Një e re australiane e ka përshkruar si “kaotik” dhe “traumatik” atë që duhet të ishte “udhëtimi i saj i ëndrrave” në Shqipëri, Itali dhe Greqi. Anna Shatilova nga Sydney pranoi se ishte e papërgatitur mendërisht si një udhëtare e vetme kur përshkroi muajin e saj të parë jashtë vendit në Evropë. Vajza e re bëri një listë me “gjërat kaotike” teksa udhëtonte nëpër Shqipëri.Fotoja e parë tregon një minibus shumë të mbushur me njerëz në Shqipëri. Shumica janë të rinj. Ajo që asaj i ka bërë përshtypje është se shoferi e mban hapur derën e furgonit gjatë rrugës madje edhe kur është duke udhëtuar me shpejtësi të madhe. Ajo thotë se kjo është një “përvojë vërtet traumatike”.
Shoferi sipas saj fliste në telefon dhe e drejtonte autobusin me bërryl. Ajo ankohet për mungesën e kondicionerit në autobusë dhe ndau një foto që tregonte djersitjen e saj në rroba. “Kjo është arsyeja pse ata e mbajnë derën hapur, sepse nuk ka kondicioner”, – ka komentuar një grua në postimin e saj. Ajo bie dakord: “Po, shoferi na dha një “fllad të mirë”.
Më pas Anna tregon foton e një tualeti të vogël, por mbi të gjitha mjaft të pistë për të cilin ka paguar 2 euro për ta përdorur. Më pas vajza e re tregon një foto të këmbës së saj të fryrë për shkak të pickimit nga mushkonjat. Sipas saj këmba iu bë si tullumbace gjatë natës.
Nuk ishin më të mira pushimet e vajzës edhe në Itali e Greqi pasi në një bujtinë greke ajo duhej të ndante dhomën me një çift tjetër sepse pronarët kishin pranuar më shumë rezervime. Megjithatë vajza tha se e ka konsideruar si aventurë udhëtimin e saj traumatik në Ballkan pavarësisht peripecive. ©LAPSI.al