3 pikat që zbërthejnë aferën e inceneratorëve

0
123

CNA ka qenë një nga mediat kryesore, e cila ka ndjekur, ka investiguar dhe ka raportuar për aferën e shekullit, atë të inceneratorëve.

Fillimisht afera mohohej, thuhej se nuk ishte korrupsion, ishte sukses, denoncimi bëhej pa ditur të vërtetën, fshiheshin fakte e prova, tregoheshin foto të një kazani me naftë që po ndërtohej në Elbasan, i cili është ende jashtë funksionit sot pas 10 vitesh, edhe pse janë paguar rreth 24 milionë euro.Më pas u shkua në Fier te një incenerator, i cili kontratën e ka në vitin 2016 dhe sot pas 8 vjetësh kur janë paguar rreth 34 milionë euro ende nuk ka përfunduar, pasi duhen rreth 3 milionë shtesë. Dhe në Tiranë, ku sot pa 7 vjetësh nga kontrata koncesionare incenerator nuk ekziston, por janë marrë të paktën 130 milionë euro.Sipas të dhënave të siguruara nga CNA dhe shumë dokumenteve apo mënyrës se si ne e kemi ndjekur investigimin, gjithçka ka pasur 3 drejtime kryesore, të cilat janë dhe 3 pikat që zbardhin aferën e inceneratorëve dhe përgjegjësit nga më i vogli deri tek ai më i larti.

Image

Së pari, kemi ndjekur paratë.

Kemi treguar me fakte dhe prova se si janë shpërdoruar dhjetëra miliona euro për mediat, për propagandë, se si janë përdorur miliona euro të tjera për fluturime, jahte, charter e kështu me radhë. Kemi treguar se si janë bërë rrush e kumbulla paratë e taksave të shqiptarëve apo është abuzuar me paratë që paguanin bizneset për dherat, duke çuar lekë me çanta për propagandë, apo se janë blerë dhe korruptuar zyrtarë, janë miliona euro në Elbasan, Fier apo në Tiranë.

Së dyti, është zbulimi i pronarëve.

Pas çështjes së ndjekjeve të parave, e cila duhet të jetë dhe thelbësore në SPAK për të gjetur ku kanë shkuar lekët e shqiptarëve, e dyta ishte pronësia.

Qeveria, propaganda thoshin se ishte një kompani holandeze, po vinin investitorë seriozë të huaj, kur në fakt pas kompanisë në Holandë fshihej Klodian Zoto si themelues me Mirel Mërtirin “trurin e inceneratorëve”.

Image

Ky i fundit e drejton sot kompaninë nga Vjena duke qëndruar në hije nga Holanda nëpërmjet një strukture, ku ka vendosur administratorët e tij, ku edhe pse ka shitur aksionet në mënyrë formale për të gjetur investitorët, ai vazhdon ta drejtojë kompaninë dhe CNA e ka treguar me fakte dhe dokumente ekskluzive.

Pronësia është e rëndësishme për të ditur se kush janë njerëzit që qarkullojnë këto para, janë vërtetë investitorë të huaj seriozë apo fshihet një mashtrues shqiptar që me skemat e tij po i merrte disa para qeverisë, po gjente një investitor diku jashtë vendit dhe po fitonte disa dhjetëra miliona euro, pasi afera e inceneratorëve me çështjen e dherave dhe zërat e tjerë jo të përcaktuar mirë në çmime dhe vlera në kontratë, shkon në 1 miliard euro.

Së treti, është procedura.

Kush e propozoi inceneratorin dhe landfillin e Tiranës? Pse u hoq dorë nga landfillimi dhe u shkua tek inceneratorët? Cila është procedura e ndjekur? Kush e zbatoi? Kush e hartoi kontratën? Kush e firmosi?

Image

Cilët ishin mbështetësit që e shtynin përpara që të firmosej kjo kontratë, e cila ishte një aferë më vete, ku privati ia kishte me hile shtetit dhe shteti ia kishte me hile privatit? Një kontratë ku lejohej vjedhja dhe abuzimi. Kush e zbatoi procedurën pas firmosjes së kontratës?

Kush ishin personat përgjegjës që duhet ta monitoronin?

Pse u shtuan edhe bashkitë e tjera të Qarkut Tiranë në shkelje të ligjit, kur në fakt ligji përcakton mirë si trajtohen mbetjet sipas njësive vendore.

Këto janë 3 pikat kryesore, ndjekja e parave, pronësia dhe procedura.

Këto të tria mjaftojnë të hetojë SPAK-u dhe t’u japë përgjigje këtyre pikave.

Kush është pronari i vërtetë? Deri tani na ka thënë se është Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto pronari faktik.

Kush janë bashkëpunëtorët e tyre në politikë? Cilët janë përgjegjësit për abuzimet me financat e kësaj kontrate, miliona eurot? Ku shkuan? Cilët janë personat e përfshirë, zyrtarët?

Cila është përgjegjësia e Bashkisë Tiranë dhe e qeverisë?

Pse nuk u amendua një kontratë e rregullt për çështjen e plehrave? Por u firmos një marrëveshje ku Bashkia e Tiranës u kthye në punonjëse të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, duke dhunuar në mënyrë kriminale biznesin privat, për t’i marrë miliona euro për t’i çuar në xhepin e Mirel Mërtirit?

Me kë ndaheshin këto para të Mërtirit dhe Zotos?

Janë shumë pyetje që SPAK-u duhet t’u japë përgjigje dhe gjithçka e zbulon thjesht dhe vetëm duke mësuar personat e përfshirë në procedurë, përfituesit e parave dhe pronarët faktikë të vërtetë të landfillit të Tiranës, kuptohet dhe bashkëpunëtorët e tyre./ CNA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here