Rama lëshon veten në Vlorë: Ekonomia më mirë se çdo herë

0
63

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi sot takimet për procesin e rienergjizimit të PS, në Vlorë me Organizatat Socialiste 4454 dhe 4547, ku u bënë anëtarësime të reja.

Gjtë fjalës së tij, Rama ka thënë se ekonomia është më mirë se asnjëherë tjetër, por shtoi se duhet punuar akoma, pasi sipas tij, krahasimi nuk duhet të bëhet me të shkuarën.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Jemi në një proces gjithëpërfshirës në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të prekur dhe për të rienergjizuar çdo qelizë të organizmit të PS, që do të thotë çdo organizatë socialiste, duke konsideruar një sërë problemesh të mbartura dhe patjetër duke konsideruar një domosdoshmëri të madhe që PS të ripërtërihet, të fuqizohet dhe të bëhet një garante edhe më e sigurtë, edhe më e fortë e progresit që ne kemi nisur me qeverisjen e PS.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë dhe në radhë të parë të kuptohet nga drejtuesit e PS, nga përfaqësuesit e PS në nivel deputetesh, në nivel anëtarësh të Asamblesë, në nivel këshilltarësh të bashkive, në nivel të deleguarish të Kongresit dhe pastaj në nivel kryetaresh të organizatave, që rëndësia e PS dhe roli i PS janë shumë të lidhura me ecurinë pozitive ose jo të vetë vendit.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë që sot vendi është në një fazë të re, por njëkohësisht pasi ka bërë një progres të konsiderueshëm në çdo drejtim, është në nevojën për t’u garantuar që ky progres do të vazhdojë, do të thellohet dhe që ne, në radhë të parë si forca që qeveris vendin jemi të vetëdijshëm për të domosdoshmërinë që t’i përballim sfidat me shumë më tepër forcë, me shumë më tepër mençuri, me shumë më tepër vullnet. Dhe këto nuk janë fjalë as retorikë, por kjo është e lidhur me vetë fatin e Shqipërisë në funksion të objektivave strategjikë që ne kemi dhe në funksion të vizionit të Shqipërisë 2030.

Ne kemi bërë progres në ekonomi, por nëse ekonomia sot është më mirë seç ka qenë ndonjëherë tjetër, progresi është i pamjaftueshëm sepse krahasimi me të djeshmen është i pamjaftueshëm. Ne duhet ta fuqizojmë më tutje ekonominë dhe të bëjmë gjërat e duhura në sektorët ku e dimë shumë mirë që ka një potencial shumë të madh për të marrë më shumë të ardhura për vendin dhe për njerëzit.

Ne kemi bërë një progres shumë të rëndësishëm me drejtësinë, por e dimë shumë mirë që nëse sot drejtësia ka dalë nga kontrolli i pushtetit ekzekutiv, kjo është një premisë absolutisht e domosdoshme që ajo të forcohet dhe të kthehet në një sistem që garanton drejtësi për të gjithë dhe është larg së qeni në pikën ku mund të konsiderohet një progres i sigurtë.

Qoftë ekonomia, qoftë drejtësia, qoftë dhe pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë që sot është më i mirë seç ka qenë ndonjëherë në historinë e vetë, mund të bien përsëri në një status quo në rastin më të mirë që do të ishte kthim mbrapa, sepse ndërkohë të tjerët ecin me shumë shpejtësi dhe për këtë duhet një PS e fortë dhe një PS e vetëdijshme për çfarë peshe ka organizmi i saj në mënyrën sesi funksionon organizmi i gjithë vendit.

Dhe kudo, në çdo cep të Shqipërisë, ne mund të marrim shembuj sa të duam për progresin e bërë, por edhe për rrezikun që progresi të mos vazhdojë ashtu siç duhet. Dhe Vlora është një nga pikat ku shembujt e progresit të bërë janë të shumtë por është dhe një nga pikat ku mund të shihet sesa shumë ka për të humbur, nëse PS nuk është në lartësinë e detyrës, nëse PS nuk është në gjendje që të mendojë dhe të sillet si një forcë që ka mbi shpatulla Shqipërinë.

Nëse Vlora është një vend ku ne kemi rezultate, të cilat në dukje janë rezultate të larta, në fakt në thelb Vlora është një vend ku nuk kemi marrë asnjëherë rezultatin që mund të marrim. Që do të thotë që ambicia jonë duhet të jetë për më shumë, ambicia jonë duhet të jetë që potencialin që kemi ta shfrytëzojmë maksimalisht.

Sepse që ta themi të tërën, në Vlorë trëndafili fiton vetë, çështja nuk është a fitojmë a s’fitojmë, çështja është çfarë bëjmë me fitoren sepse ajo që ne duhet të marrim mbrapsht për Shqipërinë nga Vlora dhe nga të gjitha vendet është një rritje ekonomike më e madhe, që do të thotë na duhet që të bëjmë më shumë. Shumë më shumë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here