Mësuesit festojnë sot 7 Marsin, 137 vite më parë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë

0
54

Sot, të gjithë mësuesit festojnë 7 Marsin. Kjo festë kombëtare, njihet si dita e mësuesve të cilët festojnë mes kolegësh dhe me nxënësit e tyre me aktivitete të shumta.

Zanafilla e kësaj feste daton më 7 Mars 1887 me krijimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në qytetin e Korçës. Mësonjëtorja u hap gjatë pushtimit të Shqipërisë nga osmanët . Ajo u krijua nga një grup rilindasish, si shkolla e parë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.

Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije.

Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës.

Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here