Politikani u burgos nga Serbia, avokati i Sanduloviç vizitë në memorialin “Adem Jashari”: Askush nuk na ndalon në rrugën e pajtimit

0
114

Avokati serb, Çedomir Stojkoviç, vendosi lule mbi varrin e Blerina Jasharit në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai tha se askush “nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.

Blerina ishte 7-vjeçare kur u vra nga forcat serbe në vitin 1998.

Stojkoviç, shtetas i Serbisë, është avokat i politikanit opozitar në Serbi, Nikolla Sandulloviç, i cili u arrestua më 3 janar 2024, pak kohë pasi publikoi fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz.

Ai u arrestua nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”. Ndërkohë ai u lirua, por iu konfiskua pasaporta.

 

 

Avokati Stojkoviç tha se Sandulloviç kishte bërë homazhe më 17 shkurt të vitit 2023.

“Njëzet e pesë vjet pas luftës së Kosovës, si lufta e fundit ballkanike, vendi im arreston dhe rrah njerëz që duan pajtim mes kombeve duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë. Është diçka që nuk duhet ta injorojmë. Është një paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur, se ajo pret kohën e vet…”, tha ai.

“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen time për qytetarët e vrarë, pas 26 vjetësh, erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat, por erdha këtu edhe për të dhënë një mesazh të qartë se ne po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për jetën tonë. Njerëz, mos kini frikë. Nuk kemi pasur frikë dje, nuk kemi frikë sot dhe nuk do të kemi frikë nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”, shtoi ai.

Stojkoviç, njoftoi paraprakisht për vizitën e tij në Prekaz dhe tha se me këtë sfidon autoritetet në Serbi, që ta arrestojnë edhe atë, njëjtë sikurse Sandulloviçin.

“I arrestuar apo jo, do të vazhdoj të jem njeri i lirë, sepse liria nuk vjen nga gjykimet… Liria vjen nga zemra e njeriut”, u shpreh Stojkoviç.

Ai tha se mesazhi që duhet të dërgohet nga Prekazi është se “liria do të fitojë gjithmonë”.

“Blerina, urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë. Mijëra lotët le të krijojnë mijëra vjet paqe dhe miliona shpresa e ëndrra që fillojnë me fjalën – Na fal”, tha avokati serb.

Bashkë me Blerinën, nga forcat serbe u vranë edhe më shumë se 50 anëtarë të tjerë të familjes Jashari, në mesin e tyre edhe ish-komandanti Adem Jashari – një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Avokati serb bëri të ditur se nesër do të kthehet në Beograd dhe i pyetur nga gazetarët nëse ndihet i frikësuar se mund të arrestohet, ai mohoi diçka të tillë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here