Një herë ‘patriot’ e një herë ‘grek’/ Shfaqja e Ramës nga Derviçani, një servilosje panevojshme ndaj Mitsotakis

0
100

Kur Edi Rama mbante fjalime kundër Fredi Belerit para zgjedhjeve të 14 majit dhe e quante atë një “shovinist”, “pseudo-himariot”, që shkelte mbi vuajtjet e patriotëve të së shkuarës, ai ndezi zemrat e mijëra shqiptarëve. Më në fund u duk se një kryeministër i Shqipërisë po dilte mbi komplekset e së shkuarës dhe po i përvishej kandidatit që kishte mbështetjen e Greqisë me dinjitet.

Kush e quan Belerin një të burgosur politik, apo kush ngre dyshime se pas arrestimit në 12 maj fshihen interesat e cënuara të biznesmenëve pranë Ramës, shpallet menjëherë tradhtar, apo i shitur te greku.

 

Por shikoni se si u shfaq sot në Derviçan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i njëjti që kishte evokuar patriotët shqiptarë, në mitingjet e fushatës së 14 majit.

 

Rama foli sot në greqisht jo vetëm përballë minoritarëve greke, që ishin mbledhur për të inauguruar bustin e ish-kryeministrit grek Konstandin Micotakis, por edhe përballë të dërguarit të qeverisë greke, Dimitri Avramopulos.

Kryeministri i Shqipërisë foli greqisht edhe pse kryeministri i Greqisë, ia refuzoi ftesën dhe e bojkotoi takimin, duke i dërguar si përfaqësues një ish-ministër të tij.

https://fb.watch/nXMUe5A2aC/?mibextid=Nif5oz

Si të mos mjaftonte ndërrimi i gjuhës para përfaqësuesit të qeverisë greke, edhe fjalimi në shqip, ishte në frymën e përuljes dhe servilosjes, plot lajka dhe elozhe për kryeministrat e Greqisë ndër vite.

 

Nuk ishte aspak e këndshme ta shihje kryeministrin e Shqipërisë, që përballë refuzimit të ftesës nga homologu i tij, vazhdonte ta quante atë “mikun e tij të dashur” ndërsa ngrinte lart kryeministrat e Greqisë Elefteros Venizelos, Konstandin Micotakis apo Andrea Papandreu.

 

Kryeministrin e kohës së luftrave ballkanike, Elefteros Venizelosin, Rama e quajti legjendar, babain e kryeministrit aktual Mitsotakis, Rama e lavdëroi si kretan të paepur, ndërsa Andrea Papandreun e cilësoi si një politikan karizmatik.

 

“Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kiriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot, sheshi mban emrin e të atit” u shpreh Rama.

Shfaqja e sotme e Ramës në Derviçan është në vazhdën e përpjekjeve për ta joshur Micotakisin të tejkalojë burgosjen e Fredi Belerit. Por në anën tjetër Micotakis nuk është tërhequr.

 

Në Gusht të këtij viti, ai organizoi një takim në Athinë me të gjithë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përveç Ramës.

 

Presioni grek u shtua kur Micotakis deklaroi në samitin e fundit në Tiranë se Greqia do të pengojë ecurinë e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe këtë ia shprehu Ramës në një takim kokë më kokë.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe është ende në burg. Mbetet për t’u parë, nëse gjykata do ta dënojë për shitblerje votash, apo ai do të lirohet si i pafajshëm.

 

Por shfaqja e turpshme e servilosjes që u pa sot në Derviçan do të mbetet kronika e radhës e një kryeministri shqiptar, që përballë presionit grek qëndron pa dinjitet dhe për çfarëdo arsyeje, Rama duhej ta kishte kursyer. ©LAPSI.AL

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here