“750 kg kokainë Brazili dhe porosi për vrasje”, ja detajet për hetimin e Breçanit dhe Matës

0
393

Njëmbëdhjetë masa sigurimi janë lëshuar nga GJKKO me kërkesë të SPAK ndaj anëtarëve të një grupi kriminal dhe personave të lidhur me ta, që akuzohen për trafik ndërkombëtar droge në sasi të konsiderueshme, sigurim të kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe pastrim parash. Figura qendrore nga hetuesit cilësohet Ervin Mata, i cili dyshohet si kreu i grupit kriminal.

Më 17 Nëntor, GJKKO, bazuar në kërkesën e SPAK, caktoi “arrest në burg” për 10 persona: Ismail Zeneli, Bujar Ajeti (Gërmizi), Dedan Gjoni, Erzen Breçani (ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës), Besmir Murati, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Ervin Mata, Eralbi Breçani (djali i Erzen Breçanit). Po ashtu, vendosi masën e sigurimit arrest shtëpiak për Jonida Babameton.

Një ditë më parë, policia ekzekutoi katër prej masave, duke arrestuar Bujar Ajetin (Gërmizi), Dedan Gjonin, Erzen Breçanin dhe Besmir Muratin. Ndërkohë, 7 personat e tjerë mbeten në kërkim.

Dy prej të prekurve nga masat janë pjesë e strukturave të policisë: Dedan Gjoni – shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6 dhe Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona dhe armë zjarri të ndryshme.

Akuzat

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se ka regjistruar në datën 28.04.2023 procedimin penal nr.78 të vitit 2023, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Të njëjtat burime shtuan se SPAK, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.

Droga e sekuestruar

Gjatë hetimeve të kryera nga hetuesit e BKH-së nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, tha SPAK, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

  • Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
  • Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
  • Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
  • Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;
  • Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;
  • Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;

“Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale“, thotë më tej SPAK në njoftim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here