A preket ekonomia shqiptare nga lufta në Izrael? Ja si përgjigjet eksperti

0
78

Eksperti ekonomik, Mateo Spaho, gjatë intervistës për “Money Report” shpjegoi edhe efektet që mund të ketë lufta mes Hamasit dhe Izraelit. I pyetur nga gazetarja, ai theksoi se edhe ekonomia jonë mund të preket nga lufta Hamas-Izrael, marrë shkas nga raportimet e rritjes së çmimit të naftës në disa vende.

Sipas ekspertit, konflikti i përgjakur mes Hamasit dhe shtetit hebre mund të jetë një tjetër burim krize dhe paqëndrueshmërie që prek vendet e botës dhe në mënyrë të tërthortë edhe vendin tonë, duke sjellë problematika të tilla si rritja e çmimit të naftës, e çmimeve apo ngadalësim të rritjes ekonomike.

“Absolutisht po, as Izraeli dhe Palestina nuk prodhojnë naftë, por Hamasi financohet nga Irani dhe ai ka çelësin verior të Gjirit Persik dhe transporti i pjesës më të madhe të naftës bëhet nga Gjiri Persik, nga vendet arabe dhe drejt pjesës së tjetër të botës. Një acarim i situatës do të çonte Iranin të bllokonte trafikun e petrolerieve dhe nga ana tjetër vetë goditjet dhe lufta që mund të shpërthejë në potencial midis Izraelit dhe Iranit dhe mund të dëmtojë dhe instalimet dhe rafineritë e naftës që ka. Natyrisht që ka një rrezik konkret dhe tregu e ka ndjerë këtë gjë menjëherë. Po, është një tjetër burim krize dhe paqendrueshmërie dhe në fakt nuk është rasti i parë pasi jemi në një periudhë të vështirë ku kemi Ukrainën, Armeninë dhe Azerbaxhanin dhe tani Hamasin me Izraelin. Pra të gjithë këto paqëndrueshmëri dhe një botë globale ku kemi qarkullim të lëndëve të para, rrezikojnë problematika si rritje çmimesh dhe janë ‘ushqim’ për inflacionin dhe pakësim të rritjes ekonomike. Nafta nuk është vetëm produkt për transportin por përdoret për serat, përdoret si lëndë e parë për produktet e tjera dhe kjo gjë krijon problematika jo të vogla. Kjo gjë do të thotë se kemi një situatë në të cilën edhe në rastin nëse s’do të kishim efekte të drejtpërdrejta në Shqipëri, do të kishim efekte që do të ndiheshin mirë në rajon dhe në mënyrë indirekte edhe tek ne”, u shpreh eksperti.

Duke u ndalur tek buxheti për vitin 2024, ai tha se shteti duhet të ketë një fokus për të krijuar një rezervë në rast krize.

“Kemi patur rastin e parë ku ministria e Financave ka krijuar një rezervë në vitin 2008 për përballimin e krizës ekonomike dhe duhet vijuar në raste të tilla. Ministria duhet të krijojë një rezervë shtesë në rastin e krizave të caktuara. Kemi pasur fat vitin e kaluar se kriza energjetike s’ka ka goditur si vendet e tjera, por duhet krijuar një rezervë me 200 deri në 250 milionë dollarë që mund të përdoreshin në rast ndërlikimi të situatave ndërkombëtare. Pra për një zvogëlim të një krize ndërkombëtare dhe jo për një anulim.”, përfundoi Spaho.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here