Shtrenjtimi i borxhit, a kaloi “stuhia”?

0
203

Viti i kaluar solli frenim, deri diku, të papritur të normave të interesit në tregun financiar shqiptar. Zbutja e ndjeshme e ritmit të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë pati ndikim përcaktues në këtë drejtim, duke mundësuar edhe korrektimin e rritjes tepër të lartë që normat e interesit dhe kryesisht yield-et shënuan në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Norma bazë e interesit u rrit vetëm dy herë dhe e mbylli vitin 2023 në nivelin 3.25%, nga 2.75% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Rënia e shqetësimeve të lidhura me inflacionin dhe me rritjen e shpejtë të normave bëri që tregu të reagonte me një ulje të ndjeshme të yield-eve të titujve qeveritarë në gjysmën e parë të vitit.

Gjatë gjysmës së dytë, yield-et e titujve afatshkurtër ishin të qëndrueshëm, ndërsa ato të titujve afatgjatë shënuan një tendencë të lehtë në rritje, por larg ritmeve të shpejta të vitit 2022.

Yield-i mesatar i ponderuar i instrumentit kryesor benchmark të tregut, bonove 12-mujore, e mbylli vitin 2023 në nivelin 3.36%, nga 5.47% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Diferenca mes normës bazë dhe yield-it të bonove 12-mujore gjatë gjithë pjesës së dytë të vitit të kaluar qëndroi në nivelet më të ulëta historike, në intervalin mes 0.1 dhe 0.2 pikë përqindje.

Qetësimi i yield-eve dha ndikim të rëndësishëm edhe në normat e interesit të kredive dhe depozitave.

Norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek në nëntor të vitit të kaluar ishte 4.94%. Ky nivel është pak më i lartë krahasuar me fundin e vitit 2022, por nga ana tjetër, është më i ulëti i regjistruar gjatë vitit 2023, duke dëshmuar se shtrenjtimi i kredisë pothuajse u frenua vitin e kaluar.

Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.23% në nëntor 2023, nga 4.55% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Te kredia në Euro u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të ECB-së dhe rritjen e Euriborit.

Sidoqoftë, për huamarrësit me të ardhura në Lek, rritja e normave të interesit të Euros është balancuar nga zhvlerësimi i monedhës europiane në kursin e këmbimit. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi rënie vjetore me 9.1%.

Rritja e normave të interesit të depozitave vitin e kaluar vazhdoi, si për Lekun, edhe për Euron. Në muajin nëntor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave në Lek të individëve arriti në 2.08%, nga 1.61% në fund të vitit të kaluar.

Megjithëse vitin e kaluar, presionet nga tregu i titujve të qeverisë ishin më të vogla, rritja e normave të depozitave në Lek mund të jetë nxitur pjesërisht edhe nga shtrëngimi i ndjeshëm i likuiditetit në monedhën vendase. Ecuria e depozitave në Lek ishte përgjithësisht në stanjacion, sidomos për shkak të suficitit të lartë buxhetor të qeverisë.

Për vitin 2024, pritshmëritë për ecurinë e yield-eve dhe normave të interesit të kredive dhe depozitave do të përcaktohen sidomos nga kursi që do të ndjekë Banka e Shqipërisë. Një rritje e mëtejshme e normës bazë pritet të përcillet në norma interesi më të larta edhe në tregun financiar.

Në këtë kuptim, gjasat janë që borxhi i qeverisë dhe i subjekteve private të jetë pak më i shtrenjtë këtë vit.

Nga ana tjetër, ritmet e larta të rritjes së kredisë në Lek që u shënuan vitin e kaluar, rreth 9%, në teori e bëjnë të vështirë uljen e qëndrueshme të inflacionit pranë objektivit./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here