Komisionet hetimore/ Nuri: Fitore e opozitës, por duhet të përshkallëzohet

0
91

Eksperti i ligjeve Franc Nuri e ka konsideruar si një fitore ndaj regjimit, ngritjen nga opozita të komisioneve hetimore parlamentare, por duke pasur parasysh tendencën e mazhorancës për ta bllokuar apo ngadalësuar procesin, gjykon se opozita duhet të vijojë krahas aksionit parlamentar, edhe aksionin në terren për të denoncuar skandalet dhe vjedhjet galoponte të qeverisë. Në këtë këndvështrim, ai e ka vlerësuar edhe protestën e lajmëruar për t’u zhvilluar të premten përpara bashkisë së Tiranës.

I ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV lidhur me këto çështje, z. Nuri ndër të tjera tha

“Patjetër që opozita me marrjen e këtyre komisioneve hetimore, por edhe me komisionin e përbashkët për ligjet me 3/5, pra që duhen 84 vota, ka arritur një farë fitoreje ndaj këtij regjimi, por kjo duhet të përshkallëzohet më tej.

Unë jam pjesë e këtij komisioni hetimor parlamentar në lidhje me koncensionet në shëndetësi. Me vendim të komisionit të djeshëm jam zgjedhur ekspert ligjor pranë këtij komisioni dhe mund t’ju siguroj që puna ka filluar që herët me intensitet. Janë duke u përgatitur të gjitha shkresat për marrjen e informacioneve zyrtare nga të gjitha institucionet e përfshira në këto dy koncensione si Sterilizimi dhe Check Up e sot do të jetë dhe mbledhja e radhës. Pra, po vijohet me një ritëm të shpejtë.

Por shohim nga pala përballë, pala e mazhorancës dhe e qeverisë që ka një tendencë për të vendosur shkopinj në rrota, për të bllokuar procesin, për ta ngadalësuar procesin hetimor dhe nga ana tjetër opozita po i  përgjigjet me mbledhje të shpeshta, të vazhdueshme, me punë dhe intensitet pune në mënyrë që hetimi të ecë përpara.

Nga ana tjetër, siç kemi marrë vesh dhe nga mediat, për një protestë të anonçuar ditën e premte përpara bashkisë së Tiranës, unë mendoj se edhe ky është një lajm mjaft pozitiv. Opozita duhet për mendimin tim të vijojë aksionin parlamentar, por patjetër që duhet të vijojë edhe aksionin në terren duke denoncuar të gjitha këto skandale dhe vjedhje galopante që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin fatkeqësisht përditë në Shqipëri.

Ne jemi deri diku spektatorë duke pritur që drejtësia “e reformuar” të kryejë detyrën e saj, por këtë radhë me “peshqit” e mëdhenj dhe jo me “cironkat” apo me nivel drejtorësh apo administratë e thjeshtë e kësaj qeverie. Mbetet për t’u parë, por deri tani shohim se opozita është në vijën e duhur dhe shpresojmë që aksioni opozitar të intensifikohet në përgatitjen e zgjedhjeve e ardhshme.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here