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi, u zhvillua në Shkodër një nga manifestimet më të mëdha që kishte parë ai qytet. Atë ditë, në sheshin përpara ndërtesës së bibliotekës, rrëzë Rozafatit, u mblodhën të gjithë qytetarët, sëbashku me mijra fshatarë të rrethit. Sipas letrës, që shkroi dy ditë më vonë Engjëll Çoba, në miting u fol për vendimet që kishte marrë Komiteti Ndërkrahinor, në lidhje me mbrojtjen e Hotit dhe Grudës.

Ai e përshkruan mitingun popullor me njoftime politike sensacionale. Letra e tij, e shkruar në trajtë reportazhi, drejtuar gazetës Algemeine Zeitung u botua më 20 prill, në një nga shtyllat e saj, dhe u ribotua, pothuaj në të gjitha gazetat e Europës. Ajo që la përshtypje të thellë në opinionin europian ishte një frazë paralajmëruese: Nëqoftëse, Fuqitë e Mëdha kanë hequr dorë nga parimet e drejtësisë, shqiptarët do të derdhin gjakun e tyre për lirinë e shenjtë.

Mitingu popullor u zhvillua, nën udhëheqjen e Hodo Bej Sokolit, ku u bë e qartë se, shqiptarët janë të vendosur që të mbrojnë deri në fund Hotin dhe Grudën. Sipas letrës së Pal Shantojës, në mitingun e Shkodrës, më 19 Prill 1880, Hodo Sokoli, kryetari i Shtabi Ushtarak të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Shkodrës, mbajti një fjalim të zjarrtë. Ai tha ndër të tjera: Të nderuar vëllezër të Lidhjes Shqiptare. Ministrat e Fuqive të Mëdha që u mblodhën në Berlin vepruan me një padituri të plotë për vendin tonë dhe me banorët e tij, kur na shitën neve, ne që jemi rraca më e pastër dhe më fisnike e botës. Por ne, stërnipërit e Skënderbeut, dhe të bashkluftëtarëve të tij, të braktisur nga të gjithë dhe të rrethuar nga një kope ujqërish të uritur, në pritje të presë, ne do të dimë të mbrojmë vetveten dhe të nderojmë varret e etërve tanë. Ne e shtypëm hidhërimin tonë dhe i shkelëm ndjenjat tona më të shenjta, atëherë kur dorëzoheshin te armiku, vellezërit tanë të Podgoricës dhe Shpuzës. Ne, as tani nuk duam ta ndryshojmë me forcë gjendjen e sendeve. Për ne, ky ishte lëshimi i fundit që mund të bënim, kurse nesër përsëri do ti jepen armikut, vëllezërit tanë të Hotit, Kastratit dhe të Kelmendit. A do ta lejoni ju këtë? Një Jo e fuqishme vazhdon letra e Pal Shantojës, e cila doli nga mijra e mijra gjokse, ishte përgjigja që iu dha aty për aty, Hodo Sokolit.

Pastaj oratori vazhdoi: Edhe unë nuk dua të lejoj këtë lëshim. Sot, që morra vesh shpirtin e lig të sulltanit dhe vullnetin e tij të prerë, që ai ka për të na shitur ne si skllevër dhe për të na shkatëruar si rracë, që nga ky cast, po shkëputem prej tij dhe nuk kam ndërmend të njoh, as Padishah, as Stamboll. Menjëherë, pasi shqiptoi këto fjalë thuhet më tej në letrën e përmendur, plaku trim shkëputi spaletat e arta nga uniforma e tij ushtarake, shkëputi po nga gjoksi i tij dekoratat e shumta, i flaku në tokë dhe i shkeli me këmbë. Shembullin e tij e ndoqën 150 oficerë që ishin të pranishëm në kuvend. Pastaj Hodo Beu thirri: O burra! Le ti tregojmë botës se, kush jemi ne dhe çfarë dëshirojmë me të vërtetë. O bajraktar i Hotit, kryeje pra detyrën tënde Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës Ismail Marku, bajraktar i Helmit (Hot), trupmadh me fytyrë të pjekur nga dielli, i cili me një të qëlluar të jataganit, theu shtizën ku valvitej flamuri gjysmëhënës. Flamuri i sulltanit ra përdhe, në pluhur. Pastaj, bajraktari i Hotit, Çun Mula, midis brohoritjeve të papërmbajtura valviti flamurin e kuq kombëtar.

Gjithsesi, se kush realisht e ngriti flamurin kuq e zi atë ditë, është shumë e diskutueshme. Disa versione tregojnë që flamurin e ngriti vetë Hodo Sokoli. Sipas letrës së Shantojës, fjalën e mori përsëri Hodo Sokoli. Ai shpjegoi me elokuencë pasqyrën e gjëndjes së punëve dhe parashtroi mendësinë e fitores së luftës, që do të ndërmerrej kundër Malit të Zi. Armë kemi, madje kemi me bollëk, municionet nuk na mungojnë, madje për të luftuar disa vjet, vetëm të hollat na mungonë, pasi shqiparët janë trima por, të varfër. Në këtë cast, kryetari i esnafit të rreshperëve dha aty për aty, si ndihmë për të përballuar nevojat e luftëtarëve, që ndodheshin nën armë, 500 lira flori, dhe premtoi se së shpejti do të jepte edhe më shumë. Letra e Pal Shantojës pati një jehonë të thellë, në opinionin publik europian. Ana sensacionale e saj, qëndron në faktin që, përveç se pritej një luftë midis shqiptarëve dhe malazezëve, tani po paralajmërohej edhe një shkëputje e shqiptarëve nga sundimi shekullor osman.

Kjo erë baruti nxiti disa organe të shtypit europian të dërgonin korrespondentët e tyre të posaçëm për të ndjekur nga afër, ngjarjet tronditëse shqiptare. Por, figura e Hodo Pashës kishte filluar të diskutohej në rrethet diplomatike, edhe më përpara datës 19 Prill. Kirby Green, konsulli anglez në Shkodër i shkruan markezit Salisbury, Ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe: Imzot, trazirat këtu, lidhur me lëshimin e parashikuar të disa malësive katolike për Malin e Zi, në shkëmbim të Gucisë, ende vazhdojnë, por është mjaft e vështirë të kuptohet se, si do të përfundojë. Disa persona që, luajnë rol udhëheqës në to, më kanë siguruar se, është menduar që të rrëzohet Izet Pasha, guvernatori i përgjithshëm, dhe të caktohet në vend të tij, Hodo Beu, kryetari i policisë dhe kreu i njërës nga familjet myslimane, më me ndikim në këtë qytet. (Shkodër, 29 mars, 1880).

