Partinë për Akademinë/ Pazari që mban Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave

0
195

Skënder Gjinushi kapi një mandat të dytë në krye të Akademisë së Shkencave. Kur gazetarët i kujtuan se vërtet fitoi por se nuk kishte asnjë tjetër në garë me të, ai dha një përgjigje cinike.Vazhdoni t’i bini të njëjtës këmbanë” dhe se ata “nuk mund të ishin më të mençur se 53 akademikë”.

Me gjasë, kjo është e vërtetë. Akademikët që votuan Skënder Gjinushin supozohet të jenë elita intelektuale e kombit, pasardhës të Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Lasgush Poradecit dhe shumë emrave të tjerë, që i bëjnë nder vendit.

Problemi është se zgjedhja e Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave ka një sfond krejt tjetër. Ajo nuk është produkt i përballjes së alternativave, projekteve, vizionit për ringritjen e akademisë, por është thjesht një pazar banal politik mes Gjinushit dhe Ramës.

Prej dy dekadash, Skënder Gjinushi ishte kryetar i Partisë Socialdemokrate, një aleate e përhershme e Partisë Socialiste, por që po tkurrej nga një proces zgjedhor në tjetrin.

Në Maj të vitit 2019, Gjinushi dha dorëheqjen papritur dhe disa ditë më pas u zgjodh në krye të Akademisë së Shkencave. Drejtimin e partisë e mori fillimisht Engjëll Bejtja, por më pas partia i kaloi Tom Doshit, që më herët ishte përjashtuar nga Partia Socialiste.

Në prapaskenë të pazarit që i kalonte Tom Doshit PSD-në ishte kryeministri Edi Rama. Mbështetjen për Gjinushin, kryeministri nuk e fshehu asnjëherë.

Si pjesë e marrëveshjes së fshehtë mes Gjinushit dhe Ramës ishte edhe qoka që kryeministri e bëri duke nxjerrë të jashtëligjshme Akademinë e Studimeve Albanologjike. Me anë të një kontrolli formal dhe që u kundërshtua nga fort nga disa studiues, akademia u shpall e jashtëligjshme në mënyrë që studiuesit e saj të detyroheshin të kalonin në strukturat e Akademisë së Shkencave.

Pas 4 vitesh Gjinushit iu desh një mandat i dytë por ligji e pengonte. Ligjërisht nuk lejohej që një kryetar të zgjidhej në dy mandate njëri pas tjetrit dhe të ishte më shumë se 75 vjec. Socialistët, siç duket synojnë ta mbajnë Gjinushin gjatë në krye të akademisë së shkencave. Ata ndryshuan ligjin përmes polemikave dhe hoqën ndalesat duke i hapur rrugë rikandidimit të tij për një mandat të dytë.

I njëjti pazar i siguroi mazhorancës disa vota më shumë në parlament. Në zgjedhjet e vitit 2021, Tom Doshi mori 3 deputetë me logon e PSD-së. Partia Socialiste mori 74 deputetë, por nëse rezultati do ta kishte nxjerrë kokë më kokë me koalicionin opozitar, tre deputetët e PSD-së do të kishin qenë një garanci e mirë për të bërë shumicën.

Po ashtu, në zgjedhjet e 14 Majit, Partia Socialdemokrate pati një rezultat spektakolar. Ajo u rendit në vendin e katërt për nga numri i votave dhe i posteve në këshillat bashkiakë të Shqipërisë.

Duhet theksuar këtu fuqia e Tom Doshit në Shkodër, pa të cilën Partia Socialiste nuk do të kishte fituar dot bashkinë për herë të parë në 30 vjet.Prandaj dhe gazetarët, të cilët vunë në dyshim procedurat që i dhanë Gjinushit një mandat të dytë, ndoshta nuk kanë kryer studime dhe botime shkencore, por fakti që ata guxojnë të ne dyshim falsitetin e zgjedhjes së tij falë pazareve politike në prapaskenë, i bën ata shumë më intelektualë, se akademikët që e votuan kokulur Gjinushin në krye të institucionit. ©LAPSI.AL 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here