Busti i Mitsotakis në Dropull, a do të bjerë kryeministri grek në ‘kurthin’ e Ramës

0
84

Në muajin tetor pritet të inagurohet sheshi i ri në qendër të fshatit Dervician në Dropull. Krahas rikualifikimit të tij tërësor, elementi ndoshta më kryesor është vendosja e bustit të Kostandinos Mitsotakis, ish-kryeministrit grek i cili vizitoi Shqipërinë 33 vite më parë. Ky investim i qeverisë shqiptare ishte premtuar publikisht gjatë vizitës së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Dropull në dhjetor 2022 nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.Kujtojmë që Kyriakos Mitsotakis është djali i Kostandinos Mitsotakis. Edi Rama e përmendi inagurimin e bustit edhe disa ditë më parë teksa dha një intervistë për prestigjozen greke “Kathimerini”. Por marrëdhëniet Tiranë- Athinë nuk janë më si më parë për shkak të çështjes “Beleri”. Greqia ka kërcënuar vazhdimisht Shqipërinë me bllokim të integrimit në BE nëse nuk liron nga burgu kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i arrestuar për blerje votash.

Kulmi arriti gjatë darkës informale në Athinë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur Mitsotakis nuk i dërgoi një ftesë Edi Ramës. Në këto kushte teksa sheshi në Dervician po merr formë dita-ditës, mbetet me pikëpyetje nëse Kyriakos Mitsotakis do të vijë sërish në Shqipëri apo jo, për të marrë pjesë në inagurimin e bustit të babait të tij.

Ky investim që më shumë ka vlerë simbolike në minoritet, duket se i ka ardhur në shteg Edi Ramës dhe ngjan më shumë, le të themi si një “kurth politik” ndaj kreut të qeverisë në Athinë. Më i interesuar në këtë rast që sheshi të inagurohet, që busti të vendoset dhe që kryeministri i Greqisë të marrë pjesë në ceremoni, është Edi Rama, jo Kyriakos Mitsotakis të cilit po i nderohet në Dropull babai i tij.

Rama kërkon të shpërfaqet përmes kësaj ngjarje si një lider europian, i shpenguar plotësisht nga komplekset nacionaliste apo paragjykimet dhe t’i tregojë opinionit publik grek që ai është kaq shumë mendjehapur prandaj i ngre bust babait të kryeministrit të Greqisë. Natyrisht që Rama nuk e kishte paramenduar se gjërat do të vinin kështu me Fredi Belerin e do të kishte një krisje me Athinën zyrtare, por ai synon ta përdorë sheshin me bustin e Kostandinos Mitsotakis si një akt për të kompleksuar kryeministrin aktual të Greqisë.

 

Nëse Kyriakos Mitsotakis do të mbërrinte në Dropull në tetor e do të shtrëngonte duart me Edi Ramën, e gjithë retorika e qeverisë së tij prej muajit maj të këtij viti për cështjen e Fredi Belerit, natyrisht që do të zhbëhej dhe presioni i Athinës do të zhvlerësohej. Aq më tepër kjo, kur duket se Beleri po shkon drejt humbjes së të drejtës për t’u betuar e për të qenë ndonjëherë kryetar i Bashkisë Himarë.

Në mesin e muajit shtator skadon afati i përcaktuar në ligj për të kryer betimin. Me gjasë Kyriakos Mitsotakis nuk do të bjerë në kurthin e Edi Ramës, megjithatë mbetet për t’u parë deri në tetor se si do të rrjedhin ngjarjet. Shihni pamjet më poshtë të asaj që po ndodh në sheshin e Dervicianit. ©LAPSI.al

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here