Hovin që morri lëvizja autonomiste në Shkodër, J.Haxhivasiljeviçi e quan revolucion kombëtar. Fillimin e tij ai e sheh, në mitingun e 19 prillit, kur Hodo Sokoli hoqi spaletat dhe titujt, ku me të u bashkuan shumë funksionarë të tjerë, si dhe ngritja e flamurit shqiptar, ngjarje të cilën e quan si grusht shteti. Sipas tij, rezet e këtij revolucioni u shtrinë edhe në Kosovë. Këtu grushti i shtetit ndodhi, në Prizren, më 12 maj 1880. Atë ditë, kosovarët dëbuan nga Prizreni mytesarifin e Portë së Lartë, Ahmet Spahiun. Rritja e lëvizjes autonomiste, në të katër anët e vendit, u pasqyrua edhe në faqet e shtypit ndërkombëtar. Ndonjëri mendoi se, tashmë Shqipëria do të fitonte autonominë, madje do të ngrihej, siç shkruante gazeta I foni tis Alvanias, më 24 maj 1880, në shkallën e një principate të pavarur.

Përgjatë asaj ngjarjeje, e gjithë Lëvizja Shqiptare u tentua, të servirej nga faktori ndërkombëtar, si e nxitur dhe e mbështetur nga vetë Porta e Lartë. Një nga alibitë ishte pikërisht emri i Hodo Sokolit, i cili kishte qenë kryetar i policisë së Shkodrës, duke u konsideruar si njeriu i Portës së Lartë. Në diskutimet me Portën e Lartë, Fuqitë e Mëdha i kërkonin asaj arsyen, pse Hodo Sokoli mbante ofiqet, ndërkohë që udhëhiqte rezistencën shqiptare. Por, përfaqësuesit e disa prej Fuqive të Mëdha që kryenin funksionet e tyre në Shkodër, tregojnë një realitet të ndryshëm. Sipas dy burimeve autentike, të rreshperit shkodran, Engjëll Çoba dhe konsullit frëng, Ree, më 20 prill 1880, valiu i shkodrës, Izet Pasha, u lexoi përfaqësuesve të qytetit dhe të malësive urdhërin, me të cilin, Porta njoftonte që, protokolli i nënshkruar nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha, më 18 prill, do të zbatohej në mënyrë të padiskutueshme dhe se, do të ndëshkoheshin të gjithë ata që do e pengonin atë. Në përgjigje të këtij urdhëri, u mblodh në Shkodër, më 21 prill 1880, Kuvendi Ndërkrahinor, i cili vendosi që, ta kundërshtonte me çdo kusht, dorëzimin e Hotit dhe të Grudës. Aty foli Hodo Sokoli, por konsulli frëng nuk na jep hollësi rreth fjalës së tij. Thotë vetëm se, dha dorëheqjen nga ofiqi i tij zyrtar.

Dorëheqja e Hodo Pashë Sokolit nga të gjitha ofiqet e tij në administratën osmane, del edhe nga një bisedë midis amasadorit britanik, lordit Goshen dhe Ministrit të qeverisë turke Savas Pasha. Anglia kërkoi ta shtrëngonte Portën e Lartë që, të vendoste kordonin ushtarak, në zonën e Hotit dhe të Grudës, për të penguar vajtjen e vullnetarëve, në zonën e Tuzit. Qeveria e Stambollit përpiqej, me çdo mënyrë, të evitonte ballafaqimin me popullsinë shqiptare. Pyetjes së ambasadorit britanik, lordit Goshen se, çfarë e pengonte Portën që, të vendoste kordonin ushtarak, Savas Pasha iu përgjigj me fjalët e valiut të Shkodrës se, po të vendosej ai në sektorin e Tuzit, shqiptarët kishin kërcënuar se, do të sulmonin Malin e Zi, për të rimarrë Podgoricën. Veç kësaj, pyetjes tjetër të Goshenit se, si shpjgohej fakti që, një zytrar i lartë si Hodo Sokoli ishte bërë udhëheqës i kryengritësve, Savas Pasha iu përgjegj: ai ishte shqiptar dhe si i tillë kishte hyrë në Komitetin e Lidhjes së Shkodrës, pa pëlqimin dhe autorizimin e qeverisë osmane, si rrjedhim ai kishte humbur funksionet e tij zyrtare.

Pozicionin real të Hodo Pashë Sokoli e paraqet edhe Z. Kirby, konsulli anglez në Shkodër, I cili në një letër, për markezin Salisbury, ministër I punëve të jashtme të Britanisë së Madhe të datës 25 Prill 1880 shkruan: Kryetari I policisë Hodo Beu dhe të gjithë fisnikët muslimanë janë nisur për në front ditën kur u bë e njohur se kur do të bëhej dorëzimi i terrorit Malit të Zi, me përligjen se do të ushtronin ndikim për të parandaluar cfardo kundërshtimi nga ana e vëndasve, por u kuptua fare mirë se Hodo Beu prej kohësh ishte zgjedhur nga vendësit si udhëheqësi i tyre, dhe tashti guvernatori i përgjithshëm jep shpjegime se kryetarin e policisë e mbajnë peng në kampin e kryengritësve. Megjithatë besoj se entuziazmi ekzistues në një shkallë të shënueshme midis shqiptarëve katolikë jo vetëm zhvillohet nga vendosmëria për të parandaluar që asnjë copë e tokës së tyre të mos bjerë në duart e sllavëve, por gjithashtu ai është i nxitur nga një bindje e fshehtë, se një rast i favorshëm u është paraqitur për të flakur edhe zgjedhën osmane, dhe unë kam vënë re për habinë time të madhe, se kjo ndjenjë nuk është e panjohur për shqiptarët myslimanë. Kam patur mundësinë që të pyes kreun mysliman nga Gucia, i cili kishte ardhur këtu me një mesazh për Ali Pashën nga Lidhja. E pyeta nëse ishte e vërtetë që Porta kishte ndërmend ta ripohonte autoritetin e saj në Guci duke dërguar atje dy batalione. Përgjigja mu dha se nuk do të lejoheshin as 100 herë dy batalione që të shfaqeshin në Pejë e në Gjakovë.

