Nga Besart Xhaferri/
Prej 5 javësh deputetët e opozitës vijojnë rezistencën për mbrojtjen e Parlamentit, teksa përballë tyre, veç të zgjedhurve socialistë nga vota e krimit, kanë pasur Gardën, Policinë dhe SPAK që janë kthyer në gardiane të projektit për shndërrimin e Kuvendit në zyrë noteriale të Edi Ramës.
Protesta e deputetëve nuk mjafton, e në kushtet kur me dosje të fabrikuara nga SPAK po tentohet izolimi i liderit të opozitës, populli opozitar dhe qytetarët shqiptar nuk kanë rrugë tjetër veç protestës dhe përballjes me këtë regjim.
Nesër, datë 18 Dhjetor, në orën 11:30, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nis vala e protestave të opozitës që do të shtrihet në çdo cep të Shqipërisë deri në mosbindje civile.
Sot nuk ka më as edhe një arsye të vetme për të mos dalë në shesh kundër një qeverie, që në koordinim me krimin po hedh themelet narkoshtetit të parë në Evropë.
Askush ndër ne nuk e ka luksin të qëndrojë indiferent përballë një shumice jolegjitime që ka rrënuar ekonominë, arsimin, sigurinë, shëndetësinë dhe që prej një dekade po shpopullon Shqipërinë.
Pas të hënës rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe qyteteve të tjera do të jenë shtëpia e qytetarëve shqiptar deri sa në institucione të rikthehet legjitimiteti, zëri i opozitës të dëgjohet dhe të drejtat e qytetarëve që mendojnë ndryshe të respektohen.
Ftoj të rinjtë dhe çdo qytetar që e do këtë tokë të mos protestojnë më vetëm me eksod, por të dalim masivisht në demostratë, së pari për veten, së dyti për familjet tona, e së treti për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ftoj studentët t’i bashkohen valës së protestave, si e vetmja zgjidhje që nesër askush të mos vendosë për fatin e karrierës së tyre si në diktaturë.
Një ftesë vëllazërore e kam edhe për ata të rinj që janë në emigrim dhe kanë mundësinë që t’i bashkangjiten fizikisht protestave, që të mos qëndrojnë duarkryq, pasi vendi ka më shumë se kurrë nevojë për zërin e tyre të revoltuar.
Kur narkoshteti po bëhet fakt, protesta dhe rezistenca nuk janë më zgjedhje, por detyrim!