Kulisa dhe miliarda, të rejat dhe të pathënat në intervistën e Arben Ahmetaj

0
67

Nga Boldnews.al

Në filmin shqiptar, “Asgjë nuk harrohet”, njëri nga personazhet i sugjeron ish-bashkëpunëtorit të tij se çfarë duhet të thotë para hetuesve për disa krime në kohën e luftës: “Thuaj ato që i dinë të gjithë!

Ky ishte pak a shumë thelbi i intervistës nga arratia e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, në emisionin “Çim Peka live” mbrëmjen e së enjtes (1 shkurt 2024).

Natyrisht, deklaratat e Ahmetaj kanë një interes shumë më të lartë pasi ai ka qenë një lojtar i dorës së parë në vendimet dhe kulisat e qeverisë Edi Rama në thuajse të tre mandatet qeverisë të “Rilindjes”.

Në intervistë, Ahmetaj foli për irritimin e tij me Edi Ramën, për të cilin deklaroi se e nxori në pritë politike, juridike e mediatike; acarimin me Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun, të cilët kanë mbushur ambasadat në Tiranë se ai është përgjegjësi për aferën e inceneratorëve; keqardhjen për thyerjen me mikun e tij, Mirel Mërtirin, i konsideruar si “pronari de fakto” i inceneratorëve

Ahmetaj foli gjithashtu edhe se si po menaxhohet “underground” inceneratori i Tiranës, kush është, sipas tij, pronari “faktik”, si janë përfshirë familjarët e kryeministrit në tenderin 15 milionë euro të “Eko Park” të Tiranës. Këto deklarata ai i bëri duke iu referuar të dhënave të bëra tashmë publike.

Dhe, thelbi i intervistës, më saktë ajo që i intereson më së shumti publikut, ishte pyetja: ku kanë përfunduar qindra milionë euro të inceneratorëve?

Ahmetaj, ashtu si edhe publiku, këtë çështje e ndali vetëm në ngritjen e pyetjes. Ndërkohë që ai, për shkak të pozicioneve, duhet të dijë edhe përgjigjen. Por, ai zgjodhi të ndalë aty dhe t’i bëj sfidë SPAK-ut për ta gjetur se kush është përfituesi i parave.

“Veliaj, pronar de fakto i inceneratorit Tiranë”

Ahmetaj citoi dosjen e SPAK-ut për inceneratorin e Tiranës, ku Mirel Mërtiri konsiderohet si “pronari de fakto”, pasi prokurorët e posaçëm kanë zbuluar komunikime elektronike, në të cilat biznesmeni urdhëron stafin e landfillit për çështje të ndryshme.

“Belind Këlliçi nxori disa e-maile, ku Erion Veliaj urdhëronte kompaninë koncesionare se disa kompani ndërtimi nuk duhet të paguajnë tarifën e depozitimit në landfill”, deklaroi Ahmetaj. Më tej, ai ngriti pyetjen retorike: “A nuk tregon kjo se Veliaj është pronar de fakto i inceneratorit të Tiranës?”

Ahmetaj mund të ketë më shumë informacion në këtë drejtim, por ai zgjodhi që të japë versionin e tij, duke iu referuar të dhënave të njohura për publikun, të prezantuara muaj më parë nga Partia Demokratike.

“Rama më nxori në pritë”

Arben Ahmetaj deklaroi se hetimi penal ndaj tij dhe urdhëri i arrestit janë frymëzuar politikisht nga ish-shefi i tij, Edi Rama.

Ai tregoi një bisedë në Shkurt 2022, kur Rama i kishte refuzuar dorëheqjen, pasi Ahmetaj kishte nuhatur se po i vinte fundi politik.

Në një takim të mbyllur të Partisë Socialiste, Rama ka deklaruar se “do të çoj në të sëmës këdo që tenton të prishë unitetin e partisë”, shprehje për të cilën Ahmetaj deklaroi se e kishte për të.

Ai u shkarkua në korrik 2022 dhe, sipas Ahmetajt, kjo lëvizje e Ramës duhej për të atashuar zëvendësit të tij të gjithë përgjegjësinë për aferën e inceneratorëve.

Kjo ishte një përjetim personal i Ahmetajt, shoqëruar edhe me disa detaje të vogla për raportet e tij me Ramën.

Por, gjithësesi, kjo situatë nuk ishte e panjohur për publikun e interesuar. Shkarkimi i Ahmetajt u shoqërua që në krye të herës me dyshimin se “Rama e shiti zëvendësin e tij”. Dhe ashtu ndodhi. Pak muaj pas shkarkimit, ndaj Arben Ahmetajt u lëshua urdhër-arresti nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.