Versionin për pozicionimin e figurës së Hodo Beut e jep edhe konsulli i përgjithshëm austro-hungarez, në Shkodër, Lippich, për baronin Von Haymerle, Ministër i Punëve të Jashtme i Austro-Hungarisë, më 24 prill 1880: Koloneli i xhandarmërisë, Hodo Beu, është dërguar në Tuz për ti paqëtuar por, në realitet për ti ofruar organizimin ushtarak rezistencës, si njeri i besuar i komitetit.

Por, Shqipëria rezultonte e vetme, ku shqiptarët duhet të luftonin kundër Portë së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, për të mbrojtur Hotin dhe Grudën. Shqiptarët filluan organizimin e menjëhershëm në mbrojtje të tokave të tyre. Si pasojë e këtyre veprimeve të rrufeshme, gjendja në kufirin e vjetër turko-malazez ndryshoi rrënjësisht. Përballë batalioneve malazeze, me 12 mijë luftëtarë qëndronin, një orë larg kufirit të vjetër, forcat shqiptare, gati 10 mijë vullnetarë malësorë dhe qytetarë, shtabi i të cilëve, së bashku me kryetarin Hodo Sokoli, u shpërngulën menjëherë në Tuz. Lufta, më 22 prill, midis forcave malazeze dhe shqiptare është shpjeguar edhe nga historiani Xhafer Belegu : Si u murr vesht qeveria turke, me atë të Cetinës, për ditën e dorëzimit, 22 prill, ora 4 pasdite, komandanti i ushtrisë turke në Tuz iu dha urdhër trupave të veta që, ti lëshonin Malit të Zi, viset e caktuara. Mirëpo, shqiptarët kishin grumbulluar, aty afër, trupa të armatosur nën komandën e Hodo Beut. Ky, me qenë se ishte shqiptar nga Shkodra, nuk e refuzoi emnimin e tij, prej Lidhjes, në këtë detyrë. Hodo Beu e hoqi uniformën turke dhe veshi atë kombëtare, siç i ka hije birit të një familje fisnike shkodrane. Hodo Beu, si ju betua Lidhjes se, do të mbronte tërësinë tokësore, me të gjithë fuqinë e tij, i zu vendet që i lëshuan turqit. Po këtë ditë, një shumicë e madhe djemsh e burrash shkodranë, muhamedanë e katolikë, duke këndue e duke shti me pushkë, muerën rrugën për në Tuz. Enthuziazmi qe i madh, ndër shqiptarët.

Historiani Xhelegu vijon: Ndërsa lufta po vijonte, një komision, i përbamë prej Jakup Agës, adjutantit të valiut dhe prej sekretarit të konsullatës, me emrin Toniette, me disa të tjerë morrën rrugën për në Plavnicë, për të bërë dorëzimet, të Hotit dhe të Grudës por, kur dëgjuan krismën e pushkëve u kthyen për në Shkodër. Pas luftës, Hodo Beu i mbajti një fjalim ushtrisë, duke i lëvdue për trimërinë e tyre që deftynë, në luftë e sipër dhe për me u shtue guximin, për një luftë tjetër. Dega e Shkodrës, diti fare mirë me e mbrojt Hotin dhe Grudën. Më 28 prill, Cetina u drejtohet përsëri pushteteve të mëdha dhe u ankohet se, shqiptarët po përgatiteshin për një luftë, kurse autoritetet turke rrinin pasivë. U bisedua, shumë herë, si në qarqet ushtarake, ashtu edhe në ato të Lidhjes, për një sulm. Hodo Sokoli ishte i mendimit me i ra malazezëve në Gollombac, afër Podgoricës, kurse Ali Pashë Gucia, me marrë kalanë e Medunit dhe me ju fut Malit të Zi përbrenda. Në Shkodër e në Tuz flitej se, për të vendos për këtë çështje do të vinte vetë Ali Pash Gucia, me bisedue me Hodo Sokolin. Dega e Shkodrës, mbajti një mbledhje në bibliotekë e bisedoi gjëndjen. Katolikët ishin të mendimit me i shty luftimet, duke besue se pushtetet e Mëdha do të vendosnin, në favor të shqiptarëve. Por, imzot Crachi, ipeshkvi i Pulatit nuk kishte besim fort tek Europa dhe predikoi luftë kundër Malit të Zi. Knjaz Nikolla, si morri vesh përgatitjet e Lidhjes, lajmëroi me të shpejt shqiptarët se, Mali i Zi nuk kishte qëllim të sulmonte Shqipërinë. Por, Lidhja, më 12 korrik, e sulmon Malin e Zi, duke i shkaktuar shumë dëme (Xhaferr Belegu).

Pas dështimeve të njëpasnjëshme të diplomacisë ndërkombëtare, për të rrëmbyer troje shqiptare, Britania hedh idenë e zëvendësimit të trojeve të Hotit dhe Grudës, me Ulqinin, e cila solli një ndarje qëndrimesh, brenda Lidhjes Shqiptare, nëse do të vazhdonte rezistenca, apo jo. Tezën se, ishte në interes të shqiptarëve, që të lëshonin Ulqinin për të shpëtuar Çamërinë, e përqafuan mjaft krerë të moderuar të vendit, midis tyre edhe Abdyl Frashëri, i cili në një udhëtim, në Kosovë, hodhi idenë e lëshimit të Ulqinit, për të shpëtuar Çamërinë, që del nga korrespondencat e ambasadorit frëng, në Shqipëri, me autoritetet franceze. Por, jo të gjithë ata e vlerësuan nga i njëjti këndvështrim. Një pjesë e tyre, ndër të cilët shquhej Hodo Sokoli, e vlerësuan lëshimin e Ulqinit nga këndi i të drejtave autonomiste, sidomos nën ndikimin e premtimeve austro-britanike, se lëshimi i tij, pa rezistencë, do të ndihmonte në formimin e vilajetit të vetëm shqiptar, nga vetë Porta e Lartë.

