Mbyllen hetimet për kokainën e Frakullit, bosi i grupit kriminal ishte ish-zyrtari i PS

0
251

Rreth gjysmë ton kokainë do të përftohej nga përziera me pleh organik, e sekuestruar në Gusht të vitit të kaluar, në Frakull të Fierit. Ky është konkluzioni i hetimeve të SPAK, që ka mbyllur hetimet për procedimin penal dhe e ka dërguar në gjykatë me kërkesën e kalimit për gjykim themeli.

Viktor Çervanaku, kryetar i Komunës Frakull të Fierit, nën siglën e Partisë Socialiste bashkë të birin Denilson, konsiderohen dy nga tre personat që kanë “krijuar, organizuar dhe drejtuar grupin kriminal’, që cilësohet përgjegjës për trafikimin e kokainës.

Viktor Çervanaku
Viktor Çervanaku

Hetimet paraprake për këtë procedim penal, sqaron SPAK, janë kryer në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa agjenci të tjera të huaja të zbatimit të ligjit.

Denilson Çervanaku
Denilson Çervanaku

Hetimet

Sipas të njëjtave burime: Nga hetimet e kryera është provuar fakti se personat e akuzuar në këtë procedim penal, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri një sasi lënde narkotike të lloji kokainë.

Lënda narkotike është transportuar dhe është fshehur gjatë transportit nëpërmjet një ngarkese me “pleh organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Nëpërmjet transportit në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi ngarkesa është zhdoganuar në Doganën e Tiranës, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.

Lënda narkotike e llojit kokainë ka qenë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në vendin e destinacionit, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej.

Banesa e Viktor Çervanakut ku u sekuestrua sasia e kokainës e përzier me pleh kimik

Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike që mund të përfitohej nga ekstraktimi i ngarkesës së “plehut organik” artificial, në vlerën e saj maksimale llogaritet të ishte në sasinë 485.5 kg.

Të pandehurit dhe akuzat:

  1. Të pandehurit Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Viktor Çervanaku dhe Denilson Çervanaku, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë personat që kanë krijuar, organizuar dhe kanë drejtuar grupin kriminal.
  2. Të pandehurit Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe Samir Rosales Rodriguez (shtetas kolumbian), janë akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë pjesëmarrës në këtë grup kriminal.
  3. I pandehuri Redion Meshi është akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga neni 278/2 të Kodit Penal.
  4. Të pandehurit Klajdi Vrioni (Kodra) dhe Bledar Matoshi janë akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 278/1 e 25 të Kodit Penal.
  5. I pandehuri Viktor Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 278/1 dhe 278/4 të Kodit Penal;
  6. I pandehuri Denilson Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të parashikuara nga nenet 278/1, 278/4 dhe 280 të Kodit Penal;

Gjatë hetimeve paraprake është hetuar edhe Kid Koshena, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, por nga veprimet hetimore të kryera ndaj këtij shtetasi nuk u arrit që të provohej se ka kryer këtë veprër penale. Si rrjedhim, për këtë shtetas është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here