“Rama kontrollon drejtësinë”

Arben Ahmetaj e konsideroi veten si shembulli konkret që tregon se si Edi Rama kontrollon “Drejtësinë e re” dhe sidomos SPAK-un.

Kjo deklaratë është interesante, pasi është thënë nga ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës dhe që ka qenë në poste kyçe, kur u hartua dhe miratua Reforma në Drejtësi.

Gjithësesi, deklarata e Ahmetajt i bashkohet zërave të shumtë, të cilët tashmë e kanë kuptuar se kryeministri kontrollon çdo hallkë të drejtësisë së re.

Përfshirë këtu edhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, të cilin ish-zv.kryeministri e etiketoi me emrin “Robespier”, referuar Kryetarit të Komitetit të Shpëtimit Publik franceze në kohën e Revolucioneve të shekullit 18, i njohur për terrorin ndaj politikanëve që kundërshtonin Perandorin.

“Ku shkuan 60 mln euro”?

Arben Ahmetaj ka shumë për të thënë për mënyrën se si kanë lëvizur qindra milionë eurot e shpërndara për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Megithatë, gjatë intervistës, ai iu rikthye një batute që deklaroi rreth një vitë më parë në studion e Blendi Fevziut, në “Opinion”.

Në atë kohë kam thënë që afera e inceneratorëve zbërthehet duke ndjekur parimin “folloë the money” (ndiq paratë). Deri më tani, SPAK-u është marrë me pllakat dhe dritaret e partneres dhe ish-bashkëshortes time. Por, nuk po shoh asnjë hetim se ku kanë përfunduar 60 milionë euro nga inceneratori i Tiranës. Kush i mori dhe si i mori?”, deklaroi Ahmetaj, i cili nuk preferoi të jepte vetë përgjigjen.

“Veliaj dhe Balluku mbushin ambasadat kundër meje”

Arben Ahmetaj u tregua shumë i bezdisur nga fakti se si dy ish-kolegë të tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, mbushin ambasadat dhe institucionet financiare në Tiranë me deklaratat se ai “është përgjegjësi për inceneratorët”.

Duke mohuar çdo lidhje me procedurat për inceneratorët, Ahmetaj la të kuptohet se këta dy personazhe kanë interesa të drejtëpërdrejta për ta goditur-Veliaj për të fshehur gjurmët e tij në lidhje me inceneratorin e Tiranës dhe Balluku për “t’i rënë në sy dhe për të përfituar nga shefi i saj, Edi Rama”.

Raportimet e Veliaj në selitë diplomatike në Tiranë nuk është as e re dhe as e panjohur. Shumëkush e mban mend se si mbushi ambasadat e huaja në Tiranë me “terrorin ndaj Griseldës”, në vitin 2011, ku iu referua sajesës së ish-partneres së kandidatit socialist të asaj kohe për Bashkinë e Kavajës, Elvis Roshit, për dhunim dhe dëmtim të shtatëzanisë.

Pra, fakti që Veliaj “raporton” kundër Ahmetaj në Tiranë, nuk është asgjë e re për sjelljen e kryebashkiakut të Tiranës.

“TCH më goditi politikisht, kur shqyrtohej pronësia në GJL”

Në vjeshtën e vitit 2022, kur SPAK kishte nisur hetimet për Arben Ahmetajn, televizioni “Top Channel” ndërmori një fushatë linçuese gati 3-mujore ndaj tij. “Është urdhëruar politikisht nga Edi Rama”, – deklaroi Ahmetaj gjatë intervistës, – “njëlloj siç e përdori këtë televizion për të goditur Ditmir Bushatin, Fatmir Xhafajn e Niko Peleshin, me porosi të kryeministrit”.

Ahmetaj deklaroi se pronarët e Top Channel, në atë kohë vendosën të përdoren, pasi ishin në konflikti gjyqësor për çështjen e pronësisë, duke lënë të kuptohet se Rama do të ndërhynte në Gjykatën e Lartë në favor të pronarëve aktualë të televizionit.

Deklaratat e tij marrin një konfirmim indirekt. Në janar të vitit 2023, Gjykata e Lartë vendosi në favor të pronarëve aktualë, trashëgimtarëve të themeluesit të ndjerë, Dritan Hoxha, megjithëse aksionerët e shumicës kishin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që dëshmonte se ata kishin të drejtë.

“Familjarë të Edi Ramës tek Eko Parku”

Arben Ahmetaj deklaroi se, nëse hetohet siç duhet, do të rezultojë se, pas investimit mbi 15 milionë euro për shndërrimin e landfillit të Porto Romanos në një “Eko Park”, do të dalin familjarë të afërt të kryeministrit Edi Rama.