Pas shumë mosmarrëveshjesh, midis Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, këta të fundit ranë dakord që, më 1 shtator 1880, të vinin në jetë demostratën navale, para ujrave të Ulqinit. Kjo detyroi Portën e Lartë që, të bëjë një presion të madh ndaj shqiptarëve, për lëshimin e Ulqinit. Lajmet që më vijnë raportonte po atë ditë konsulli Depolo -, tregojnë se, në krejt Shqipërinë, qytetet dhe malësitë janë në lëvizje. Bisedohet për një grusht shteti nga ana e Lidhjes Shqiptare. Po të shpërthente lufta shqiptaro-malazeze, -njoftonte konsulli,- ajo nuk do të mjaftohej, vetëm në sektorin e Ulqinit, por Lidhja Shqiptare do të sulmonte edhe në anën e Gucisë dhe të Tuzit, të cilat do ti udhëhiqnin respektivisht, Ali Pashë Gucia dhe Hodo Pashë Sokoli.

Ndërkohë, filloi presioni te krerët e qytetit. Një presion të veçantë administrata e drejtoi kundër Hodo Sokolit. Nga Stambolli, atij i erdhi fermani, me të cilën sulltani i jepte gradën gjeneral brigade (liva), me titullin pashë, së bashku me urdhrin që, të kthehej përsëri në rradhët e ushtrisë në Shkodër, urdhër ky që po të zbatohej, do ta detyronte Hodo Sokolin, të hiqte dorë nga kryesia e Komisionit të Tuzit. Historianë, hedhin tezën se, ai mbas luftës për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, u tërhoq nga ideja për të mbrojtur me armë Ulqinin, dhe në fillim të tetorit dha dorëheqje, edhe nga Komisioni i Miletit në Tuz, për tu kthyer në Shkodër.

Por, korrespondenca konsullore e Lippichut, nga Shkodra, hedh dritën e së vërtetës. Konsulli austro-hungarez Lippich, më 4 dhjetor 1880, relatonte se, autorë anonimë (me sa duket të indinjuar nga roli i Portës, në dorëzimin e Ulqinit) i kërkonin në letër, Hodo Sokolit, kryetarit të Komisionit të Miletit, të ngrinte flamurin kombëtar dhe të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Pra, sipas kësaj letre të konsullit austriak, deri më 4 dhjetor, del qartë pozicioni vendimtar prej udhëheqësi i kësaj figure, por edhe hedh poshtë tezën që ai në tetor kishte dhënë dorëheqje nga kryetar i Komisionit të Miletit. Mbas disa ditësh, ai arrestohet dhe dërgohet, në Stamboll nga sulltani, për tu gjykuar nga trupa e gjyqit ushtarak, dhe për tu degdisur burgjeve të Perandorisë dhe helmuar, më pas.

Por, presioni i Stambollit nuk po jepte rezultat, mbasi më 12 tetor, Riza Pasha i thirri përsëri anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, të cilëve u përsëriti urdhërin e qeverisë së tij. Por, ata ju përgjigjën se, nuk pranonin të dorëzonin Ulqinin. Për të përshpejtuar zgjidhjen, hynë në lojë, dy diplomatë të rregjur, Green dhe Lippich, për ti bindur antarët se, po të lëshonin Ulqinin, do të ndërhynin pranë sulltanit që ti jepeshin shqiptarëve të drejtat autonomiste. Këto forma sollën çoroditje. Ka historianë që mbrojnë tezën se ideja e autonomisë nga ndërkombëtarët u hodh për përcarje. Kështu, kur kryesia e Lidhjes në Prizren pyeti, edhe një herë Shkodrën, nëse do të niste vullnetarë, ata ju përgjigjen se, tashmë Ulqini do të dorëzohej pa luftë, mbasi çdo rezistencë e armatosur kundër ushtrive osmane do të dëmtonte interesat kombëtare të Shqipërisë. Në pajtim me përgjigjen që dha Shkodra, degët brendshme të Lidhjes e pezulluan dërgimin e vullnetarëve.

Por nga korrespondencat midis përfaqësuesve konsullorë, në Shqipëri, dhe Ministrive të Jashtme respektive, rezulton që ideja e autonomisë shqiptare, apo dhe vetqeverisja e vilajetit të Shkodrës, nuk ishte për përçarje por, e mbështetur prej tyre, me ide dhe propozime konkrete. Në momentet kur krerët e Lidhjes e kuptuan që tashmë kishin përballë edhe Turqinë edhe Fuqitë e Mëdha, tentuan të fitojnë me rrugë diplomatike. Mbesat e Hodo Pashës tregojnë se si Sarajet e Hodo Pashës, ishin jo vetëm mikpritëse të kalimtarëve të rastësishëm por u bë një nga vendet dialoguese midis diplomatësh të huaj. Ata filluan të dialogojnë me krerët e lëvizjes, për ti futur ata në kanale diplomatike, pasi po ravijëzohej ideja e një autonomie. Vetë faktori ndërkombëtar filloi ta shikonte si të mundshme këtë hap shumë të rëndëshëm të Shqiptarëve, dhe kishte kanale diplomatike që ja ushqenin dhe premtonin shqiptarëve këtë ëndërr. Këtë e hasim edhe në një letër të baronit Haymerle, ministër i punëve të jashtme i Austro Hungarisë, për kontin Karolyi, ambasador i Austro Hungarisë në Londër: Lidhur me premtimin për autonomi të vilajetit të Shkodrës, ne jemi dakort me të në kuptimin e telegramit të bashkangjitur nga Lippich. Ndoshta raporte të tjera nga konsujt do të hedhin dritë për këtë cështje. Ndërkaq e kam informuar sir Henry Elliot për pajtimin tonë në parim. Shkëlqesia juaj është e autorizuar tia komunikojë këtë njoftim konfidencialisht Lordit Granville. Dhe kryesisht diplomatët Austro Hungarez ishin ata që krijuan lidhje të ngushta kryesisht me Hodo Sokolin dhe Prenk Bibë Dodën.

