Sot dita ndërkombëtare, paraplegjikët dhe tetraplegjikët protestojnë në Durrës

0
133

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, familja Pane në Durrës nuk hezitoi aspak t’i bashkohet thirrjes për t’u bërë pjesë e një marshimi ndërgjegjësues.

Prej më shumë se 4 vitesh, kryefamiljari është tetraplegjik. Si shumë të tjera dhe kjo familje përpiqet të përballet me dinjitet me vështirësi të shumta, ndërsa apelon veçanërisht ndaj autoriteteve shëndetësore për problemet që sjell dalja para komisionit në Tiranë për marrjen e pensionit të invaliditetit çdo vit.

“Si mund ta lëviz unë njëherë në vit këtu e në Tiranë. Të vijnë e ta shohin në shtëpi, ose të bëhet njëherë në 3 vjet komisioni. Është tetraplegjik, i verbër, me dializë një ditë po, një ditë jo. E dimë ne ç’po heqim në këtë situatë. Si im shoq ka shumë”, u shpreh Altina Pane.

Fjalët e së ëmës e përlotin vajzën e vetme të familjes, studente në infermieri.

“Jam vit i tretë dhe diplomohem këtë vit. Kam punuar edhe verës dhe mund të punoj edhe gjatë kohës që jam në shkollë”, u shpreh vajza për “Top Channel”.

Në këtë situatë Edmondi ndjehet i lënduar dhe i pafuqishëm të ndryshojë gjendjen në të cilën ndodhet familja e tij, teksa qëndron mbërthyer në një karrige me rrota.

“Të shpresoj për jetën e vet goca dhe për nënën e vet se unë nuk dua të jetoj më”, u shpreh Edmond Pane. “Do ia dalim”, i japin kurajo gruaja dhe e bija.

Bashkë me ta, këtë 3 dhjetor shumë persona para dhe tetraplegjikë, të verbër dhe familjarë të tyre morën pjesë në marshimin protestë në sheshin kryesor të qytetit dhe ndaluan para bashkisë duke ngritur zërin për problemet e tyre.

“Jemi këtu për t’i kujtuar institucioneve vendore dhe qendrore se kemi nevojë dhe dinjitetin tonë për t’u trajtuar njerëzisht. Jemi këtu për t’i kujtuar pushtetit vendor përgjegjësinë për të bërë një qytet të aksesueshëm e gjithëpërfshirës. Kemi nevojë dhe për një trajtim dinjitoz për kujdestarët tanë se askush nuk mund të të shërbejë me 12 mijë lekë në muaj. Një pyetje kam për pushtetarët sa e paguajnë shërbyesen në shtëpitë e tyre”, u shpreh Adivije Hoxha nga Shoqata e Para dhe Tetraplegjikëve.

“Jemi këtu për të sensibilizuar opinionin publik dhe atë institucional për vëmendje ndaj nesh. Jemi në 2023 dhe shohim një bashki të bunkerizuar, ku s’merr informacion po dhe të diskriminon duke vendos lloj lloj barrierash që aftësia e kufizuar të mos jetë e integruar. Kemi një problem dhe me shoqëruesit të cilëve nuk u njihen siguracionet dhe paguhen me pagesë qesharake. Të punosh në të zezë në shtet kur është e ndaluar me ligj”, u shpreh Sajmir Farrici, shoqata kombëtare “Shpresë për të Verbërit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here