Ahmetaj nuk përmendi emra konkretë, por duket se i referohej thjeshtrës së kryeminstrit Rama, Rea Xhillari.

Disa muaj më parë, Partia Demokratike ka publikuar një propozim të studios projektuese belge “51N4E”, i dorëzuar në qeveri në Prill 2019, disa muaj përpara se të shpallej zyrtarisht tenderi për këtë projekt nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve (AKUM).

Sipas denoncimit të Partisë Demokratike, në këtë studio është e punësuar thjeshtra e Ramës dhe, gjithnjë sipas opozitës, kjo është arsyeja që studio belge ka pasur shumë dyer të hapura në fondet publike shqiptare.

“Mirel Mërtirit ia kanë marrë inceneratorin”

Duke mbajtur tonusin e bisedës tek inceneratori i Tiranës, Arben Ahmetaj deklaroi me bindje se “quajnë pronar de fakto Mirel Mërtirin. Por, tashmë ia kanë marrë inceneratorin atij dhe e kanë kaluar në disa duar të tjera”.

I pyetur se kush ishin këto “duar të tjera”, Ahmetaj preferoi të mos jepte shumë detaje. “Pronari 40 përqind i inceneratorit tashmë rezulton biznesmeni kosovar Blerim Hoxha. Investigoni për këtë person. Ka qenë edhe më herët në Shqipëri, ka marrë kompaninë e naftës ARMO, ka shitur naftë, ka shitur skrap. Shikojeni se me kë ka punuar dhe kush i ka krijuar akseset”, deklaroi Ahmetaj.

Të dhënat të orientojnë drejt një kompanie nafte shumë të fuqishme në Shqipëri dhe të lidhur ngushtë me qeverinë e Edi Ramës. Megjithatë, Arben Ahmetaj nuk preferoi të bënte publik emrin.

Ai tha gjithashtu se duhet investiguar se kush është kompania off-shore që kontrollon 20 përqind të tjera të koncesionarit të Sharrës.

Ahmetaj duket se di gjëra shumë më tepër se ato janë bërë publike deri më tani. Por, për momentin, zgjodhi të ndërtojë retorikën e tij vetëm në pyetje dhe sugjerime për gazetarinë investigative.

Dosja “Buka”, e sajuar

Krahas aferës së inceneratorëve, Arben Ahmetaj është marrë i pandehur nga SPAK-u edhe për një çështje tjetër, atë të privatizimit të shoqërisë publike “Buka” sha.

Ahmetaj deklaroi se kjo dosje është e sajuar dhe sërish me ndikim politik dhe në të nuk ka thelb.

Prokurori i çështjes ka deklaruar në korridore se Arben Ahmetaj rrezikon të marrë pafajësinë në këtë gjykim”, deklaroi ish-kryeministri, duke ngritur pikëpyetjet se: “Përse rrezikoj të dalë i pafajshëm? Çfarë është ky vullnet për të më nxjerrë fajtor me zor?”.

Ai dha gjithashtu një detaj interesant, i cili, nëse është i vërtetë, dëshmon se SPAK-u e ka copëzuar këtë dosje në favor të përfituesit të pronës, Lirim Fezollari.

Çështja hetimore u ngrit nën dyshimet se Arben Ahmetaj i ka dhënë abuzivisht asetet e “Buka” sha biznesmenit Lirim Fezollari dhe ky i fundit ndërtoi në ato prona qendrën tregtare “Emerald”.

Në kuadër të hetimit, është pyetur nga SPAK edhe biznesmeni Fezollari, si edhe i është sekuestruar telefoni, për të zbuluar komunikime të mundshme me Ahmetajn, për të mbajtur në këmbë në këtë mënyrë hetimin për korrupsion.

Në përfundim të hetimeve, SPAK-u dërgoi për gjykim vetëm Ahmetajn për shpërdorim detyre, ndërkohë “biznesmenit i është kthyer telefoni”, siç deklaroi ish-zv.kryeministri.

Pra, për SPAK-un, biznesmeni i fuqishëm nuk ka asnjë lloj përgjegjësie penale, megjithëse të dhënat e siguruara nga vetë prokurorët e posaçëm gjatë hetimit krijonin dyshimet se e gjitha ishte një aferë korruptive.

Arben Ahmetaj është në kërkim prej një viti, pasi Gjykata e Posaçme ka lëshuar ndaj tij një urdhër arresti, i akuzuar për “Korrupsion pasiv”, “Shpërdorim detyre”, “Pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Deputet në atë kohë, Ahmetaj u largua nga Shqipëria pak para se Parlamenti të merrte kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.

Ai mendohet se gjendet në një vend europian, ku ka nisur procedurat për marrjen e statusit të azilantit politik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here