Ndërkohë në letrën e mëposhtme kuptohen qartë konsideratat e larta të konsullit britanik në Shkodër, për figurën e Hodo Pashë Sokolit. Lexojmë këtë letër të përfaqësuesit të konsullatës britanike, Kirby Green, dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, Granville, datë 29 maj 1880. Që të sigurohet suksesi dhe të realizohet njëkohësisht puna e paqtimit të këtyre krahinave, me përfundimin e përcaktimit të kufirit të Malit të Zi, përfaqësuesve konsullorë të Fuqive duhet tu jepet mundësia, ti sigurojë shqiptarët e veriut, se duke u treguar të përmbajtur dhe me besim në urtësinë e qeverive europiane, aspiratat e tyre të ligjshme për një vetqeverisje të pjesshme, nuk do të mbeten pa u dëgjuar. Kur të vendoset qeveria, posti i guvernatorit të përgjithshëm, duhet tu jepet muslimanëve shqiptarë. Ndonëse kolegut tim austriak nuk ja kisha përmendur emrin e Hodo Beut, besoj se, veprimet e tij energjike dhe ndikimi i tij i pamatur në vilajet, e mbi të gjitha klasat, pasi për shumë vite ka mbajtur postin e kryetarit të policisë, do të ishte me vlerë shumë të madhe për vendosjen e administratës që propozojmë ne. Hodo Beu zotëron të gjithë aftësinë e lindur dhe kurajën personale, të nevojshme, për të qeverisur bashkatdhetarët e tij të egër, me ato institucione që ai i njeh, në mënyrë të përkryer. Nuk besoj se, me drejtimin dhe me ndihmën e një njeriu si efendi Hodo Sokoli do të dilte fare i paaftë për ta shndërruar Shqipërinë e Veriut, në një vend, po aq të përparuar e me rregull, siç kanë bërë princat Danilo dhe Nikola, me Malin e Zi. Ai nuk është, as më i mirë dhe, as më i keq se udhëheqës si vojvodët Maqo, Verbica dhe Elia Plamenac, në Mal të Zi, të cilët me anë të talentit të tyre të lindur dhe të kurajës, janë shtyllat e principatës. Kjo procedurë, besoj do të jetë e mjaftueshme, për ti shtyrë shqiptarë që të pranojnë ndryshimet me Malin e Zi, dhe unë jam i bindur se, kombinimet që do të përpunohen nga shqiptarët e veriut, për qeverisjen e tyre të ardhshme, do të dalin të vlefshme, për ti marrë në konsideratë, dhe për ti miratuar Komisioni i Rumelisë Lindore.

Madje autonomistë radikalë e formuluan programin e tyre tepër revolucionar, në ditët e para të muajit maj të cilën e nënshkruan jo vetëm figura të njohura si Daut Borici, Hodo Sokoli, por edhe personalitete të lëkundura si Preng Dodë Biba, apo Nikoll Coba përfaqësuesi i rreshperëve shkodranë, madje edhe klerikë të huaj si peshkopi Poten. Ajo u botua më 7 maj 1880, por fatkeqësisht teksti i saj i plotë mungon. Ai na vjen në dy versione. Në një version të shkurtuar nga shkrimtari arbëresh Skiroi, ku sipas tij thuhej: Meqenëse Shqipëria pushoi së qeni ndën sulltanin, të gjithë nëpunësit jo shqiptarë do pushoheshin, dhe do largoheshin nga vendi. Tani e tutje urdhërat do të jepeshin vetëm nga Lidhja dhe Këshilli i Pleqve, të cilët do të mbeteshin si kishin qenë edhe më parë, ligjvënësit e vetëm të vendit. Sipas njoftimeve që na jep gazeta ruse San Peterburgske Vjedemost në proklamatë kërkohej vetëqeverisje e brendëshme e mbarë viseve shqiptare të bashkuar në një formacion të vetëm shtetëror me në krye një princ me të drejtë trashëgimi të zgjedhur nga populli shqiptar dhe të miratuar nga Porta e Lartë. Me njohjen e autonomisë ushtria osmane do të përqëndrohej vetëm në disa pika të caktuara të vendit. Marrëdhëniet midis Shqipërisë autonome dhe Portës së Lartë thuhej në fund do të zhvilloheshin nëpërmjet përfaqësuesit shtetëror që do të vendosej në Stamboll. Proklamata la një jehonë të thellë në opinionin europian.

Letër këmbime të shumta midis përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shqipëri me institucionet përkatëse, tregojnë që kishte përpjekje dhe ide të qarta për krijimin e vilajetit të Shkodrës të vetqeverisur nga Shqiptarët. Konti Karolyi ambasador I Austro Hungarisë, në Londër për kontin Granville, ministër i punëve të jashtme të Britanisë. 3 qershor 1880: Ne nuk kemi asnjë kundërshtim për ti dhënë një farë vetëqeverisje Vilajetit të Shkodrës. Ministri I Jashtëm I Britanisë, Granville propozonte si shpërblim për shqiptarët e veriut, të formohej një vilajet autonom me seli në Shkodër, me guvernator musliman dhe zëvendësin e tij katolik. Megjithë kundërthëniet dhe mospajtimet fillestare, sipas dokumentave të burimeve angleze do të bihej dakort nga disa përfaqësues të Fuqive të Mëdha, për krijimin e vilajetit vetqeverisës të Shkodrës, sepse sipas tyre për krahinat e tjera ende nuk kishte koncepte të qarta etnografike për Shqipërinë.

Kjo tezë i shkonte për shtat strategjisë së politikës austro-hungareze ndaj cështjes shqiptare, duke u vënë në mbrojtje në rradhë të parë të elementit katolik. Këtë propozim e kundërshtoi qeveria ruse, sepse sipas saj krijimi i vilajetit autonom të Shkodrës, do të sanksiononte pranimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në fakt ajo i frikësohej krijimit të një bërthame shtetërore shqiptare, që do të ishte e rrezikshme për perspektivën dhe sigurinë e Malit të Zi.

