Ergys Verdho largohet nga KESH

0
85

Drejtori i Përgjithshëm i Koorporatës Eleketroenergjetike Shqiptare, Ergys Verdho, është larguar nga posti. Kapitali.al ka mësuar se zoti Verdho ka dhënë dorëheqjen një ditë më parë, ndërkohë që nuk dihen ende motivacionet për këtë largim.

Burime bëjnë të ditur se Verdho mund të kalojë në krye të hekurudhave, një sektor i cili gjatë viteve në vijim pritet të marrë fonde të konsiderueshme, teksa qeveria ka lajmëruar një sërë projektesh madhore si hekurudha me Prishtinën, por edhe ajo Vorë-Hani i Hotit.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë emri i ri që do të zëvendësojë Verdhon në krye të KESH, një nga kompanitë publike më të rëndësishme të vendit. Aktualisht po qarkullojnë disa emra, përfshirë Eltar Dedën, i cili aktualisht mban postin e kreut në kompaninë tjetër publike Albpetrol.

Ergys Verdho u emërua si drejtor i KESH në qershor të vitit 2021. Gjatë kohës që ishte në krye të Koorporatës, vendi u përball me situatën e jashtëzakonshme energjetike si pasojë e krizës që imponoi lufta në Ukrainë.

Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme energjetike dhe përmes procedurave të përshpejtuara kontraktoi dy anije për prodhim energjie në Vlorë nga kompania amerikane Excelerate.

Kontrata e anijeve me konsorciumin Excelerate-Renco u negociua nga Verdho. Por kjo kontratë ka shkaktuar debate të forta në publik, jo vetëm për shkak të vlerës së madhe rreth 70 milionë euro, që do të paguajnë taksapaguesit për kontratën dy vjeçare të anijeve, por edhe për faktin se deri tani ato nuk janë vënë asnjë ditë në punë.

Edhe pse ka shpenzuar disa milionë euro për të ndërtuar infrastrukturën që mundëson nisjen e prodhimit të energjisë nga dy termocentralet lundruese, KESH ende nuk i ka marrë në dorëzim këto mjete.

A ka lidhje largimi i Verdhos me çështjen e nxehtë të anijeve? Ky është një thashethem që ka qarkulluar në rrethet e ngushta, por deri më tani i pakonfirmuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here