‘Gjithë qelbësirat rreth Ramës!’ / Xhafka: Dikur ka patur personalitete, sot nuk ka asgjë…

0
123

Nga Agim Xhafka

Pas kaq vitesh që PS-në e drejton Edi Rama ndjehet dhe kuptohet se zëri i të tjerëve atje është sfumuar e venitur.

Po bëhet fiks si në kohën e Enverit kur shkruhej lajmi për ndonjë eveniment. Thuhej: ‘Në inaugurim mori pjesë Enver Hoxha dhe të tjerë…’ Të tjerë ishin që nga Mehmet Shehu, ministrat, deputetët e ofiqarët e lartë të shtetit.

Edhe sot kjo parti e madhe ka rënë në batakun e heshtjes. Flet njëshi e të tjerët sikur nuk janë gjallë, sikur janë shtrirë në varrezat e Sharrës. I ka kapur gjumi i madh.

Partia Socialiste nuk do ia kishte dalë të mbijetonte më 1992 me aq krime dhe me aq dështime që mbante në kurriz. Por u ngrit mbi ujë, edhe pse zemërimi popullor qe masiv, nga që lejoi brenda vetes mendimin ndryshe, lejoi grupime që ndikonin në vendimmarrjet e mëdha. Bëri që politika e saj të fitonte guxim dhe në këtë organizatë të spikasnin plot personalitete. Ende na vijnë ndër mend zgjuarsia e Dokles, fisnikëria e Pëllumbit, trimëria e Metës, naiviteti i Majkos, truri i Islamit, sharmi i Dades, idetë e Ermelindës, sinqeriteti i Legisit…

E mbi të gjitha pati vlerë drejtimi me efektshmëri dhe me tolerancë i Nanos. Që nuk e ndrydhi dhe as e mbylli partinë, por e ktheu në zgjua bletësh, paçka se shpesh herë u pickua nga plot thumba të kosheres së vet.

Kjo bëri që vitet e PS në qeveri e opozitë të qenë me kokrra të pjekura dhe plot shije.

Më pas…

Më pas partia u uzurpua nga manjaku i kazermës, Edi Rama. Ndërtoi strategjinë që ta merrte qeverinë jo me vota, por me manipulime,jo me ide, por me agresivitet e trembje të votuesve nga të fortë e banditë që i mblodhi thirrja: ‘Gjithë qelbësirat rreth meje!’

Qysh atë ditë personalitetet u përzjenë me vrasës e tutorë, me drogmenë e trafikantë. Ditë pas dite rrëzoheshin deputetët e krimit. Ikte ai që rrinte në krah të Majkos, burgosej ai në krah të Xhaçkës, denoncohej ai në krah të …

Krejt grupi parlamentar i majtë mori ngjyrë të zezë, ngjyrë bande. Se askush nuk foli, askush nuk nxori një rrokje, pale një fjalë. U kthyen në marioneta që e ngrinin kartonin sa herë kryetari i tyre lëvizte vetullën e majtë.

E ja rezultati.

Ekonomia për ibret, emigracioni po gëlltit krejt rininë e forcën e punës, çmimet rriten e rriten dhe taksat po kapin retë.

Sot nuk ka asnjë institucion shtetëror që të funksionojë. Ka veç Kushtetuta Rama, Parlamenti Rama, Policia Rama, Gjykata Rama, Media Rama e nuk do jetë çudi kur në Shqipëri të ngelet veç Rama.

Vendit i kanë atrofizuar gjymtyrët.

Është si një i goditur nga hemorragjia cerebrale. S’ka gojë, këmbë, tru. I punon veç dora e Ramës që fal buxhetin tek ca oligarkë. Që nesër diku, në ndonjë cep të globit, të bëjë pazarin, më jep kaq se të dhashë aq.

Shqipëria dikur ka pasur një PS me personalitete.

Sot ka një parti me persona, pa fytyrë, pa sy, pa veshë, veç me një karton që ngrihet e ulet sipas ‘viagrës’ që u injekton Rama.

Keq për ta, keq për ne.

Keq për Shqipërinë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here