Por projekti më i qartë është i Lippichut, konsullit Austro Hungarez në Shkodër. Projekti i Lippichut parashikonte që të gjitha krahinat malore të vilajetit të Shkodrës të kishin një organizim të vecantë, i cili duhej të ishte i përbashkët me qenë se venomet e lashta, ishin pervec disa nuancave, pothuaj të njëjta kudo (të gjithë i ruanin institucionet e tyre të lashta pushtetore në bazë të të cilave administrohej jeta e tyre e brendëshme; të gjithë kishin korpusin e tyre të së drejtës zakonore civile dhe penale). Si rrjedhim të gjitha këto vise, kishin qëndruar deri atëhere, në sajë të këtyre venomeve, si njësira administrative të paasimiluara nga sistemi shtetëror Osman, duke gëzuar kështu statusin e një organizimi autonom lokal. Sipas projektit të Lippichut, të gjitha këto krahina malore të vilajetit të Shkodrës, do të formonin bashkërisht, një njësi të vetme administrative të pajisur me një organizim të vecantë, ku do hynin Malësia e Madhe, Reci, Pulti, Postriba, Dukagjini, Lura, Malësia e Lezhës dhe Mirdita me 86.5% katolikë, 13,5 muslimanë%. Kjo njësi e vecantë do të ishte në shkallën e një nënvilajeti, të varur nga vilajeti i Shkodrës, me një nënvali me titullin Pashë, shqiptar nga kombësia, por katolik nga feja, i emëruar nga sulltani për 5 vjet, por i varur nga valiu i Shkodrës. Nënvilajeti do të grupohej në 4 kaza administrative, Malësia e Madhe me qendër në Tuz, Pulti me qendër në shalë, Dukagjini me qendër në Pukë, dhe Mirdita me qendër në Orosh. Organizimi tradicional do të mbetej i paprekur. Me këtë projekt Vjena pa interesat e saj politike të kultusprotektoratit, ku synohej një njësi katolike. Kjo krijoi kontradita të jashtme dhe të brendëshme pasi u lanë jashtë venome tradicionale që banoheshin nga shqiptarë muslimanë.

Kontraditën e parë e kapi përfaqësuesi frëng Obareti cili kërkoi të shqyrtohej edhe rregullimi i malësive të tjera. Kurse përfaqësuesi britanik, Ficmoris, nguli këmbë për rregullimin administrativ të gadishullit ballkanik në bazë etnie (sipas parimit të kombësisë). Njëkohësisht qeveria turke po përgatitej seriozisht për krijimin e Rumelisë Lindore, ku përfshiheshin katër vilajetet e mëdha shqiptare. Kjo i dha dorë përfaqësuesit rus për të ngritur cështjen e krijimit të një vilajeti bullgaro-maqedon. Për të evituar krijimin e një vilajeti maqedon, përfaqësuesi austriak Kosjek, u detyrua të pranonte parimin e mosndërhyrjes së Fuqive të Mëdha.

Qëndresa e shqiptarëve dhe flijimet e tyre lanë mbresa të mëdha me jehonë edhe përtej kufijve. Po përmendim një shkrim në të përkohshmen Ozbor të Zagrebit (1 maj 1889) huajtur nga e përkohshmja ruse Nuro Vreme. Siç njoftohej nga Shkodra, sipas një shkrimi të botuar më 7 prill 1890 në Fletoren Zyrtare të botuar në shqip, me këtë rast u shpall pavarësia nga Turqia. Këtë shpallje e nënshkruan Ali Pashë Gucija, Hodo Pashë Sokoli, Preng Bibë Doda dhe Efendi Ulqinaku. Ky njoftim është botuar nga arvanitasi Anastas Kullorioti, në të përkohshmen I Foniti (Athinë, më 24 prill 1889, si dhe në të përkohshmen El Voka, 18 tetor 1889).

Ndërkohë kemi edhe një faktor ndërkombëtar që nuk ka interesa për një luftë kundër shqiptarëve por as edhe Turqia, duke ja lënë përgjegjësinë njëri tjetrit, kryesisht Turqisë për ta detyruar në dorëzimin e tokave shqiptare, Malit të Zi. Mënyra se si u kap Hodo Pasha se si u nxorri përpara gjyqit ushtarak dhe si u helmua në burgjet e Anadollit tregon që ai nuk ishte i përdorur nga Porta e Lartë por ishte thjesht një presion i Fuqive të Mëdha ndaj Portës së Lartë duke e fajsuar për bashkëpunim me forcat e lëvizjes shqiptare, për të dorëzuar tokat e tyre Malit të Zi.

Kryekonsulli i Austro Hungarisë në Shkodër më 3 Prill I dërgon këtë raport qeverisë së vet: Është një gabim trashanik i Joninit (përfaqësuesi rusisë në cetinë) kur thotë që Lidhja është një krijesë e Portës së Lartë. Pretendimi i Joninit që shqiptarët nuk janë të një rrace e të një kombi, e se janë një grumbull fisesh pa lidhje, është krejt gabim e nuk i përgjigjet së vërtetës. Malësorët flasin po ashtu si popullsia e fushave. Askush nuk mund të mohojë kombësinë e shqiptarëve, të cilët kanë një të mirë që nuk janë të ndarë në idioma të ndryshme si sllavët. Këta janë të vetmit në ballkan që nuk lejuan të sllavizohen. Në Guci luftoi Gjakova, Peja, Gucia, ku shumica e popullit janë muhamedanë, por bashkë me ta luftuan edhe katolikët. Më 4 Prill të gjithë kryetarët e fiseve në marrëveshje me Lidhjen dhe degën e saj në Shkodër vendosën ti dërgojnë një lutje jo vetëm konsullatës së Austro Hungarisë por edhe atyre të Francës, Anglisë dhe Italisë. Midis të tjerave thuhet: Kemi vendos me derdh pikën e fundit të gjakut tonë para se me hy në zgjedhën e një qeverie të huej. Lëvizjet e trupave malazeze në kufi shqetësojnë popullin tone.

