KLSH: Kontrata problematike e PPP së laboratorit po rrezikon jetën e pacientëve

0
126

“Përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore po kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”, evidentoi Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin që ushtroi në Fondin e Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor për vitin 2022

Nga auditimi i Kontratës koncesionare/PPP “Shërbimi laboratorik” ofrimi i këtij shërbimi është i kufizuar, nga kushtet e kontratës pika 22.4 “Tavanet e buxhetit”.

“Tavanet e buxhetit”, sipas të cilit koncesionari nuk mund të tejkalojë fondin e miratuar për spitalet në zërin “Laboratorët”, për rrjedhojë rastet shtesë duhet të transferohen në një listë pritje me përparësi, duke filluar nga periudha tjetër buxhetore e spitalit referues.

Nga auditimi është evidentuar se 11 nga 19 spitale (QSU, SU “Shefqet Ndroqi”, SU “Trauma”, spitalet Elbasan, Fier, Korçë, Sarandë etj.) kanë një nivel të realizimit të shërbimit laboratorik në masën 97-100 %, kundrejt planit.

Në këto spitale ofrimi i shërbimit laboratorik ka pasur kufizim respektimin e tavaneve buxhetore dhe ka rrezikuar të bëhet pengesë për ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore, duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve drejtë laboratorëve privatë, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.

Ofrimi i këtij shërbimi sipas kërkesës, është i kufizuar, nga kushtet e kontratës ku cilësohet se, “Në çdo periudhë të caktuar buxhetore, koncesionari do të njoftojë drejtorin e spitalit referues, duke vënë në dijeni dhe përfaqësuesin e FSDKSH, brenda dy ditëve kur tarifat e shërbimeve të pagueshme për numrin e përgjithshëm të analizave të kryera nga koncesionari për çdo spital referues tejkalojnë 50%; 75% dhe 100%, përkatësisht të tavanit buxhetor të zbatueshëm për atë spital”.

Kur në një periudhë të vetme buxhetore, tarifat e shërbimit të pagueshme për numrin e përgjithshëm të analizave të kryera nga kocesionari, për çdo spital referues, arrijnë 75 % të tavanit të buxhetit dhe koncesionari e ka njoftuar drejtorin e spitali referues në përputhje me kontratën. Drejtori i spitalit referues brenda 3 ditëve, informon me shkrim koncesionarin duke vënë dijeni autoritetin dhe FSDKSH në lidhje me vendimin e tij për të:

vazhduar me marrjen e shërbimeve mjekësore, për të gjithë pacientët e referuar deri sa të arrihet 100% i tavanit buxhetor (alternativa A)
vazhduar me marrjen e shërbimeve mjekësore vetëm për analizat urgjente deri sa të arrihet 100% i tavanit buxhetor.

Koncesionari ka detyrim të ofrojë analiza urgjente, pa pagesë spitalit referues, brenda një vëllimi të lejuar që mbulon 5 % të vëllimit të analizave urgjente, të kryera për spitalin referues, deri në përmbushjen e tavanit buxhetor.

Nga sa më sipër, rezulton se kufizimet në kryerjen e analizave laboratorike janë të lidhura me tavanin buxhetor të secilit spital dhe janë të sanksionuara në kontratën koncesionare të laboratorëve me pasoja negative në shëndetin e popullatës.

Kontrata e laboratorëve parashikon pagesën e nivelit të shërbimit nga ana e spitaleve publike për një periudhë 10 vjeçare, ku tavani buxhetor sipas pikës 1.1 të kontratës nënkupton “Shumën maksimale totale të tarifës së shërbimit të pagueshme nga një spital referues për koncesionarin në një periudhë buxhetore gjatë afatit, e cila përfaqëson tavanin buxhetor vjetor për një spital referues në 12 periudha buxhetore (muaj)”.

Ndërsa në shtojcën 12 të kontratës është përcaktuar se: “Spitali referues angazhohet për përmbushjen e çdo detyrimi që i ngarkohet nga kontrata, por pa kufizim pagesën e tarifave të shërbimit të koncesionarit gjatë afatit të kontratës”. Referuar të dhënave mbi shpenzimet e kryera në vitin 2020 dhe 2021, në shumat respektive 1,103,199 mijë lekë dhe 1,612,914 mijë lekë, si dhe ecurisë së planifikimit afatmesëm të buxhetit për financimin e këtij shërbimi rezulton se, vlera e tij do shkojë më tepër se parashikimi, duke kërkuar çdo vit më shumë angazhim fondesh buxhetore, analizon KLSH-ja.

KLSH shprehet se edhe përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore, për disiplinimin e shpenzimeve, nuk ka arritur të jetë në nivelin e parashikuar, shtuar këtu dhe faktin që ky kufizim ka të bëjë drejtpërsëdrejti me plotësimin e nevojave të pacientëve në kohën e duhur.

Gjatë vitit 2022, plani fillestar për PPP-Laboratorë është në shumën 1,574, mijë lekë, si dhe është shtuar gjatë vitit Plani përfundimtar rezulton në shumën 1,639 mijë lekë për 2022.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019.

Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Por pagesat për këtë koncesion janë rritur vit pas viti. Nga 1.1 miliardë lekë që u paguan nga buxheti në 2021, shuma u rrit në 1.6 miliardë lekë në 2022 dhe pritet të arrijë në 1.8 miliardë lekë në 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Ndërsa në 2024-n në projektbuxhet janë parashikuar 1.85 miliardë lekë. Pagesat çdo vit u rritën për shkak të shtimit të numrit të analizave në raport me parashikimet e kontratës./MONITOR

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here