Me tërheqjen e trupave turke nga sektori i Tuzit më 22 Prill 1880, sovraniteti osman pushoi së ekzistuari në këto vise dhe viset e Hotit dhe të Grudës mbetën de facto ndën sovranitetin e Lidhjes së Prizrenit. Ato mbetën ndën sovranitetin e saj më tepër se 8 muaj deri më 28 dhjetor kur u rivendos administrata osmane. Organi më i lartë pushtetor në këto vise ishte Komiteti i Lidhjes Shqiptare me kryetar Daut Boricin, i cili kishte funksione legjislative. Pushtetin ekzekutiv e ushtronte Komisioni sic e quanin Shkodranët, një institucion i mirfilltë qeveritar, i cili e vendosi selinë e vet në Tuz. Komisioni me kryetar Hodo Sokolin dhe nënkryetar Preng Bibë Dodën, kishte 8 anëtarë nga të cilët 4 myslimanë dhe 4 katolikë. Funksionet e veta qeveria e Tuzit i ushtronte nëpërmjet tre nënkomisioneve, atij ushtarak, financiar dhe gjyqësor. Autoritetin e vet pushtetor, Komisioni e ushtroi plotësisht në territorin e zbrazur nga ushtria osmane, kurse në qytetet që ende ishin garnizonet ushtarake u krijua një diarki që peshonte më tepër në favor të Lidhjes.

Kujdesin e vet kryesor Komiteti e përqëndroi tek çështja e rendit publik dhe funksionimi i organeve gjyqësore, duke e kuptuar se pakujdesia e tyre dhe paaftësia për tu siguruar banorëve jetën, nderin dhe pasurinë, do ta komprometonin seriozisht autoritetin e Lidhjes. Kështu, ata vepruan me një energji të prerë ndaj të gjithë atyre, që përpiqeshin të dhunonin rendin publik, p.sh, rreth mesit të muajit maj gjyqi shqiptar i krijuar në Tuz nga Hodo Sokoli dhe Preng Dod Biba, dënoi me varje një emigrant podgoriçan, sepse ky kishte thyer besën e paqtimit, kishte marrë gjakun. Cfarë ishte besa e paqtimit? Këtë e kuptojmë nga letërkëmbimi midis Z. Kirby, konsull anglez në Shkodër, me kontin Granville, ministër i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, letër e datës 15 Maj 1880: Nga një burim i besueshëm kam marrë vesh se letrat qarkore, të nënshkruara nga Hodo Sokoli kryetar i policisë së Shkodrës që tani komandon shqiptarët në kufirin e Malit të zi dhe Prenk Bibdoda kreu i Mirditës, i janë dërguar brenda pak ditëve të fundit fiseve malësore katolike, që nuk prekin kufijtë e Malit të Zi, duke u bërë thirrje që menjëherë të dërgojnë kontigjentet e tyre ushtarake të zakonshme. Letrat njoftojnë se krerët e mbledhur në Tuz për kohën e kësaj gjendjeje kanë shpallur një besë ose një pezullim të të gjitha gjakmarrjeve personale e fisnore, si dhe kanë urdhëruar që të gjithë ata, të cilët nuk do ti nënshtrohen thirrjes, do të gjobiten dhe gjoba do të rritet gjithnjë e më shumë për sa kohë nuk do ti binden detyrimit.

Për ruajtjen e rendit publik, Komisioni i vendosur në Tuz krijoi edhe organin e policisë, me në krye një koçobash. Si pasojë e këtyre masave, në trevën e Shkodrës, mbizotëronte një qetësi e paparë. Ka lezet me jetue ne Shkodër – shpreheshin asokohe vendasit. Kjo qeveri e parë shqiptare, mbas pushtimit 500 vjecar otoman, megjithëse jetëshkurtër (8 mujore), pati sukses, pasi si prioritet kishte gjyqësor dhe rend të fortë. Heqim një paralele me qeverinë e parë shkodrane, tetë mujore, në Tuz, pothuaj e fshirë nga historia, ku kryetar i Komisionit, ose qeverisë ishte Hodo Bej Sokoli. Analizoj si janë sjellë të parët tanë, si kanë ditur edhe në kohë luftë, të marrin vendime pa prepotenca, imponime, urdhërime, siç ka ecur dialektikisht një popull, i cili edhe në kohë lufte ka ditur të paqtojë (besa e paqtimit, kundra gjaqeve) dhe dialogojë.

Shqipëria e viteve 1800, ishte tejet e varfër për tu përballur me të gjithë të fuqishmit politikë kundër saj. Komisioni i Tuzit me kryetar Hodo Sokolin, ngriti tre komisione, ushtarak, gjyqësor dhe ekonomik. Komisionit ekonomik, i ra barra që të mblidhte taksat, tejet të domosdoshme që të mbanin gjallë rezistencën. Dy ishin burimet kryesore të të ardhurave buxhetore: e dhjeta e drithit dhe tatimi i luftës. Vjelja e së dhjetës ishte e lidhur me stinën e korrjeve, që parashikohej të fillonte në qershor, ndërsa komisioni e kishte të ngutshme të përballonte ushqimin e përditshëm të mijra luftëtarëve. Kështu, përveç tatimit të luftës, qeveria shpalli një hua të brendëshme, e cila do të dorëzohej në drithë (misër), ndërsa shlyerja do të bëhej nga komisioni në të holla. Edhe tatimi i luftës, ra kryesisht në kurriz të tregtarëve dhe zejtarëve të pasur, ndërsa reshperët më të mëdhenj të Shkodrës do tatoheshin me 8 mijë groshë, secili. Tatimi do të dorëzohej, jo përnjëherësh, por në tri këste. Disa reshperë shkodranë, megjithëse e dëshironin rezistencën kundër Malit të Zi, nuk pranonin të paguanin, qoftë tatimin e rregullt, qoftë huanë e brendëshme, për shkak të kopracisë së tyre, por edhe të mosbesimit që Lidhja e Prizrenit do ia kthente. Kundërshtarët e huasë, të nxitur nga konsulli austro hungarez Lippich, hartuan një protestë me shkrim, për tua dorëzuar konsujve të huaj, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre. Protesta nuk u nis, pasi nuk u arrit një minimum firmëtarësh. Megjithatë, Komiteti shpalli se, ai që do të kundërshtonte pagesën e huasë, do të arrestohej dhe do të dërgohej, në burgun e Tuzit.

Në letrat tij, Engjëll Çoba flet, ndër të tjera, edhe për rastin e dajës së tij, reshperit Filip Pema, i cili nuk donte të paguante tatimet prej 7 mijë groshësh, me pretekstin që ishte i sëmurë. Në Komision, filloi një diskutim, ku u hodhën dy versione. Njëra palë ishte për ushtrimin e forcës ndaj tij, ndërsa pala tjetër ishte për dialog. Të dy palët ranë dakort për dialogim në hapat e parë. Trokitën në derën e Filip Pemës, i cili nuk pranonte, as të hapte derën. Pasi hynë brenda, diskutuan me të me orë, derisa ai u bind dhe deklaroi, që brenda pak ditëve do ti jepte të gjithë shumën, në dorë, jo me këste. Dy rreshperë muslimanë, që kundërshtuan deri në fund pagesën, megjithë përpjekjen për dialog, u dërguan në burgun e Tuzit. Në të njëjtën kohë, për të njëjtin faj, u dënuan edhe dy reshperë katolikë. Por, edhe korektesa e qeverisë së Tuzit ishte e jashtëzakonshme. E. Çoba, më 17 maj 1880, shkruan se, huaja ishte me afat të shkurtër. Për habi të reshperëve, shlyerja e huasë nisi menjëherë, sapo filluan të arkëtoheshim këstet e para të tatimit, në të holla. Më 4 maj 1880, E. Çoba i shkruan Stef Biankit se, qe tash mi paguen paret e huasë dhe u shlyem, dhe mu falën nderës për këtë sevap.

Pas rënies së Ulqinit në duart e malazezëve Komandanti i ushtrisë turke, Dervish Pasha, arrestoi shumicën e Kryesisë së Lidhjes së Shkodrës. Ndërkohë, Preng Bibë Dodën dhe Hodo Pashë Sokolin, i arrestoi me dredhi dhe me një anije ushtarake i dërgoi në Stamboll. Atje i gjykuan nga trupi ushtarak dhe, më pas, Hodo Pashë Sokolin e degdisën në Ezerxhun të Armenisë. Po kush mund të tregojë tragjedinë e tij kombëtare e familjare? Kush mund ti tregojë vuajtjet lëndore e shpirtërore në vend të huaj? Kush mund të shpalosë dertet dhe mallin për vendlindjen? Atje vdiq pas tre vjetësh dhe, nga ndokush, mendohet se plasi nga marazi ose u helmua.

Por do të mundohemi të përcjellim lajmet e Lidhjes Shqiptare në momentet më kritike të saj, ashtu si i ka përcjellë shtypi egjiptian. Porta e Lartë nën presionin e shteteve të mëdha me një anë dhe nga frika e Lidhjes së Shqiptarëve, e cila kishte marrë përmasa të gjera në anën tjetër, tradhëtisht kishte filluar likuidimin e prijësve më në zë të Lidhjes Shqiptare. Një lajm të tillë e hasim në gazetën Vakai Misrie të 24 tetorit 1880 ku shkruan: Sipas agjencisë Rojters, thuhet se kanë vdekur katër udhëheqës të Lidhjes Shqiptare dhe supozohet se janë helmuar. Kjo politikë vazhdoi edhe me udhëheqës të tjerë si Hodo Pasha të cilin e kapën në fillim të dhjetori 1880.

Agjencia Rojter jep më 20 dhjetor 1880 lajmin ku thuhet: Porta e Lartë urdhëron formimin e gjyqit ushtarak për gjykimin e udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare. Tashmë dihet që Hodo Sokoli u gjykua nga ky gjyq ushtarak për tu burgosur dhe helmuar më pas. Ndjekjet e Portës së Lartë kundër prijësve të Lidhjes kishte filluar para dhe pas dorëzimit të Ulqinit, Malit të Zi. Kjo politikë vazhdoi edhe gjatë vitit 1881 e arrin kulmin pas dorëzimit të tokave shqiptare Greqisë. Edhe për këtë ishte ngutur Porta e Lartë, që të mos ketë probleme të tjera, përvec shtypjes së kryengritjes shqiptare, për cka nuk e kundërshtonte asnjë nga vendet europiane. Për këtë qëllim të Portës së Lartë mësojmë edhe nga një artikull në El Vakai 1 janar 1881 në të cilën thuhet: Është më se e sigurt, se Porta e Lartë, është e interesuar të koncentrojë të gjitha forcat për të shtypur kryengritjen shqiptare. Për këtë qëllim edhe janë arrestuar princat e Mirditës. Prenk Bibë Doda, dhe Hodo Pasha dhe janë dërguar në Stamboll.

Xhafer Belegu rrëfen ngjarjen e arrestimit të këtyre dy trimave shqiptarë. Më 10 dhjetor 1880, kryekonsulli i Austro-Hungarisë shtron një gosti dhe thërret për nder të Dervish Pashës, Osman Pashën, Bedri Penë, trupin konsullor, dhe nga shqiptarët Hodo Pashën e Preng Bibë Dodën. Në këtë gosti, Dervish Pasha flet në mënyrë shumë miqësore me Prenk Bibë Dodën, për ndreqjen e një rruge, nga Shëngjini, në Shkodër. Të nesërmen e ftoi, të shkojnë bashkë, për të parë vendet nga do të kalojë rruga. Më 11 dhjetor, Dervish Pasha, Osman Pasha, Bedri Beu, Hodo Pasha, Prenk Bibë Doda dhe një inxhinjer shkuan në Barbullush, ku fjetën atë natë dhe të nesërmen, që ishte ditë e diel, do të shkonin deri në Lezhë. Sa kishin ngrënë drekë dhe po pinin kafenë, Dervish Pasha hapi një telegram, në të cilin jepej urdhri për ti arrestuar Hodo Pashën dhe Prenk Bibë Dodën, për ti nisur për në Stamboll. Prenku ju drejtua mareshallit dhe i tha: Këtë telegram mund ta hapje, në Shkodër, pa qenë nevoja për këtë udhëtim. Shkaku i arrestimit, sipas fjalëve të ambasadorit austriak, kur ai për këtë kishte pyetur sulltanin, iu kishte përgjigjur, kinse kanë patur ndërmend shpalljen e autonomisë së Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here